28 PRILL 2017
SHTETET E BASHKUARA
Selia e re botërore e Dëshmitarëve të Jehovait hap dyert për gati 400 vizitorë
NJU-JORK—Të shtunën e kaluar, Dëshmitarët e Jehovait organizuan të parën nga dy pritjet speciale për publikun në selinë botërore të sapondërtuar në Uoruik, Nju-Jork. Troi Snajderi, menaxher i kompleksit të selisë botërore, thotë: «Gjatë javës selinë tonë e vizitojnë mesatarisht 1.150 veta në ditë. Por, për dy fundjavë donim të hapnim dyert që të falënderonim fqinjët që nuk janë Dëshmitarë dhe të tjerë që na kanë mbështetur gjatë ndërtimit.»
Në pritjen e së shtunës morën pjesë 395 veta, prej të cilëve 205 banorë vendës dhe 190 shitës e kontraktues në fushën e ndërtimit. Për të ftuarit u shërbyen pije freskuese dhe ushqime të lehta. Pastaj për 40 minuta vizituan kompleksin dhe panë një video të shkurtër prezantuese e cila u pasua nga një diskutim me pyetje-përgjigje.
Kristofer Gau, banor i Parkut të Tëksidos, tha: «E pranova me kënaqësi ftesën për të vizituar kompleksin dhe isha shumë kurioz. E dija që po ndërtohej ky kompleks, ama u bë në mënyrë kaq të qetë e të respektueshme, sa dukej sikur s’po ndodhte.»
Meqë Dëshmitarët e ndërtuan selinë e re botërore përgjatë bregut të Liqenit të Kaltër të Parkut Shtetëror të Pyllit Sterling, shumë vendës thanë se kishin ardhur enkas për të parë se ç’masa ishin marrë për të mbrojtur mjedisin.
Dr. Riçard Hulli, profesor i merituar historie në Universitetin e Nju-Jorkut, i cili jeton në Uoruik dhe është historiani zyrtar i qytetit, u shpreh: «E kam studiuar zonën për më se 50 vjet. Dëshmitarët kanë bërë një punë shumë të mirë pasi kanë ndërtuar atë që u duhej duke respektuar mjedisin, si edhe kanë marrë parasysh gjallesat që jetojnë në këtë park.»
Pasi vizitoi kompleksin, z. Gau, që është edhe anëtar i Bordit Këshillues të Parkut të Tëksidos, vërejti: «Çdo element është i cilësisë së parë; Dëshmitarët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Kompleksi juaj ekologjik është goxha frymëzues dhe një model për t’u ndjekur nga të gjithë.»
Pas vizitës me ciceron, mysafirët u ftuan të shihnin edhe tri ekspozitat pa ciceron që janë vendosur në katet sipër e poshtë recepsionit. Dy nga ekspozitat paraqesin historinë dhe aktivitetin e sotëm të Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën, kurse e treta përmban Bibla të rralla dhe relikte që lidhen me to.
Dr. Hulli përfundoi me fjalët: «Ky kompleks është shumë modern. Duket se për ta ndërtuar është menduar dhe planifikuar mirë gjithçka. Më ka mbetur pa parë muzeu, por mezi pres të vij prapë.»
Z. Snajder pohon: «Mendojmë se komuniteti vendës meritonte një falënderim special për gjithë mbështetjen dhe mikpritjen e ngrohtë që kur jemi transferuar. Ja pse këto dy pritje u organizuan ekskluzivisht për fqinjët që nuk janë Dëshmitarë.» Ata që morën ftesën ose që jetojnë afër, por nuk erdhën dot të shtunën e kaluar, janë të mirëpritur të shtunën e ardhshme më 29 prill nga ora 10.00 deri në 16.00.
Zëdhënësit për mediat:
Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000