Kalo te përmbajtja

4 KORRIK 2017
TURKMENISTAN

A do t’i zbatojë Turkmenistani vendimet e Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut?

A do t’i zbatojë Turkmenistani vendimet e Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut?

Në dhjetë nga vendimet e fundit, Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (Komiteti) i bëri thirrje qeverisë së Turkmenistanit të respektonte angazhimet e saj për të mbrojtur të drejtat e njeriut të shtetasve të vet. * Në vendimet e viteve 2015 dhe 2016, thuhej se qeveria nuk duhet t’i ndëshkojë më ata që refuzojnë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje dhe duhet të zbatojë Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike të OKB-së, ku bën pjesë Turkmenistani.

Dëshmitarët kërkojnë zgjidhje

Vendimet e Komitetit u bazuan në ankesat e paraqitura nga 10 Dëshmitarë në shtator 2012. Ata ishin ndëshkuar ngaqë nuk kishin pranuar të kryenin shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Nëntë prej tyre ishin burgosur në kushte shumë të vështira dhe kishin raportuar se ishin rrahur dhe trajtuar në mënyrë çnjerëzore. Kishin vuajtur nga temperaturat ekstreme në qelitë e pista dhe të tejmbushura, si edhe ishin ekspozuar ndaj sëmundjeve ngjitëse.

Në të gjitha vendimet, Komiteti nxori përfundimin se Turkmenistani kishte shkelur «lirinë e mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë» të atyre që s’kryenin ushtrinë për shkak të ndërgjegjes. Për sa u përket nëntë të rinjve të burgosur, Komiteti tha se Turkmenistani nuk «i kishte trajtuar njerëzisht dhe me respekt» dhe se «i kishte torturuar ose ndëshkuar a trajtuar mizorisht, në mënyrë çnjerëzore e poshtëruese».

Komiteti tha se për të ndrequr shkeljet, qeveria duhet t’u pastrojë dosjet penale Dëshmitarëve, t’i dëmshpërblejë siç duhet dhe të rishikojë legjislacionin që «të garantojë të drejtën e refuzimit në bazë të ndërgjegjes». Gjithashtu, i kërkoi qeverisë të hetonte me imtësi dhe paanshmëri rastet e keqtrajtimit dhe të ndiqte penalisht përgjegjësit.

Më 2013 pesë Dëshmitarë të tjerë i paraqitën Komitetit ankesa për ndëshkimet që kishin marrë ngaqë s’kishin pranuar të shkonin ushtarë për shkak të ndërgjegjes. Avokatët e tyre presin që vendimet të jenë si 10 vendimet e mëparshme.

Navruz Nasërlajevi keqtrajtohet ashpër

Navruz Nasërlajevi

Një prej vendimeve që Komiteti nxori më 15 korrik 2016, lidhej me Navruz Nasërlajevin. Në prill 2009, kur ishte 18 vjeç, e thirrën për herë të parë në ushtri. Ai u shpjegoi autoriteteve se ndërgjegjja nuk e lejonte të kryente shërbimin ushtarak, megjithatë ishte i gatshëm të kryente shërbim alternativ civil. Më vonë e shpallën dezertor dhe e dënuan me dy vite burg në burgun LB-E/12 në Sejdi. Atje e futën herë pas here në izolim dhe e rrahën keqas roja burgu me maska.

Në janar 2012, një muaj pas lirimit, z. Nasërlajev e thirrën sërish në ushtri. Ai përsëriti gatishmërinë që të bënte shërbim alternativ civil, e megjithatë u shpall fajtor dhe u dënua me të njëjtën akuzë për dy vite të tjera në «një burg të sigurisë së lartë» me kushte «të mjerueshme». Si më parë, rojat e burgut e rrahën keqas dhe e detyruan të bënte punë poshtëruese.

Edhe familja e z. Nasërlajev vuajti goxha. Pak pasi Komiteti i dërgoi ankesën e tij qeverisë turkmene që të vepronte, disa policë bastisën shtëpinë e tij në Dashoguz dhe keqtrajtuan rëndë familjen dhe mysafirët e tyre—nga sa duket si shpagim për ankesën.

Edhe pse z. Nasërlajev u lirua nga burgu në maj 2014, po vuan ende pasojat e burgimit. Komiteti vërejti se ai ishte keqtrajtuar egërsisht dhe ishte shpallur fajtor e dënuar dy herë për «të njëjtin qëndrim të vendosur që buron nga ndërgjegjja». Komiteti përfundoi me fjalët: «[Z.  Nasërlajev] nuk pranon të kryejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak për shkak të besimit fetar . . . , [dhe] për rrjedhojë të bindjeve të tij, ndaj dënimi i tij është shkelje e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë.»

