Kalo te përmbajtja

13 TETOR 2022
TAXHIKISTAN

Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut shpall të paligjshëm ndalimin e Dëshmitarëve të Jehovait në Taxhikistan

Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut shpall të paligjshëm ndalimin e Dëshmitarëve të Jehovait në Taxhikistan

Më 7 shtator 2022, Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (CCPR) mori një vendim të rëndësishëm kundër qeverisë së Taxhikistanit, ngaqë i ka trajtuar padrejtësisht Dëshmitarët e Jehovait. Në vendimin e 7 korrikut 2022, për çështjen Adjerkajev kundër Taxhikistanit, CCPR-ja vendosi në favor të Dëshmitarëve të Jehovait. Çështja lidhej me mospranimin e Taxhikistanit për t’u garantuar njohjen ligjore Dëshmitarëve të Jehovait, që solli si pasojë ndalimin e menjëhershëm të veprimtarive të tyre.

Dëshmitarët e Jehovait e kanë praktikuar besimin e tyre në Taxhikistan për më shumë se 50 vjet. Shoqata Fetare e Dëshmitarëve të Jehovait (RAJW) u regjistrua ligjërisht më 1994. Gjithsesi, më 11 tetor 2007, Ministria e Kulturës e anuloi regjistrimin dhe ndaloi adhurimin e tyre. Qeveria tha se vepra e predikimit e Dëshmitarëve të Jehovait, refuzimi i ushtrisë për shkak të ndërgjegjes dhe bindja se ata kanë të vërtetën, ishin akte ekstremiste. Dëshmitarët e Jehovait janë përpjekur sa e sa herë të regjistrohen sërish, por qeveria i ka hedhur poshtë kërkesat e tyre.

Në vendimin e saj të fundit, CCPR-ja arriti në përfundimin se ndalimi i Dëshmitarëve të Jehovait në Taxhikistan është i paligjshëm. Ajo tha se nuk ishte e vlefshme «asnjë nga arsyet» e paraqitura nga Taxhikistani për të justifikuar vendimin për ndalimin e RAJW-së dhe për të hedhur poshtë kërkesat për t’u regjistruar sërish.

CCPR-ja vuri re edhe se vendosmëria e qeverisë së Taxhikistanit për të mos e regjistruar sërish RAJW-në, çoi në «arrestime, burgosje, marrje në pyetje, kontrolle, rrahje dhe konfiskime të materialeve fetare, si edhe në dëbimin nga vendi [të një] Dëshmitari të Jehovait». CCPR-ja vendosi se, sipas Konventës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat Civile dhe Politike, Taxhikistani i ka keqtrajtuar Dëshmitarët e Jehovait dhe ka shkelur të drejtat e tyre.

Vëllai 71 vjeç, Shamil Kakimovi, është në burg që prej shkurtit 2019

CCPR-ja e udhëzoi Taxhikistanin të rishqyrtojë aplikimin e Dëshmitarëve të Jehovait për t’u regjistruar sërish dhe t’i dëmshpërblejë në pará ata që u janë shkelur të drejtat. Qeverisë së Taxhikistanit iu tha edhe se «është nën detyrimin të ndërmarrë gjithë hapat e nevojshëm për të parandaluar shkelje të ngjashme në të ardhmen».

Vendimi i CCPR-së mund të ndikojë edhe te çështja e vëllait 71-vjeçar Shamil Kakimov, i cili është në burg që nga shkurti i 2019-s, ngaqë praktikon paqësisht besimin e tij. E vetmja bazë ligjore e autoriteteve të Taxhikistanit për arrestimin dhe burgosjen e tij është ndalimi i Dëshmitarëve të Jehovait.

Shpresojmë që vendimi i CCPR-së t’i hapë rrugën lirisë së adhurimit për Dëshmitarët e Jehovait në Taxhikistan. I lutemi Jehovait që të bekojë përpjekjet e vazhdueshme ‘për të mbrojtur dhe për të themeluar ligjërisht lajmin e mirë’.—Filipianëve 1:7.