Kalo te përmbajtja

31 DHJETOR 2021
TAJLANDË

Plot 75 vjet që Kulla e Rojës botohet në gjuhën tajlandeze

«Kini besim te Jehovai dhe punoni fort se do ta gjeni një përkthyes»

Plot 75 vjet që Kulla e Rojës botohet në gjuhën tajlandeze

Më 1 janar 2022 bëhen plot 75 vjet që kur doli numri i parë i revistës Kulla e Rojës në gjuhën tajlandeze.

Lajmi i mirë u predikua për herë të parë në Tajlandë në vitin 1931. Në fillimet e veprës së predikimit atje, vëllezërit shpërndanë mijëra botime në gjuhët kineze, angleze dhe japoneze. Në atë kohë, në tajlandisht ishte përkthyer vetëm broshura Mbrojtje.

Tre vëllezërit e huaj që shërbenin si pionierë, e kuptuan se për t’u prekur zemrën njerëzve, kishin nevojë për më shumë botime në gjuhën tajlandeze. Vëlla Uilli Unglaube i shkroi vëlla Radhërfordit dhe i kërkoi ndihmë. Vëlla Radhërfordi iu përgjigj: «Kini besim te Jehovai dhe punoni fort se do ta gjeni një përkthyes.»

Në dhjetor të vitit 1939, vëllezërit Kërt Gruber dhe Uilli Unglaube po predikonin në veri të Tajlandës. Një nga botimet në anglisht që kishin lënë vëllezërit, i bie në dorë Komçai Inthapanit, drejtoreshë e Shkollës Presbiteriane për Vajza në Çiengmai. Komçai, e cila dinte mirë anglisht dhe tajlandisht, kuptoi se kishte gjetur të vërtetën.

Komçai Inthapani

Pa kaluar shumë, ajo dha dorëheqjen nga puna në shkollë dhe nga kisha, pavarësisht se hasi kundërshtim dhe se shkolla i ofroi pagesë të majme nëse nuk do të largohej. Pastaj u pagëzua si Dëshmitare e Jehovait. Botimi i parë që iu caktua për ta përkthyer, ishte libri Shpëtimi. Më vonë Komçai u bë një nga pjesëtaret e para të familjes Bethel në Bangkok, ku shërbeu për vite të tëra si e vetmja përkthyese për gjuhën tajlandeze. Me kalimin e kohës, të vërtetën e përqafuan edhe disa tajlandeze të tjera, që më vonë u kualifikuan për ta ndihmuar në punën e përkthimit.

Kur shpërtheu Lufta II Botërore, puna e përkthimit u pezullua, por rifilloi menjëherë pas përfundimit të luftës. Kulla e Rojës e janarit 1947 u përkthye në tajlandisht dhe pastaj, me një shaptilograf në shtëpinë misionare, u shtypën 200 kopje. Deri në vitin 1952 përdorën këtë metodë për të shtypur revistën. Në atë kohë, tirazhi arriti në 500 kopje çdo muaj. Më vonë vëllezërit nisën të paguanin një shtypshkronjë për të shtypur revistat tona. Në shtator 1993, dega e Japonisë filloi të shtypte revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! në gjuhën tajlandeze që të shpërndaheshin në mbarë botën.

Pjesëtarë të skuadrës së përkthimit dhe të prodhimit për gjuhët tajlandeze dhe tajlandeze të shenjave

Sot, punën e përkthimit e mbështetin rreth 80 vëllezër e motra, që punojnë në zyrën e degës së Tajlandës dhe në dy zyra rajonale përkthimi. Përveçse në gjuhën tajlandeze, Kulla e Rojës përkthehet edhe në gjuhët aka, lahu, laosiane dhe tajlandeze të shenjave.

Mbi 5.000 lajmëtarët që shërbejnë në territorin e degës së Tajlandës falënderojnë Jehovain për Kullën e Rojës në gjuhën e tyre.—Proverbat 10:22.