A do t’i trajtojë më mirë Turkmenistani Dëshmitarët e Jehovait?

Më 2012, në një raport të mëparshëm për të drejtat e njeriut në Turkmenistan, Komiteti i bëri thirrje qeverisë «të mos i ndiqte më penalisht individët që refuzojnë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje dhe t’i lironte ata që po vuanin dënimin me burg». Qeveria e Turkmenistanit veproi në njëfarë mase duke liruar në shkurt 2015 Dëshmitarin e fundit të burgosur për shkak të ndërgjegjes. Që atëherë nuk është burgosur asnjë Dëshmitar që ka refuzuar ushtrinë për arsye ndërgjegjeje.

Gjithsesi, duke i ndjekur penalisht e duke ndëshkuar ata që nuk kryejnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes, qeveria e Turkmenistanit po vazhdon të shkelë angazhimet e saj ndërkombëtare për të mbrojtur të drejtat e njeriut.

  • Që nga fundi i 2014-s qeveria i ka dënuar me punë të detyruar Dëshmitarët e Jehovait që nuk kryejnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes. Për shkak të këtij dënimi duhet t’i paguajnë shtetit 20 për qind të pagës, për 1 deri në 2 vjet. Aktualisht, dy Dëshmitarë po bëjnë punë të detyruar.

  • Në raste të tjera, autoritetet ushtrojnë shumë presion ndaj atyre që refuzojnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes, që t’i detyrojnë të bëjnë kompromis me bindjet e tyre të sinqerta.

Artur Jangibajevi

Për shembull, më 16 qershor 2016, sherifi i zonës dhe dy përfaqësues të Komisariatit Ushtarak shkuan në shtëpinë e Artur Jangibajevit, një Dëshmitar që kishte paraqitur një kërkesë për shërbim alternativ civil. E çuan në zyrën e prokurorit dhe i bënë kaq shumë presion psikologjik, sa ai u detyrua të shkruante një letër ku tërhiqte kërkesën e mëparshme. Më vonë z. Jangibajev paraqiti një ankesë për këtë trajtim dhe pas tre javësh në paraburgim u lirua me kusht për 2 vjet. *

Shkelje të të drejtave të njeriut ende të pazgjidhura

Përveç keqtrajtimit të atyre që s’kryejnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes, Turkmenistani kufizon dhe dënon veprimtaritë fetare. Në një raport të janarit 2017, Komiteti i OKB-së kundër Torturës i bëri apel qeverisë së Turkmenistanit që «pa vonesë, të sigurohej që të hetoheshin me paanshmëri . . . torturat që dyshohet se ka përjetuar në burg, në maj 2015, Bahram Hemdemovi, një Dëshmitar i Jehovait [dhe] rasti i Mansur Mesharipofit, Dëshmitar i Jehovait, të cilin e arrestuan, e rrahën brutalisht dhe e mbajtën me forcë në një qendër rehabilitimi për të droguar në korrik 2014». Z. Mesharipof u lirua nga burgu pas një viti. Megjithatë, të dy janë të pafajshëm, si z. Hemdemov, i dënuar me pretekstin se kryente veprimtari fetare të paligjshme, edhe z. Mesharipof, i burgosur në bazë të akuzave të sajuara për veprimtarinë e tij fetare.

Dëshmitarët e Jehovait në Turkmenistan shpresojnë që së shpejti qeveria të ndërmarrë hapa për të zgjidhur këto çështje në favor të lirisë fetare dhe të ndërgjegjes. Duke vepruar kështu, do të tregojë se respekton ata që mbajnë këtë qëndrim për arsye ndërgjegjeje dhe se dëshiron të pastrojë historikun e saj të shkeljeve të të drejtave të njeriut.

^ par. 2 Ligjet ndërkombëtare e njohin refuzimin e shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes si një të drejtë themelore të njeriut dhe shumica e shteteve kanë marrë masa për ta përfshirë në legjislacionet vendëse. Gjithsesi, Turkmenistani—bashkë me Azerbajxhanin, Eritrenë, Singaporin, Korenë e Jugut dhe Turqinë—jo vetëm që nuk pranojnë të njohin këtë të drejtë, por edhe vazhdojnë të ndjekin penalisht ata Dëshmitarë të Jehovait që s’kryejnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes.

^ par. 18 Lirimi me kusht është një lloj mase e cila pezullon ose zëvendëson një dënim që i heq lirinë personit. Z. Jangibajev mbahet nën mbikëqyrje nga policia, por nuk ka bërë burg.