20 DHJETOR 2021
SLLOVENI
Prezantohet botimi i rishikuar i Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re në sllovenisht
Më 18 dhjetor 2021 u prezantua botimi i rishikuar i Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën sllovene. Vëllai Gerrit Lësh, anëtar i Trupit Udhëheqës, e prezantoi këtë Bibël gjatë një programi të regjistruar paraprakisht që u transmetua streaming për një auditor me rreth 2.000 veta. Bibla u prezantua në format dixhital, kurse kopjet e shtypura do të jenë në dispozicion në vitin 2022.
Përkthimi i Biblës në gjuhën sllovene daton që nga viti 1584. Atë vit doli Bibla e Dalmatinit, Bibla e parë e plotë në sllovenisht. Sot, me sa dihet, ekzistojnë vetëm 80 kopje të Biblës së Dalmatinit, ndër to përfshihet edhe një kopje në muzeun e Biblës në Selinë Botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Uoruik, Nju-Jork, SHBA.
Në vitin 1925, vëlla Franc Brandi, një Student Ndërkombëtar i Biblës, nisi të predikonte në vendin e punës, një berberhane në Maribor, Slloveni. Po atë vit, një grup i vogël filloi të mblidhej rregullisht për të shqyrtuar Shkrimet. Në vitin 1930, Studentët e Biblës në Slloveni hapën një zyrë për të mbështetur veprën e arsimimit nga Bibla në vend. Në vitin 2009 ndodhi një ngjarje historike që shënoi arritje në fushën e përkthimit atje: vëlla Samuel Hërdi nga Trupi Udhëheqës prezantoi Përkthimin Bota e Re gjatë një kongresi krahinor që mbahej në Lubjanë, Slloveni.
Gjatë Luftës II Botërore dhe në vitet që pasuan, Dëshmitarët e Jehovait në Slloveni u përndoqën egërsisht, në fillim nga nazistët e më pas nga autoritetet vendëse. Gjatë asaj kohe, disa vëllezër i burgosën e disa të tjerë i ekzekutuan. Në vitin 1953, situata ndryshoi për mirë kur autoritetet i njohën zyrtarisht Dëshmitarët e Jehovait dhe të drejtën e tyre për të adhuruar Perëndinë. Sot, në Slloveni ka 1.757 lajmëtarë.
Jemi të bindur se vëllezërit e motrat në Slloveni janë dakord me nxitjen e vëllait Lësh gjatë programit të prezantimit të Biblës kur tha: «Mësoni ta përdorni me efektshmëri këtë Bibël të re dhe të lejoni fuqinë e saj të veprojë! . . . [Ky botim i rishikuar i] Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën sllovene do t’ju ndihmojë t’i përmbaheni fort ‘fjalës së besueshme’.»—Titit 1:9.