20 MAJ 2024
TAJLANDË
Panairi Ndërkombëtar i Librit në Bangkok: Dëshmitarët tregojnë rolin e Biblës në lidhje me shëndetin mendor
Nga data 28 mars deri më 8 prill 2024, në Bangkok, Tajlandë, u zhvillua për të 22-n herë Panairi Ndërkombëtar i Librit. U mbajt te Qendra e Kongreseve «Queen Sirikit» dhe gati 2 milionë veta e vizituan. Vëllezërit ngritën një kënd ku tregohej si këshillat e Biblës mund të përmirësojnë shëndetin mendor dhe të pakësojë stresin. Vëllezërit e motrat që ndihmuan te këndi patën goxha biseda, dhe 34 veta kërkuan një studim të Biblës.
Gjatë një bisede, një burrë përmendi se vajza e tij vuan nga depresioni i rëndë. Vëllezërit treguan disa mendime nga Shkrimet që përmenden te Kulla e Rojës nr. 1 2023, «Shëndeti mendor—Ku të gjesh ndihmë?» Vëllezërit e ndihmuan të gjente informacione të tjera në jw.org për lumturinë familjare. Ishte thellësisht mirënjohës për sugjerimet praktike nga Bibla dhe tha se do t’ia tregonte menjëherë vajzës.
Një zyrtar i lartë vizitoi këndin dhe bisedoi gjatë me një nga vëllezërit tanë. Pasi pa disa video nga jw.org, kishte pyetje të ndryshme në lidhje me Dëshmitarët e Jehovait dhe me veprën tonë të arsimimit nga Bibla. Më vonë vuri re një tabelë që ofronte kurs falas të Biblës. Zyrtari pyeti: «Si bëhet ky kurs i Biblës?» Vëllai ia shpjegoi duke përdorur broshurën Gëzoje jetën përgjithmonë. Vëllezërit lanë takim që të flisnin prapë me të.
Pasi një motër i tregoi sitin tonë një gruaje dhe i shpjegoi veprën tonë të predikimit, ajo e pyeti: «E çfarë aktivitetesh të tjera organizoni?» Motra i tregoi videon Çfarë ndodh në një Sallë Mbretërie? Gruaja e pa me shumë vëmendje e pastaj tha: «Atmosfera në mbledhjet tuaja duket kaq e ngrohtë dhe tërheqëse! Kam qejf të vij.» Javën pasuese, gruaja udhëtoi gati 2 orë për të ndjekur një mbledhje.
E çmojmë shumë faktin që vëllezërit e motrat në Bankok shfrytëzuan rastin për të ndihmuar të tjerë të provojnë ‘paqen e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim’.—Filipianëve 4:7.