Kalo te përmbajtja

Vëlla Rustamjon Norovi (i dyti nga e majta) me të ëmën, Farizën; vëllanë e tij, Ravshanin; dhe me të atin, Batirin, gjatë vizitës në degën e Kirgizistanit në vitin 2016

27 TETOR 2020
TAXHIKISTAN

Taxhikistan: vëllai Rustamjon Norovi futet në paraburgim dhe qëndron i guximshëm ndonëse rrezikon të dënohet me 5 vite burg

Taxhikistan: vëllai Rustamjon Norovi futet në paraburgim dhe qëndron i guximshëm ndonëse rrezikon të dënohet me 5 vite burg

Data e vendimit

Së shpejti a një gjykatë ushtarake e Taxhikistanit do të marrë vendimin për çështjen e vëlla Rustamjon Norovit. Ai rrezikon të dënohet me 2 deri në 5 vite burg, ngaqë refuzon ushtrinë për shkak të ndërgjegjes. Rustamjonin po e mbajnë në arrest që nga 1 tetori 2020.

Të dhëna

Rustamjon Norovi

  • Lindur: 1998 (Dushanbe)

  • Biografia: Siguronte të ardhura për veten dhe për të ndihmuar familjen duke rinovuar apartamente dhe duke riparuar mobilie. I pëlqen shumë të luajë futboll

  • Është pagëzuar më 2016 në moshën 17-vjeçare. Dy vite më vonë, nga kongregacioni i gjuhës ruse ku shkon familja e tij u transferua në fushën e gjuhës taxhike për të ndihmuar njerëzit që flasin këtë gjuhë të njohin më shumë Biblën

Historiku i çështjes

Më 2016, vëlla Rustamjon Norovi u paraqit vetë në zyrën vendëse të rekrutimit ushtarak, u shpjegoi autoriteteve qëndrimin e tij asnjanës dhe u kërkoi të kryente shërbim civil alternativ. Kështu bëri edhe një vit më vonë. Zëvendëskomandanti i zyrës së rekrutimit krijoi respekt për vëlla Norovin dhe i la mbresa shpjegimi i këtij djali të ri. Për 3 vitet pasuese, vëlla Norovin nuk e thirrën për shërbim të detyruar ushtarak.

Por më 24 shtator 2020, vëlla Norovin e thirrën te zyra rajonale e rekrutimit. Oficerët atje e morën në pyetje për 3 orë dhe vendosën që Rustamjoni ishte në gjendje të mirë shëndetësore për të kryer shërbimin ushtarak. Pastaj u përpoqën ta çonin me forcë për të bërë kontrollin mjekësor. Babai i vëlla Norovit ishte i pranishëm kur ndodhi ky incident dhe u kërkoi oficerëve ta çonin këtë çështje në prokurori.

Vëlla Norovi dhe i ati u paraqitën në prokurori më 1 tetor. Prokurori caktoi një oficer policie që t’i shoqëronte për në zyrën rajonale të rekrutimit. Kur mbërritën atje, babanë e vëllait Norov nuk e lanë të hynte brenda. Vëlla Norovin e mbajtën për dy ditë. Ndaj tij nuk ishte ngritur zyrtarisht asnjë akuzë dhe as nuk i ishte bërë ndonjë gjyq për vepër penale. Ndërkohë që e mbanin në arrest, nuk e lejuan të konsultohej me avokatin e tij.

Më 3 tetor, vëlla Norovin e transferuan në një njësi ushtarake në qytetin e Huxhandit, rreth 300 kilometra larg familjes së tij në Dushanbe. Gjatë dy ditëve që pasuan, e transferuan nga njëra njësi ushtarake në tjetrën në Huxhand.

Më 6 tetor, vëlla Norovin e lejuan t’i telefononte familjes dhe ta vizitonte avokati i tij. Mirëpo, më 17 tetor një gjykatë ushtarake e Taxhikistanit e dërgoi në paraburgim. Ai do të qëndrojë atje ndërkohë që prokuroria kryen hetimet dhe derisa gjykata të marrë një vendim. Vëlla Norovin e akuzojnë për falsifikim të të dhënave mjekësore me synimin për të shmangur shërbimin ushtarak.

Edhe pse në paraburgim, vëlla Norovi nuk është demoralizuar dhe ka besim të plotë te Jehovai. I është mirënjohës Atij për faktin që i ka dhënë besimin dhe guximin e nevojshëm për të përballuar këtë sprovë. Ai është mirënjohës edhe për një sprovë të papritur që i ndodhi në vitin 2013. Atë vit, autoritetet vendëse morën me forcë nga shkolla Rustamjonin dhe vëllanë e tij të vogël, Ravshanin, dhe i çuan te zyra e rekrutimit ushtarak për një kontroll mjekësor. Në atë kohë Rustamjoni ishte vetëm 15 vjeç—pra shumë larg moshës që duhet për të hyrë në ushtri—dhe nuk ishte pagëzuar ende. Pas këtij incidenti, babai i djemve, Batiri, kalonte më shumë kohë gjatë adhurimit familjar për t’i përgatitur djemtë që të mbronin asnjanësinë e krishterë. Herë pas here, Batiri merrte rolin e një oficeri rekrutimi kurse djemtë praktikoheshin duke mbrojtur besimin e tyre.

Rustamjoni thotë: «Para se të fillonim të praktikoheshim gjatë adhurimit familjar, mendoja se isha gati për të mbrojtur besimin tim. Mirëpo, gjatë kohës që luaja rolin, u habita me veten sa i tensionuar dhe i frikësuar isha. Falë provave kuptova se duhej të lutesha e të studioja më shumë për besimin tim dhe për vendimin që të qëndroja asnjanës. Me kohë frika m’u fashit. Në pranverën e vitit 2016, ia kushtova jetën Jehovait dhe u pagëzova.»

Rustamjoni ka marrë zemër edhe nga shoqëria me vëllezër të pjekur dhe më të mëdhenj në moshë që kanë vuajtur dënime me burg për hir të besimit. Ai thotë: «Jam shumë i vetëdijshëm për pasojat që mund të sjellë qëndrimi im asnjanës. Nëse më futin në burg, do ta kem për nder të shenjtëroj emrin e Jehovait në një ‘territor të ri’.»

Babai i Rustamjonit thotë: «Të gjithë si familje i jemi mirënjohës Jehovait që na ka dhënë privilegjin e madh të bëjmë vullnetin e tij dhe të jemi mjete në duart e tij të dashura. Vëllezërve tanë u themi: ‘E ndiejmë shumë dashurinë tuaj dhe lutjet që bëni për ne. Falë mbështetjes suaj ndihemi të qetë dhe shumë pranë Jehovait.’ Nuk kemi frikë e ankth. Paqja e Perëndisë ka mbushur zemrat tona, tamam siç na premton Ai në Fjalën e tij!»—Filipianëve 4:6, 7.

a Data kur do të merret vendimi nuk njoftohet gjithmonë