Kalo te përmbajtja

2 QERSHOR 2023
SLLOVAKI

Prezantohet libri i Mateut në gjuhën rome të Sllovakisë Lindore

Prezantohet libri i Mateut në gjuhën rome të Sllovakisë Lindore

Më 27 maj 2023, vëllai Jaroslav Sekela, anëtar i Komitetit të Degës i Çekisë dhe i Sllovakisë, prezantoi botimin Bibla—Libri i Mateut në gjuhën rome të Sllovakisë Lindore. Libri u prezantua gjatë një mbledhjeje speciale që u mbajt në Mihalovce, në Sllovakinë Lindore. Të gjithë të pranishmit në këtë event special morën një kopje fizike të librit. Gjithashtu, Bibla u vu në dispozicion edhe në format elektronik.

Zyra Rajonale e Përkthimit për gjuhën rome të Sllovakisë Lindore gjendet në Koshice, Sllovaki

Gjuha rome lidhet me gjuhë, si bengale, hindi dhe punjabe. Një numër i madh i fjalëve të gjuhës rome janë huazuar nga gjuhët vendëse të rajoneve ku jeton popullsia rome. Ja pse dialekti që flitet në lindje të Sllovakisë ka fjalor goxha të larmishëm dhe skuadra e përkthimit e mori në konsideratë këtë gjatë projektit.

Në gjuhën rome të Sllovakisë Lindore ka edhe një përkthim tjetër të Biblës, por ai e zëvendëson emrin e Zotit, Jehova, me fraza, si o Raj dhe o Del, që përkthehen «Zotëri» dhe «Zot». Për më tepër, një sërë vargjesh janë të parafrazuara, ndaj lexuesi e ka të vështirë të kapë kuptimin e mendimeve origjinale. Ky përkthim i sapoprezantuar i librit të Mateut përmban emrin Jehova dhe përdor një gjuhë të qartë.

Një nga përkthyesit që punoi në këtë projekt u shpreh: «Kur vjen puna te përkthimi i Biblës, është tejet e rëndësishme të përcillet saktë mesazhi i Perëndisë që njerëzit ta njohin Atë dhe ta duan.»

Një përkthyes tjetër tha: «Shpesh njerëzit i diskriminojnë romët, prandaj shkrimi te Mateu 10:31 është mjaft ngushëllues. Ky varg na kujton se Jehovai vë re edhe harabelat, që kishin fare pak vlerë për njerëzit në kohën kur u shkrua Bibla. Ne vlejmë ku e ku më tepër se shumë harabela për Jehovain.»

Jemi të bindur se ky përkthim do t’i ndihmojë lexuesit të mësojnë e të kuptojnë se Jehovai i do dhe merakoset për ta.—1 Pjetrit 5:7.