5 DHJETOR 2023
SPANJË
Ekspozita speciale në Spanjë «Të burgosur për shkak të ndërgjegjes», tregon historinë e Dëshmitarëve të Jehovait
Nga data 14 tetor deri më 16 dhjetor 2023, është hapur një ekspozitë e re me titull «Të burgosur për shkak të ndërgjegjes» në ish-burgun «La Modelo», që tani është një muze dhe qendër kulturore në Barcelonë, Spanjë. Ekspozita përmban 4 pjesë dhe ka si qëllim të informojë publikun, përfshirë autoritetet dhe akademikët, për besimin e jashtëzakonshëm të të rinjve Dëshmitarë të Jehovait që refuzuan të bënin kompromis me asnjanësinë e krishterë.
Ekspozita tregon historinë e vëllezërve tanë në Spanjë që, duke filluar nga vitet 30-të, u burgosën ngaqë vendosën të mos merrnin pjesë në shërbimin ushtarak të detyrueshëm. Gjatë viteve 60-të dhe 70-të, numri i vëllezërve të burgosur arriti thuajse në 1.000 veta. Ndër ta, mbi 40 ishin të burgosur në «La Modelo».
Ekspozita shpjegon pse Dëshmitarët vendosnin të refuzonin shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes dhe si ishte jeta në burg për këta të rinj. Guximi që treguan këta vëllezër besnikë për dekada të tëra pati rezultate. Pasi, më 1984, qeveria e Spanjës njohu zyrtarisht të drejtën për të refuzuar ushtrinë për shkak të ndërgjegjes.
Profesori i historisë Migel-Anhel Plaza ishte ftuar për të folur në ceremoninë hapëse të ekspozitës. Ai kishte biseduar me disa Dëshmitarë të Jehovait që kishin qenë të burgosur në «La Modelo». Duke folur për përvojën e tyre, ai tha: «Nga asnjë prej tyre s’dëgjova ndonjë kritikë a fjalë negative për rojat e burgut ose për ato që kishin kaluar në «La Modelo». Të gjithë e kujtonin eksperiencën e tyre me një buzëqeshje në fytyrë.» Ndër të pranishmit në ceremoni ishte vëlla Fernando Trepati, një nga vëllezërit e burgosur në «La Modelo». Ai tregoi: «Tani, më shumë se 50 vjet më vonë, jam akoma i bindur se parimet e Biblës më ndihmuan të merrja vendimin e duhur. Edhe sot do të merrja të njëjtin vendim.»
Vëlla David Baidezi, i cili organizoi evenimentin, komentoi: «Ndonëse ekspozita flet për një ngjarje të së shkuarës, ajo vlen edhe për kohën tonë. Aktualisht, rreth 200 Dëshmitarë të Jehovait në vende të ndryshme janë në burg për shkak të bindjeve të tyre të bazuara në Bibël.»
E çmojmë shumë besnikërinë dhe qendrueshmërinë që treguan këta vëllezër në Spanjë për dekada të tëra dhe do të vazhdojmë të lutemi për ata që janë të burgosur për shkak të besimit!—Hebrenjve 13:3.