Kalo te përmbajtja

Ndërtesat ku Gjykata e Lartë Administrative e Suedisë zhvilloi disa seanca gjyqësore

18 DHJETOR 2019
SUEDI

Suedia vlerëson Dëshmitarët e Jehovait si një komunitet fetar që i kontribuon shoqërisë

Suedia vlerëson Dëshmitarët e Jehovait si një komunitet fetar që i kontribuon shoqërisë

Duke filluar nga 1 janari i vitit 2000, në bazë të Ligjit për Mbështetjen e Organizatave Fetare, qeveria suedeze u ka ofruar feve ndihmë financiare. Këto fonde shtetërore i jepen vetëm atij grupi fetar që «i kontribuon ruajtjes dhe forcimit të vlerave themelore ku bazohet shoqëria», që «është i qëndrueshëm dhe ka rol aktiv në komunitet».

Edhe pse Suedia ka miratuar mbështetje financiare nga shteti për shumicën e feve, që nga 2007-a ka refuzuar vazhdimisht të japë fonde për Dëshmitarët e Jehovait, duke kritikuar bindjet tona fetare për asnjanësinë politike.

Meqë nuk kishin rrugëzgjidhje tjetër, vëllezërit e hodhën tri herë në gjyq qeverinë e Suedisë. Në secilin rast, Gjykata e Lartë Administrative shpalli se vendimi i qeverisë për t’i mohuar mbështetje financiare organizatës sonë nuk ishte i ligjshëm dhe duhej ndryshuar.

Në fund, më 24 tetor 2019 qeveria suedeze e tërhoqi vendimin dhe u shpreh se Dëshmitarët e Jehovait «i plotësojnë të gjitha kërkesat ligjore» për mbështetje financiare nga shteti.

E njëjta çështje u ngrit kohët e fundit edhe në Norvegji. Qeveria kishte siguruar rregullisht mbështetje financiare për të gjitha fetë, ndër to edhe për Dëshmitarët e Jehovait. Mirëpo, muajt e fundit qeveria mori urdhrin të shqyrtonte edhe një herë nëse Dëshmitarët e Jehovait kualifikohen për mbështetje financiare nga shteti. Kjo ndodhi për shkak të asnjanësisë sonë politike. Si pasojë, vëllezërit u dhanë autoriteteve informacione të sakta lidhur me pikëpamjen tonë për asnjanësinë politike. Veç kësaj, paraqitën vendimet që Gjykata e Lartë Administrative e Suedisë kishte marrë në favorin tonë, si edhe vendime të tjera pozitive për çështje të ngjashme nga gjykatat dhe organet administrative në Gjermani dhe Itali.

Jemi të lumtur që më 18 nëntor 2019, autoritetet në Norvegji vendosën se Dëshmitarët e Jehovait duhet të vazhdojnë të marrin mbështetje financiare nga shteti dhe pohuan: «Votimi në zgjedhje është një e drejtë themelore e shtetasve norvegjezë, por jo detyrim. Me sa duket, mospërdorimi i kësaj të drejte është pjesë e bindjeve të Dëshmitarëve të Jehovait, . . . [por qeveria] nuk mund ta konsiderojë këtë . . . si një arsye themelfortë për të mos dhënë mbështetje financiare.»

Vëllai Dag-Erik Kristofersen nga dega e Skandinavisë, tha për këto vendime: «Jemi të lumtur që na vlerësojnë si organizatë me ndikim të mirë në komunitet. Shpresojmë që këtë vendim ta marrin parasysh edhe shtete të tjera që ofrojnë masa të ngjashme.» Mbi të gjitha, falënderojmë Jehovain, Ligjdhënësin më të Madh.—Isaia 33:22.