Kalo te përmbajtja

31 JANAR 2017
TAJLANDË

Autoritetet tajlandeze përdorin botimet e Dëshmitarëve të Jehovait për zhvillimin e komunitetit

Autoritetet tajlandeze përdorin botimet e Dëshmitarëve të Jehovait për zhvillimin e komunitetit

BANGKOK—Autoritetet tajlandeze po përdorin literaturën e Dëshmitarëve të Jehovait si pjesë e iniciativës kombëtare për edukimin e nëpunësve për tema të tilla, si roli i prindit, parandalimi i dhunës në familje dhe përmirësimi i shëndetit mendor e fizik. Këtë muaj bëhen plot tre vjet që autoritetet tajlandeze i përdorin këto botime për të zgjidhur problemet shoqërore.

Kjo sipërmarrje e qeverisë po organizohet në nivel lokal në mbi 8.700 Qendra për Mësimin e Komuniteteve në mbarë vendin. Qeveria ka ngritur edhe 11 Qendra Mësimi për Zhvillimin e Komunitetit (QMZHK), që kanë për qëllim kryesisht stërvitjen e drejtuesve të komuniteteve. Chaiwat Saengsri, në qendër të fotografisë, drejtor i QMZHK-së në provincën e Nakon-Najokut, në verilindje të Bangkokut, shpjegon: «Më bën përshtypje qëllimi i veprës së Dëshmitarëve sepse është mjaft i qartë: të ndihmojë komunitetet dhe individët që të njohin Krijuesin. Edhe ne kemi të njëjtin qëllim, të ndihmojmë komunitetet tona të kenë norma më të larta e si rrjedhojë të kenë paqe e jetë më të mirë.» Ai shton: «Për shembull, artikulli i revistës Zgjohuni! me titull ‘Si t’i shmangësh fjalët lënduese?’, [trajton] një temë që Ministria e Zhvillimit Shoqëror dhe e Sigurisë së Njeriut po përpiqet t’ua mësojë drejtuesve të komuniteteve. Ky artikull ka qenë një ndihmë e madhe në këtë aspekt.» Më pas, z. Chaiwat i ftoi Dëshmitarët të sillnin botimet e tyre gjatë seminarit SMART Leader, ku u mblodhën 100 drejtues të komuniteteve dhe 20 instruktorë nga 28 provinca për t’u stërvitur për drejtimin dhe forcimin e komuniteteve. Dëshmitarët janë pranë z. Chaiwat në fotografinë sipër.

Anthony Petratyotin, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Tajlandë, shprehet: «Jemi të kënaqur që drejtuesit e komuniteteve po përfitojnë kaq shumë nga këshillat e Biblës në botimet tona. Do të vazhdojmë t’i vëmë botimet në dispozicion të autoriteteve, por edhe t’i përdorim në predikim, në veprën tonë kryesore.

Zëdhënësit për mediat:

Ndërkombëtar: Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit publik, +1-845-524-3000

Tajlandë: Anthony Petratyotin, +66-2-375-2200