Kalo te përmbajtja

Vëlla Rasul Rozbajevi

23 MARS 2021
TURKMENISTAN

Vëlla Rasul Rozbajevi, 21 vjeç, shpallet fajtor për herë të dytë ngaqë refuzon ushtrinë për shkak të ndërgjegjes

Vëlla Rasul Rozbajevi, 21 vjeç, shpallet fajtor për herë të dytë ngaqë refuzon ushtrinë për shkak të ndërgjegjes

Vendimi

Më 16 mars 2021, një gjykatë turkmene njoftoi vendimin për çështjen e vëlla Rasul Rozbajevit. Atë e dënuan me dy vite burg ngaqë refuzon ushtrinë për shkak të ndërgjegjes. Kjo është hera e dytë që e shpallin fajtor ngaqë nuk pranon të futet në ushtri.

Të dhëna

Rasul Rozbajevi

  • Lindur: 1999 (Hallang)

  • Biografia: Ka dy motra më të mëdha dhe një vëlla më të vogël. Pasi mbaroi shkollën e mesme, bëri një kurs për berber. I pëlqen futbolli, volejbolli dhe noti

    Prindërit u bënë Dëshmitarë të Jehovait kur ai ishte fëmijë. Rasuli u pagëzua në vitin 2013

Historiku i çështjes

Vëlla Rasul Rozbajevin në fillim e shpallën fajtor më 19 dhjetor 2017, ngaqë nuk pranoi të bënte ushtrinë për shkak të ndërgjegjes dhe e dënuan me dy vite punë të detyruar. E caktuan të kujdesej për një pjesë toke, të mbillte grurë dhe t’i jepte qeverisë 20 për qind të prodhimit. Toka ishte shumë larg nga shtëpia e tij dhe i duhej ta bënte rrugën më këmbë, meqë nuk ka makinë.

Sipas ligjeve të Turkmenistanit, autoritetet mund ta shpallin fajtor për herë të dytë dikë ngaqë refuzon ushtrinë për shkak të ndërgjegjes. Kështu, më 22 prill 2020, ai u paraqit sërish pranë zyrës së rekrutimit dhe u tha se nuk pranonte të futej në ushtri. Për muaj me radhë pas kësaj është paraqitur vazhdimisht pranë zyrave të ushtrisë, e kanë marrë në pyetje, e kanë ekzaminuar mjekët dhe e kanë kërcënuar se do ta futnin në burg. Më 22 janar 2021, çështja e tij u paraqit pranë prokurorëve.

Rasuli ka marrë guxim nga shembujt e vëllezërve dhe të motrave që po përballen me të njëjtat sfida. Ai shprehet: «Shembulli i tyre më ndihmon të mbështetem te Jehovai . . . dhe më jep forcë gjatë sprovës. Nëse do të mbetem besnik, do t’u sjell gëzim Jehovait dhe Jezuit.» Kjo ishte një sprovë edhe për gjithë familjen e tij. E ëma shpjegon çfarë i ka dhënë forcë gjatë kësaj periudhe: «Nga shembujt e Biblës dhe nga videot tona e di se nuk jam vetëm unë që po kaloj këtë sprovë. Edhe vëllezër e motra të tjerë ia kanë dalë mbanë në situata të tilla. Shembujt e tyre më kanë dhënë forcë të qëndroj.»

Rasuli ka marrë shumë zemër sidomos nga fjalët e Psalmit 37:23, 24. E dimë se me mbështetjen e Jehovait, ai dhe vëllezër të tjerë të rinj të guximshëm do të ruajnë besimin, besnikërinë dhe gëzimin.