15 NËNTOR 2018
SHTETET E BASHKUARA
Zjarret shkrumbojnë Kaliforninë
Përditësim: Zyra e degës në Shtetet e Bashkuara ka konfirmuar se, mjerisht, edhe një vëlla 70-vjeçar nga qyteti i Perëdajsit në Kaliforninë Veriore, ka humbur jetën si pasojë e zjarrit Kemp (Camp).
Tri zjarre masive në Kaliforni, Shtetet e Bashkuara, kanë shkaktuar dëme kolosale dhe të paktën 48 të vdekur. Më i fuqishmi prej tyre, i njohur si zjarri Kemp (Camp), vazhdon të përhapet në Kaliforninë Veriore. Deri tani ka djegur 47.000 hektarë tokë dhe rreth 7.100 ndërtesa, shumë prej të cilave ishin banesa. Ndërsa në Kaliforninë Jugore, zjarret Hill dhe Uollsi (Woolsey), kanë djegur gjithsej 38.000 hektarë tokë dhe kanë rrënuar 435 ndërtesa. Një media ka raportuar se sipërfaqja e përgjithshme e djegur gjatë këtij viti nga zjarret në Kaliforni «tejkalon sipërfaqen e Belgjikës dhe të Luksemburgut».
Sipas raporteve të para të degës së Shteteve të Bashkuara, zjarri Kemp ka detyruar 427 lajmëtarë të evakuohen nga qytetet Çiko dhe Perëdajs. Mjerisht, zjarri ka vrarë një motër të moshuar nga Kongregacioni i Ponderosës. Gjithashtu, është konfirmuar se deri tani janë shkatërruar ose kanë pësuar dëme të mëdha të paktën 94 shtëpi të vëllezërve tanë, si edhe 1 Sallë Mbretërie në Perëdajs.
Ndërsa për shkak të zjarreve Hill dhe Uollsi janë evakuar rreth 420 lajmëtarë nga qytetet e Oksnardit, Simi-Vallit dhe Thausënd-Oksit. Mjerisht, në Malibu, një vëlla dhe nëna e tij jo Dëshmitare kanë humbur jetën ndërsa përpiqeshin t’u shpëtonin flakëve. Raportet fillestare tregojnë se janë dëmtuar 21 shtëpi të vëllezërve, si dhe 1 Sallë Mbretërie.
Zyra e degës ka ngritur 2 Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash për të ndihmuar vëllezërit tanë. Nën drejtimin e mbikëqyrësve qarkorë, pleqtë vendës po u japin lajmëtarëve të prekur inkurajim dhe ndihmë praktike. Të shtunën, më 10 nëntor, më shumë se 270 vëllezër e motra ndoqën një program special në Çiko. Një anëtar i komitetit të degës në Shtetet e Bashkuara dhe mbikëqyrësit qarkorë vendës mbajtën fjalime inkurajuese nga Shkrimet.
Lutemi që vëllezërit dhe motrat të cilët po përballen me këto vështirësi, të ngushëllohen e të forcohen nga Jehovai, duke mos harruar se, shumë shpejt, ai do të do të fshijë lotët nga sytë tanë e do ta përpijë vdekjen përgjithmonë.—Isaia 25:8.