Kalo te përmbajtja

Vëlla Shamil Kakimovi para se ta burgosnin në shkurt 2019

4 MARS 2021
TAXHIKISTAN

Komisioni i Shteteve të Bashkuara për Lirinë Fetare Ndërkombëtare do t’i kërkojë Taxhikistanit të lirojë nga burgu vëlla Shamil Kakimovin

Komisioni i Shteteve të Bashkuara për Lirinë Fetare Ndërkombëtare do t’i kërkojë Taxhikistanit të lirojë nga burgu vëlla Shamil Kakimovin

Më 24 shkurt 2021, komisioneri i USCIRF-së a, Nuri Turkel, njoftoi se do të kërkonte lirimin e vëllait 70-vjeçar Shamil Kakimov, si pjesë e Projektit të USCIRF-së për të Burgosurit Fetarë për Arsye Ndërgjegjeje. Komisioneri Turkel shpjegoi: «Që nga viti 2019, ky i moshuar, që është edhe sëmurë, po vuan në një burg të vjetër e të mbipopulluar për shkak të një padrejtësie. Atë e kanë dënuar me shtatë vite e gjysmë burg. Ky dënim mund t’i shkaktojë vërtet vdekjen një burri që u burgos padrejtësisht, ngaqë praktikon paqësisht bindjet e tij fetare si Dëshmitar i Jehovait.»

Vëlla Kakimovi është i ve. Ai është ndër 24 Dëshmitarët në veri të Taxhikistanit, të cilët në janar e shkurt 2019 i morën në pyetje policët e Departamentit që Kontrollon Krimin e Organizuar (DKKO). DKKO-ja e arrestoi vëlla Kakimovin dhe e pyeti për mënyrën si janë organizuar Dëshmitarët e Jehovait dhe si u bë Dëshmitar i Jehovait.

Vëlla Kakimovi ndenji në paraburgim për 8 orë dhe nuk iu lejua të merrte kujdesin e nevojshëm mjekësor pas një operacioni që kishte bërë kohët e fundit. Ai vuan edhe nga tensioni i lartë. Më në fund policët e çuan në shtëpi, por i konfiskuan mjetet elektronike, Biblën, botimet me të cilat studiojmë Biblën dhe pasaportën. Pa pasaportë, ai nuk merr dot pensionin që të paguajë mjekimin pas operacionit.

Më 28 shkurt 2019, një gjykatës i Gjykatës së Qytetit të Huxhandit vendosi ta futnin në paraburgim vëlla Kakimovin. Periudhën e burgimit ia kanë zgjatur tri herë. Ai ka qenë në burg gjatë gjithë kohës së hetimit dhe të gjyqit.

Më 10 shtator 2019 e shpallën fajtor dhe e dënuan me shtatë vite e gjysmë burg. Megjithatë, më 4 korrik 2020, administrata e burgut e njoftoi vëlla Kakimovin se ligji i Taxhikistanit për amnistinë do të aplikohej edhe në rastin e tij. Pra, nga koha e burgimit do t’i hiqen 2 vjet, 3 muaj dhe 10 ditë. Pritet që të lirohet më 16 maj 2024.

Jemi të bindur se Jehovai do të vazhdojë t’i ndihmojë vëllezërit e motrat që të qëndrojnë me durim e me gëzim.—Psalmi 20:2.

a Komisioni i Shteteve të Bashkuara për Lirinë Fetare Ndërkombëtare