18 NËNTOR 2020
TAXHIKISTAN
Presidenti i Taxhikistanit i jep amnistinë vëlla Jovidon Bobodzhonovit dhe e liron nga burgu
«Jehovai më ndihmoi ta mbaja të fortë besimin.»—Këto janë fjalët e vëlla Jovidon Bobodzhonovit pasi u lirua nga burgu më 1 nëntor 2020. Një ditë përpara, presidenti i Taxhikistanit i dha amnistinë Jovidonit dhe 377 të burgosurve të tjerë. Jovidoni bëri nëntë muaj nga dënimi me dy vite burg. Ai ishte dënuar ngaqë nuk kishte pranuar të kryente ushtrinë për shkak të ndërgjegjes.
Më 4 tetor 2019, oficerë të ushtrisë e morën me forcë nga shtëpia Jovidonin dhe e mbajtën në një zyrë rekrutimi. Në atë kohë ishte vetëm 19 vjeç. Gjatë muajve në vijim e transferuan nga një njësi ushtarake në tjetrën. Në secilën Qendër Paraburgimi të Përkohshme (QPP) të ushtrisë, atij i duhej të shpjegonte pse nuk pranonte të bënte ushtrinë. Jovidoni tregon: «Shumë komandantë e ushtarë më bënin lloj-lloj pyetjesh të palogjikshme dhe të gjithë donin që të hiqja dorë nga besimi im. Synimi i tyre ishte të më acaronin keq, prandaj përpiqeshin të më provokonin me këto pyetje. Ndonjëherë më zgjonin në mes të natës dhe më bënin të njëjtat pyetje sa e sa herë. Donin t’u shpjegoja pse nuk pranoja të shkoja ushtar.
Megjithatë, lutjet më kanë ndihmuar shumë. Kur isha në njësinë ushtarake, lutesha çdo ditë e çdo natë me përgjërime e me lot. I kërkoja Jehovait të më ndihmonte të mos dorëzohesha, të mos e zhgënjeja dhe të mos ua ktheja flakë për flakë atyre që më provokonin.
Jehovai më qëndronte gjithnjë pranë. . . . Ndonjëherë ndihesha i dëshpëruar, sepse isha krejt i vetëm. Por, nëpërmjet krijimit të tij, Jehovai më përtërinte shpirtin e më jepte forcë. Çdo mëngjes zgjohesha me cicërimat dhe këngët e zogjve. Natën kundroja hënën dhe yjet. Këto dhurata nga Jehovai ma mbushnin zemrën me gëzim dhe me forcë.»
Më 2 prill 2020 Jovidonin e shpallën fajtor dhe e transferuan nga një QPP në burg. Atje nuk e lejonin të merrte letra. Gjithsesi, vëllezërit dhe motrat në atë zonë i çonin ushqim dhe i shkruanin shkrimin e ditës te çanta e ushqimeve. «Kjo më ndihmonte të mos ndihesha vetëm dhe të kuptoja sa miq fantastikë kam»,—thotë Jovidoni.
Jovidoni ishte i kënaqur edhe që arriti të kujtonte vargje inkurajuese nga Bibla, si për shembull, Romakëve 8:37-39. Ai shpjegon: «Në burg kuptova sa të vërteta janë këto fjalë. Asnjë nga sprovat nuk më largoi dot nga dashuria e Jehovait. Ai më ndihmoi të qëndroja i palëkundur.»
Kjo ngjarje nga jeta e Jovidonit u ka dhënë shumë zemër prindërve të tij. I ati, Abdujamoli, thotë: «Besimi ynë është bërë më i fortë falë lutjeve dhe shembullit të mirë të djalit tonë, i cili e kaloi me sukses këtë sprovë. Të gjithë vëllezërit e motrat anembanë botës na kanë mbështetur jashtë mase. I çmojmë shumë lutjet e tyre dhe i jemi tepër mirënjohës Jehovait që na ka dhënë miq kaq të dashur e të gjindshëm.»
Meqë jemi në ditët e fundit, të gjithë ne presim ‘sprova të zjarrta’. (1 Pjetrit 4:12) Prandaj, këto fjalë që tha vëlla Jovidoni në fund, janë shumë me vend: «Tani që jam i lirë, kam vendosur ta përdor lirinë për të thelluar njohurinë dhe për t’u përgatitur mirë për sprovat që më presin. Për ju që nuk keni kaluar ende një sprovë të rëndë, është e jetësore ta përdorni plotësisht lirinë që të thelloni njohurinë për Jehovain, duke lexuar Fjalën e tij dhe botimet tona.»