Kalo te përmbajtja

24 SHKURT 2020
TAJLANDË

Fushata speciale në Tajlandë

Fushata speciale në Tajlandë

Nga 1 dhjetori i 2019-s deri më 31 janar të 2020-s, në Tajlandë u organizua një fushatë speciale predikimi. Në të morën pjesë motra e vëllezër nga kongregacione e grupe të gjuhës tajlandeze nga 11 shtete. Kjo fushatë do të ndihmonte 4.800 lajmëtarët që flasin tajlandisht t’u jepnin lajmin e mirë njerëzve që flasin këtë gjuhë në kryeqytetin e Bangkokut dhe në rrethinat e tij. Më shumë se 600 lajmëtarët që morën pjesë në këtë fushatë kaluan 34.625 orë në predikim, lanë 32.718 botime, shfaqën 6.637 video dhe nisën 310 studime.

Kjo është fushata e dytë e predikimit në Tajlandë këto dy vitet e fundit. Pas fushatës së parë, që zgjati nga dhjetori i vitit 2018 deri në janar të 2019-s, vëllai Plakorn Pestanie, anëtar i Komitetit të Degës në Tajlandë, tha: «Numri i studimeve që u filluan, ishte më shumë nga ç’pritej, po kështu edhe ndikimi te kongregacionet vendëse.» Kur pa suksesin e fushatës së parë, dega organizoi edhe të dytën.

Gjatë kësaj fushate të fundit disa lajmëtarë e shtynë udhëtimin e kthimit, sepse donin të ndihmonin më shumë njerëz të njihnin Jehovain. Një çift nga Koreja kishin planifikuar të qëndronin në Tajlandë një muaj. Por, kur gjetën shumë të interesuar, vendosën të qëndronin edhe dy javë të tjera. Një motër nga Koreja që kishte lënë punën për të marrë pjesë në fushatë, vendosi të transferohej në Tajlandë.

Përpjekjet e lajmëtarëve gjatë kësaj fushate dhanë fryt. Dy Dëshmitare, nënë e bijë, takuan një grua në vendin ku punonte dhe i lanë revistën Zgjohuni! nr. 2, 2019, me temë «6 mësime të domosdoshme për fëmijët». Kur motrat u kthyen, gruaja tërë gëzim i përshëndeti nga larg me revistën Zgjohuni! në dorë dhe tha: «Kjo revistë ishte fantastike! Më tregoni më shumë, ju lutem». Lajmëtaret u organizuan që të studionin me këtë grua një herë në javë gjatë pushimit të drekës. Gjithashtu e ndihmuan të shkarkonte aplikacionin JW Library. Tani ajo vazhdon studimin dy herë në javë dhe u tregon tërë qejf fëmijëve të saj video me skicime e video të tjera.

Një lajmëtar takoi një grua së cilës i bënte shumë përshtypje sa mirë visheshin Dëshmitarët dhe sa miqësorë ishin. Ajo i tregoi se kishte shkuar në kisha të ndryshme sepse donte miq, por më kot. Lajmëtari e ftoi në mbledhjen e asaj dite. Gruaja shkoi dhe u kënaq kur takoi vëllezër e motra nga shumë kultura e prejardhje. Filloi të studionte Biblën me broshurën Një lajm i mirë nga Perëndia dhe dëshiron të vazhdojë të ndjekë mbledhjet.

Një motër takoi një mesogrua në Bang-Na, një nga zonat e Bangkokut. Gruaja i tha se, ndonëse në të kaluarën shkonte në kishë, nuk kishte Bibël. Kështu motra e ndihmoi të shkarkonte aplikacionin JW Library dhe Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re. Kur lajmëtarja shkoi ta takonte sërish, gruaja i tha se kishte lexuar Biblën nga aplikacioni që kishte shkarkuar. Motrat i treguan gruas pyetjet në faqen e fundit të broshurës Lajm i mirë dhe ia lexuan një nga një. Ajo u tha se donte të dinte përgjigjet e të gjitha atyre pyetjeve. Filluan me të një studim, që tani e vazhdon një motër vendëse. Gruaja tha se kënaqet shumë me studimin, sepse, për herë të parë, ka mundësi të bëjë kërkime vetë e të mësojë për Perëndinë e për Biblën.

Gjatë shërbimit shtëpi më shtëpi, një motër takoi një burrë tajlandez me gruan e tij nga Laosi. Motra i pyeti se cila është gjëja më e rëndësishme në jetë. «Familja»,—u përgjigjën ata. Pastaj motra u tregoi informacionet për familjen nga broshura Një lajm i mirë nga Perëndia. Ata thanë se këshillat që dëgjuan ishin shumë praktike dhe pranuan të studionin Biblën. Pak më vonë ndoqën një mbledhje. Thanë se u kënaqën me atmosferën e dashur e miqësore dhe se duan të vazhdojnë të ndjekin mbledhjet.

Këto dhe shumë përvoja të tjera nga fushata e predikimit në Tajlandë, tregojnë se populli i Jehovait vazhdon të ketë «gjithnjë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë» në këto ditë të fundit.—1 Korintasve 15:58.