Kalo te përmbajtja

Aibek Salayev, Matkarim Aminov, dhe Bahram Shamuradov ishin mes Dëshmitarëve që përfituan amnisti

13 NËNTOR 2014
TURKMENISTAN

Turkmenistani liron disa Dëshmitarë të Jehovait të burgosur për shkak të besimit

Turkmenistani liron disa Dëshmitarë të Jehovait të burgosur për shkak të besimit

Për tetë Dëshmitarë të Jehovait në Turkmenistan, të burgosur për shkak të besimit, ngjarjet morën kthesë krejt papritur kur presidenti Gurbanguly Berdimuhamedov u dha amnistinë. Ata u liruan më 22 tetor 2014 bashkë me të burgosur të tjerë. Gjashtë prej tyre ishin burgosur ngaqë ndërgjegjja nuk i lejonte të kryenin shërbimin ushtarak dhe dy të tjerët për shkak të akuzave të sajuara në lidhje me veprimtaritë fetare.

Merdan Amanov dhe Pavel Paymov

Gjashtë të parët, djem të moshave 18-23 vjeç, i mbanin në një kamp pune në Seydi që ndodhet në shkretëtirën turkmene. Katër prej tyre vuanin dënimin në një burg të zakonshëm, kurse Matkarim Aminov dhe Dovran Matyakubov ishin në një burg me masa ndëshkimore më të rrepta, pasi ishin ridënuar për «shkelje të përsëritur». Në burg, këta të rinj keqtrajtoheshin dhe jetonin në kushte skandaloze.

Në kampin e zakonshëm në Seydi mbanin edhe dy Dëshmitarët e burgosur nën akuza të sajuara, 35-vjeçarin Aibek Salayev dhe 42-vjeçarin Bahram Shamuradov. Të dy ishin dënuar me katër vjet burg për shkak të bindjeve dhe veprimtarive fetare. Si të mos mjaftonte padrejtësia e burgosjes mbi prova të manipuluara, edhe i keqtrajtonin ashpërsisht.

Amirlan Tolkachev

I vetmi Dëshmitar që ka mbetur në burg në Turkmenistan është Ruslan Narkuliev, i cili nuk pranonte të kryente shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Ai u dënua vetëm pak javë para amnistisë dhe administrata e presidentit mund të mos e ketë pasur emrin e tij në listë kur shpalli amnistinë. Përfaqësuesit e tij ligjorë po komunikojnë me autoritetet turkmene që të sigurojnë lirimin e tij.

Presidenti Berdimuhamedov është për tu lavdëruar që vendosi pa ngurrim t’u jepte amnistinë këtyre tetë burrave të burgosur për shkak të besimit. Ata që e çmojnë lirinë fetare shpresojnë që kjo të jetë shkëndija e një ndryshimi në Turkmenistan që do t’i lejojë Dëshmitarët e Jehovait të jetojnë në harmoni me ndërgjegjen e tyre pa frikën e përndjekjes ose burgosjes.