Kalo te përmbajtja

Vëlla Rustamjon Norovi në Taxhikistan para se të lirohej nga burgu

12 TETOR 2021
TAXHIKISTAN

Vëlla Rustamjon Norovin e lavdërojnë për sjellje të shkëlqyer në burg

Vëlla Rustamjon Norovin e lavdërojnë për sjellje të shkëlqyer në burg

Siç ishte njoftuar më parë, vëlla Rustamjon Norovin, tani 22 vjeç, e liruan para kohe nga një burg në Taxhikistan, më 21 shtator 2021, falë një amnistie që hyri në fuqi në fillim të atij muaji. Ai kaloi 3 muaj në burg. Më 10 maj 2021 e transferuan në një burg në qytetin e Javanit, që të kryente dënimin me 3 vite e gjysmë burg. Gjatë arrestimit, gjyqit dhe burgosjes i la pa fjalë të tjerët me integritetin dhe me sjelljen e tij të shkëlqyer.

Gjatë një seance gjyqësore, një kolonel iu afrua Rustamjonit t’i jepte dorën. Koloneli tregoi sa shumë e kishte respektuar guximin dhe vendosmërinë e të riut. Më pas tha: «Çdo besimtar duhet të jetë si ti. Mendo për këtë: vite më vonë, kur në Taxhikistan të miratohet ligji për shërbimin alternativ, emri yt do të jetë mes atyre që bënë sakrifica për këtë të drejtë ligjore të nënshtetasve.»

Kur ishte në burg, Rustamjoni u dha një dëshmi të jashtëzakonshme të tjerëve. Falë sjelljes së tij shembullore, zyrtarët e burgut e ftuan të merrte pjesë në një kurs special të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian, i projektuar për të ndihmuar të burgosurit të gjejnë punë pasi të lirohen nga burgu. Pas trajnimit, administrata e burgut e nderoi Rustamjonin me një certifikatë si dhe me një letër mirënjohjeje që theksonte papërtueshmërinë e tij. Rustamjoni tregon se autoritetet thanë se sjellja e tij është e shkëlqyer ngaqë zbaton parimet e Biblës.

Para se të lirohej nga burgu, Rustamjoni nuk ishte i sigurt se amnistia do të vlente edhe për të. Megjithatë, të burgosurit e tjerë ishin të bindur se do të lirohej falë emrit të mirë që kishte bërë. Edhe zyrtarë të tjerë të burgut e lavdëruan jashtë mase.

Dëshmitarë të rinj besnikë si Rustamjoni, të burgosur për shkak të asnjanësisë dhe integritetit të palëkundur, e kanë lënë ‘dritën e tyre të ndriçojë para njerëzve’. Mbi të gjitha, ‘veprat e shkëlqyera’ i kanë sjellë nder e lavdi Perëndisë Jehova.—Mateu 5:16.