Kalo te përmbajtja

27 PRILL 2015
SHTETET E BASHKUARA

Vdes në moshën 92-vjeçare Doroti Kavintëni, gruaja e Hejdën Kavintënit, avokati për liritë civile

Vdes në moshën 92-vjeçare Doroti Kavintëni, gruaja e Hejdën Kavintënit, avokati për liritë civile

Doroti Mei Senet Kavintëni, e cila në vitet 40-50 luftoi për liritë civile të Dëshmitarëve të Jehovait, vdiq më 14 mars 2015, në Sinsinati, Ohajo, në moshën 92-vjeçare.

Në mes të betejës për të drejtat kushtetuese

Gjatë viteve 40, Doroti u ofrua të punonte si asistente ligjore për avokatin Viktor Shmid, i cili ishte Dëshmitar i Jehovait dhe mbronte të drejtat e tyre civile. Ishte koha kur Dëshmitarët e Jehovait hasnin përndjekje të ashpër në Shtetet e Bashkuara për shkak të frymës nacionaliste në rritje që shoqëroi periudhën e Luftës II Botërore. Qëndrimi asnjanës i Dëshmitarëve në lidhje me ceremonitë nacionaliste dhe refuzimi i shërbimit ushtarak për arsye ndërgjegjeje, binin ndesh me frymën e atyre kohëve. Libri The Lustre of Our Country thoshte se «përndjekja e Dëshmitarëve nga viti 1941 deri në vitin 1943 ishte intoleranca më e madhe fetare në Amerikën e shekullit të njëzetë».

Dëshmitarët u sulmuan nga turma njerëzish dhe u arrestuan në mbarë Shtetet e Bashkuara, përfshirë zonën e Sinsinatit, Ohajo, dhe zonën e Indianës aty afër. Viktor Shmidi udhëtonte në gjithë rajonin për të mbrojtur Dëshmitarët e Jehovait që i kishin arrestuar në mënyrë të paligjshme. Ndërkohë, Doroti jo vetëm që mbështeste punën ligjore në zyrën e Viktor Shmidit, por edhe përballonte me guxim kërcënimin e turmave të dhunshme ndërsa predikonte publikisht.

Për Dorotin ishin domethënëse ngjarjet që shkaktuan dhunën në Connersville, Indiana. Vetëm 17 ditë pas vendimit të pafavorshëm të Gjykatës së Lartë për çështjen Drejtoria arsimore e Minersville kundër Gobitis në vitin 1940 në lidhje me nderimin e flamurit, sherifi në Connersville arrestoi gjashtë Dëshmitarë që u akuzuan për përdhosje të flamurit, ngaqë nuk pranuan të nderonin një distinktiv me flamurin amerikan. Pikërisht këtu në Connersville, Viktor Shmidi dhe Hejdën Kavintëni, këshilltar i përgjithshëm ligjor i Dëshmitarëve të Jehovait në vitet 1939-1963, mbrojtën dy Dëshmitarë që më vonë u akuzuan në mënyrë të rreme edhe për komplot.

Viktor Shmidi

Pasi paraqiti argumentet e fundit, z. Kavintëni u largua menjëherë që të kapte avionin për një gjyq në Maine, ndërsa Viktor Shmidi bashkë me gruan qëndruan deri sa të jepej vendimi. Më pas, ata u sulmuan egërsisht nga një turmë që sa vinte e shtohej. Viktorin me të shoqen dhe të tjerë i goditën pareshtur, por arritën t’i iknin turmës.

Vetëm tri javë para se të vdiste, Doroti tha në një intervistë se dhjetë muaj pas vendimit, 75 Dëshmitarë u burgosën në Connersville, sërish nën akuzën e rreme për komplot. Ajo tregoi: «U arrestuan shumë Dëshmitarë, dhe pikërisht atëherë, në kohën e Connersville, ishte kulmi i përndjekjes ndaj nesh.»

Hejdën Kavintëni, Viktor Shmidi dhe të tjerë vazhduan të mbronin liritë civile të Dëshmitarëve të Jehovait. Kavintëni dhe Shmidi ia dolën t’i rrëzonin vendimet e Connersville që shpallnin fajtorë Dëshmitarët, dhe ai e ndihmoi Shmidin në çështje të tjera të atij rajoni. Gjatë bashkëpunimit si asistente ligjore, Doroti dhe Hejdëni u bënë miq. U martuan në vitin 1949.

Në selinë botërore të Dëshmitarëve

Doroti dhe Hejdën Kavintëni

Doroti u transferua në Nju-Jork për të mbështetur Hejdënin, i cili kishte shumë punë në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork, dhe vazhdoi t’i kushtohej predikimit gjatë kohës që Hejdëni merrej me beteja të shumta ligjore. I njohur gjerësisht si një nga avokatët më të mirë të të drejtave kushtetuese në atë kohë, Kavintëni punoi pa u lodhur për qindra çështje që kishin të bënin me liritë civile të Dëshmitarëve të Jehovait. Ai doli mbi 40 herë para Gjykatës së Lartë dhe më tepër se 100 herë para gjykatave federale të apelit.

Doroti e shoqëronte Hejdënin në Gjykatën e Lartë kur mbronte çështjet e Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë Shtetet e Bashkuara. Ajo tha: «Hejdëni mbronte liritë që ndonjëherë ne i marrim për të mirëqena. Mendoj se është e mrekullueshme që ai kaloi jetën duke ndihmuar ata që kishin nevojë​—jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në shumë vende të tjera.»

Familja dhe predikimi

Në vitin 1959, Doroti dhe Hejdëni u bënë me vajzë, së cilës ia vunë emrin Lina, dhe tre vjet më vonë u lindi një djalë, Lejni. Më vonë, familja u transferua në Nju-Jork dhe u rikthyen në Ohajo në vitin 1972. Ndërsa fëmijët rriteshin, Doroti i mësonte për Biblën dhe e përqendroi jetën në predikim.

Hejdëni u nda nga jeta më 21 nëntor 1978. Doroti iu kthye profesionit të saj si radhitëse shtypshkronje, dhe punoi për gazeta të ndryshme, përfshirë The Cincinnati Enquirer. Puna me një makineri linotipi ishte e rëndë, madje konsiderohej «punë burrash», sepse përfshinte vendosjen e shufrave të plumbit për të derdhur metalin në një rresht të plotë me shkronja. Kur doli në pension në vitin 1988, Doroti filloi sërish si vullnetare në kohë të plotë duke mësuar të tjerët për Biblën. Ajo shquhej për zellin e zjarrtë, njohurinë e thellë biblike dhe aftësinë që kishte për t’iu përgjigjur pyetjeve duke e drejtuar vëmendjen te një varg biblik i përshtatshëm.

Ajo la pas vajzën, Lina Elfers; dhëndrin e saj, Geri Elfers; dy nipër dhe motrën e saj më të vogël, Ruth Sennett Naids. I biri i kishte vdekur më përpara.