2 JANAR 2024
SUDAN
Vëllezër e motra në Sudan detyrohen të largohen prapë nga konfliktet e dhunshme
Më 15 dhjetor 2023, konflikti i vazhdueshëm mes dy grupeve të armatosura në Hartum, kryeqyteti i Sudanit, u përhap edhe në Uad-Madani, qyteti i dytë më i madh në vend. Siç është raportuar më parë në jw.org, në prill 2023, kur konflikti filloi në Hartum, mjaft vëllezër e motra u shpërngulën drejt një vendi më të sigurt, në Uad-Madani, që ndodhet përafërsisht 170 kilometra në juglindje të kryeqytetit. Tani, mbi 150 prej tyre janë detyruar të largohen prapë për shkak të konflikteve të dhunshme.
Situata e vëllezërve dhe e motrave
Asnjë vëlla ose motër nuk ka humbur jetën dhe as është plagosur
Të paktën 158 vëllezër e motra janë shpërngulur. Disa kanë mbërritur shëndoshë e mirë në qytetet a shtetet fqinje
10 vëllezër e motra dhe disa familjarë që nuk janë Dëshmitarë, ndodhen akoma në Uad-Madani
Ndihma në rast katastrofash
Mbikëqyrësit qarkorë dhe pleqtë vendës po u japin zemër nga Shkrimet të prekurve nga kjo katastrofë
Në Sudan dhe në vendet fqinje janë ngritur Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash për të koordinuar punën dhe për të siguruar ndihmë praktike, për shembull: ushqim, ilaçe dhe strehim
Është interesante se vetëm një javë para se të shpërthente konflikti në Uad-Madani, dega e Afrikës Lindore mori masa që të shpërngulurit të shihnin programin e regjistruar të Kongresit Rajonal 2023 «Prisni me durim!» në gjuhën arabe. Mes thuajse 200 vetave që ishin të pranishëm, 145 prej tyre ishin të shpërngulur nga Hartumi për shkak të dhunës. Shumë vëllezër e motra që ndoqën kongresin shprehën çmueshmëri për ushqimin besimforcues që morën në kohën e duhur. Në veçanti, auditori mori shumë zemër nga drama Besoja udhën tënde Jehovait, që tregon një situatë të ngjashme me situatën e tyre. Gjithashtu, 7 veta u pagëzuan gjatë kongresit.
Lutemi për vëllezërit e motrat në Sudan që të vazhdojnë të tregojnë qëndrueshmëri mes këtyre sprovave dhe mezi presim kohën kur Jehovai ‘t’i shuajë luftërat anembanë tokës’.—Psalmi 46:9.