3 GUSHT 2023
SUDAN
Botimet nga Bibla dhe mbledhjet u japin zemër vëllezërve në Sudan
Më 12 maj 2023, te pjesa «Lajme» e sitit jw.org, u raportua se në Hartum, kryeqyteti i Sudanit, luftimet e ashpra midis 2 grupeve të armatosura shkaktuan mijëra të vrarë e të plagosur. Disa vëllezër e motra që jetonin në Hartum ose në afërsi të tij vendosën të iknin. Teksa largoheshin, morën zemër nga botimet e bazuara në Bibël dhe nga mbledhjet.
Për shembull, Ajuja, një pioniere 23 vjeçe nga Hartumi, disa ditë pasi nisën luftimet, ndoqi virtualisht një mbledhje ku trajtohej artikulli i Kullës së Rojës: «Ruani gjykimin! Jini syçelë!» Ajo thotë: «Ky artikull më kujtoi se gjërat që po ndodhnin, ishin përmbushje e profecive të Biblës. Ishte fiks inkurajimi për të cilin kisha nevojë.» Meqë situata u përkeqësua, Ajuja vendosi të largohej nga qyteti. Ajo komenton: «Gjatë udhëtimit, dëgjova këngët nga broadcasting dhe regjistrime audio, e kështu mora edhe më shumë forcë. I lutesha Jehovait që të arrija shëndoshë e mirë.» Udhëtimi i Ajujës vajti shumë mirë, dhe vëllezërit e motrat në Kasalë e mirëpritën me ngrohtësi.
Eliu, një plak dhe pionier 24 vjeç nga El-Hazh-Jusifi, që ndodhet pranë zonës së dhunës në Hartum, iku 330 kilometra larg, në qytetin e Kustit. Këtu e mirëpritën vëllezërit e motrat që i siguruan ushqim dhe një vend ku të rrinte. Kur e mendon tani, Eliu kupton se shkrimi i ditës që lexonte gjatë javës së evakuimit, e inkurajonte. Për shembull, Psalmi 91:2 i kujtoi Eliut sa e rëndësishme është ta bëjmë Jehovain strehën dhe kalanë tonë. Ai thotë: «Paqe të vërtetë në këtë botë të trazuar, nuk ka. As qeveritë, as liderët ushtarakë nuk mund t’u japin zgjidhje halleve tona. Shpresa jonë e vërtetë është Mbretëria e Perëndisë. Ajo do t’u japë zgjidhje halleve tona.»
Tiai dhe gruaja e tij, Julia, që shërbejnë si pionierë, jetonin në Emdurmen, edhe ky pranë Hartumit. Teksa trazirat përshkallëzoheshin, kujtuan një artikull të kohëve të fundit në Kullën e Rojës, i cili inkurajonte të veprohej menjëherë pasi merrej një vendim. Meqë situata në qytet po bëhej gjithnjë e më keq, Tiai dhe Julia vendosën të iknin menjëherë nga qyteti. Ata ishin mirënjohës për informacionet e botuara në Kullën e Rojës kur mbërritën shëndoshë e mirë në destinacionin e ri dhe kur motrat e vëllezërit e atjeshëm i pritën me përzemërsi. Julia tregon: «Jemi krenarë që i përkasim një organizate kaq të dashur. Dora e Jehovait nuk është aq e shkurtër sa të mos na shpëtojë dot.»
Gjithë vëllezërit e motrat e përmendur në këtë artikull, i rifilluan menjëherë aktivitetet teokratike në vendin e ri ku shkuan: pjesëmarrjen në mbledhje, vajtjen në shërbim, madje filluan edhe studime të Biblës. Këto aktivitete dhe miqësimi me motrat e vëllezërit në kongregacionet e reja, u dhanë stabilitet dhe gëzim.
Sa inkurajohemi kur shohim që motrat e vëllezërit në Sudan, i kthejnë sytë nga Jehovai dhe nga Shkrimet për të marrë ngushëllim dhe shpresë!—Romakëve 15:4, 5.