Kalo te përmbajtja

Vëlla Selim Taganovi

24 NËNTOR 2020
TURKMENISTAN

Vëlla Taganovi në Turkmenistan lirohet nga burgu pas një viti

Vëlla Taganovi në Turkmenistan lirohet nga burgu pas një viti

«Sa herë i lutesha Jehovait, më ndihmonte të isha i qetë»,—këto janë fjalët e vëlla Selim Taganovit pasi u lirua nga burgu më 3 tetor 2020. Selimi, që është vetëm 19 vjeç, bëri një vit burg ngaqë nuk pranoi të kryente shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes.

Selimi ka lindur në Ashgabat, kryeqyteti i Turkmenistanit. Që në moshë të vogël ka qenë nxënës i mirë dhe e donte muzikën. Ai shkruan këngë, këndon dhe i bie kitarës. Prindërit e tij, dy vëllezërit dhe miqtë e përshkruajnë Selimin si një djalë të mirë, të sjellshëm dhe të lumtur. Para se ta dënonin, avokati që i caktoi gjykata, tha për Selimin: «Është një djalë i mirë dhe i ndershëm që nuk pi duhan, nuk abuzon me alkoolin dhe sapo ka mbaruar shkollën e mesme. Dënimi me burg thjesht do t’i shkatërronte jetën.»

Sigurisht që jeta në burg ishte e vështirë. Megjithatë, Selimi shpjegon: «Gjatë kohës që kalova në burg, miqësia ime me Jehovain u bë më e fortë. Sillja ndër mend të vërtetat e Biblës që kisha mësuar në shtëpi dhe nisa t’i kuptoja më plotësisht. Veç kësaj, shkrime si Isaia 41:10, 11 më jepnin shumë zemër.

Kur ndodhesha në një Qendër Paraburgimi të Përkohshme duke pritur dënimin, e pata të vështirë sepse nuk kisha me kë të flisja dhe kujt t’i shprehja shqetësimet e mia. Gjithsesi i lutesha Jehovait për ndihmë. Pas kësaj, të burgosurit dhe rojat e burgut që në fillim më kundërshtonin dhe më kërcënonin, filluan të më mbështetnin e madje më jepnin zemër. E gjithë kjo më bindi se Jehovai ishte në krahun tim.»

Selimin e inkurajuan edhe motrat e vëllezërit në besim. Ai tregon: «Kur isha në burg, shumë më dërgonin përshëndetje dhe më shkruanin fjalë inkurajuese. Përpiqesha t’i mësoja përmendsh këto fjalë dhe pastaj i përsëritja. Më përtërinin dhe më ngushëllonin jashtë mase.»

Sipas ligjit në Turkmenistan, Selimin mund ta thërrasin sërish ushtar. Nëse kjo ndodh, ai e di se mund ta dënojnë me një periudhë më të gjatë në burg. Megjithatë, ai pohon: «Tani që kam kaluar këtë sprovë me Jehovain, nuk kam më frikë. Mbështetja e Tij më jep guxim e siguri.»

Të gjithë ne presim sprova në të ardhmen. Selimi na jep zemër me këto fjalë: «Të gjithë atyre që do të kalojnë sprova të ngjashme, u them të fiksojnë në mendje Isainë 30:15: ‘Fuqia juaj qëndron në qetësinë dhe në besimin tuaj.’»