Kalo te përmbajtja

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, Francë

11 TETOR 2024
SPANJË

Dhoma e Madhe e Gjykatës Evropiane mbron të drejtën e pacientëve Dëshmitarë të Jehovait për të zgjedhur kujdesin mjekësor

Gjykata vendos unanimisht për çështjen Pindo-Muja kundër Spanjës

Dhoma e Madhe e Gjykatës Evropiane mbron të drejtën e pacientëve Dëshmitarë të Jehovait për të zgjedhur kujdesin mjekësor

Më 17 shtator 2024, Dhoma e Madhe e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut vendosi unanimisht se e drejta e pacientit për të zgjedhur trajtimin mjekësor në harmoni me bindjet e tij ose të saj, duhet respektuar. Ky vendim historik detyron jo vetëm Spanjën, por edhe 46 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, të respektojnë të drejtën e pacientit për të zgjedhur trajtimin mjekësor që dëshiron.

Roza Pindo-Muja dhe bashkëshorti i saj, Armando

Në qershor të vitit 2018, motra 47-vjeçare Roza Pindo-Muja u shtrua në një spital në Madrid, Spanjë, për një ndërhyrje të thjeshtë. Para të fillonte trajtimin, Roza u dha mjekëve të saj një deklaratë mjekësore dhe u shpjegoi se, për shkak të bindjeve dhe ndërgjegjes së saj të stërvitur nga Bibla, nuk pranonte transfuzion gjaku. (Veprat 15:28, 29) Personeli i spitalit i regjistroi udhëzimet e Rozës në kartelën e saj mjekësore. Mirëpo, në padijeni të Rozës, një gjykatës autorizoi mjekët e saj të kryenin kirurgji invazive dhe t’i bënin transfuzion gjaku. Pas operacionit, Roza u shokua kur mori vesh se personeli i spitalit kishte shpërfillur kërkesën e saj dhe i kishte bërë transfuzion gjaku, diçka që ajo e kishte refuzuar qartazi.

Kur shpallën vendimin për çështjen Pindo-Muja kundër Spanjës, të 17 gjyqtarët e Dhomës së Madhe ranë dakord se «pacienti i rritur dhe i aftë ka të drejtën të refuzojë» një kujdes mjekësor që nuk e dëshiron dhe konfirmuan se «është një ndër parimet më të rëndësishme në fushën e kujdesit mjekësor që të respektohet e drejta e pacientit për të miratuar ose refuzuar një trajtim».

Si një vëllazëri e bashkuar mbarëbotërore, jemi të lumtur që gjykata mbrojti të drejtën e motrës Pindo-Muja dhe të miliona të tjerëve, për të zgjedhur një trajtim mjekësor në përputhje me bindjet dhe vlerat e tyre.