Kalo te përmbajtja

1 QERSHOR 2016
SHTETET E BASHKUARA

Dëshmitarët e Jehovait nxjerrin në shitje Towers, pronën historike në Bruklin

Dëshmitarët e Jehovait nxjerrin në shitje Towers, pronën historike në Bruklin

Hoteli elegant Towers në fillimet e tij

NJU-JORK—Më 24 maj 2016 Dëshmitarët e Jehovait nxorën zyrtarisht në shitje Towers, një godinë banimi me 16 kate që ndodhet në adresën 21 Clark Street në zonën e njohur historike Brooklyn Heights. Ish-hoteli me një sipërfaqe 29.150 km2, i njohur për kurorën me katër kulla veneciane, për nëntë dekada ka qenë një pamje madhështore në horizontin e Bruklinit.

Towers në fillim quhej Leverich Towers Hotel dhe u përurua më 1928. Hotelin e projektuan arkitektët e njohur Starrett & Van Vleck, që kanë projektuar dyqanet me emër Lord & Taylor dhe Saks Fifth Avenue në qytetin e Nju-Jorkut. Disa vjet më vonë pronari i ri i vuri emrin Towers Hotel. Me dekor romanesk, me një dhomë balloje me shandanë dhe me një tarracë nga ku dukeshin qartë pamje të Manhatanit të Poshtëm, të portit të Nju-Jorkut e të urës së Bruklinit, ai u reklamua si «Aristokrati i Hoteleve të Bruklinit».

Shkallët madhështore të hotelit kanë dy parmakë të gjerë me dru mogani, si edhe tri murale harkore rustike të stilit trompe l’oeil

Pavarësisht nga fillimet mbresëlënëse, në vitet 70 hoteli ishte në gjendje të mjerë. Dëshmitarët e blenë më 14 janar 1975. Në vitin 1978 mbaroi rimodelimi që të shërbente si godinë banimi dhe dhomë ngrënieje për më se 1.000 Dëshmitarët e Jehovait që punonin në selinë e tyre botërore. Riçard Devajni, zëdhënës për Dëshmitarët, shpjegon: «Puna e shtypjes së botimeve po shtohej me të shpejtë. Towers ofronte hapësirën për të cilën kishim aq shumë nevojë që të strehonim stafin që sa vinte e rritej.»

Kur sheh në veri përmes shtyllave në tarracën e hotelit, në distancë duket kompleksi i zyrave të selisë botërore të Dëshmitarëve, ura e Bruklinit dhe e Manhatanit, si edhe Empire State Building

Që nga viti 1995 Dëshmitarët nisën një rinovim edhe më të madh, i cili do t’i rikthente hotelit një pjesë së madhështisë së dikurshme. Z. Devajn përshkruan punën e ndërtimit: «Në vitet 90 rindërtuam krejtësisht pjesën e brendshme të ndërtesës e zëvendësuam sistemet hidraulike dhe elektrike. Ndërtuam edhe shkallët madhështore që të zbresin nga recepsioni në katin e dhomës së ngrënies.»

David Semoniani, zëdhënës në selinë botërore të Dëshmitarëve, komenton: «Kur ecën në rrugët e Brooklyn Heights dhe i afrohesh Towers, s’ka si të mos të tërheqë vëmendjen eleganca e ndërtesës. Megjithatë, përveç bukurisë për të cilën kemi punuar fort për ta ruajtur me shije, për dekada ajo ka qenë një shtëpi e rehatshme e anëtarëve të personelit të selisë sonë botërore.»

Zëdhënësi për mediat:

David A. Semonian, Zyra e Informacionit Publik, 1-718-560-5000