Kalo te përmbajtja

22 SHTATOR 2014
TURKMENISTAN

Del nga burgu nëna turkmene

Del nga burgu nëna turkmene

Bibi Rahmanova me familjen

Më 2 shtator 2014, në orën 8 të darkës, Bibi Rahmanova u lirua nga burgu, por pa ia hequr akuzat. Më herët atë ditë, gjykatësit e Gjykatës Rajonale në Dashoguz morën në shqyrtim apelimin e saj. Megjithëse nuk ia hoqën akuzat e rreme, ia ndryshuan dënimin me katër vjet burg në dënim me kusht * dhe urdhëruan të lirohej menjëherë. Në vendim thuhej se gjykatësit kishin marrë parasysh rrethanat lehtësuese: Bibi ishte grua, nënë e një katërvjeçari dhe nuk kishte precedentë të mëparshëm penalë.

Bibi i ishte apeluar gjykatës për anulimin e dënimit të 18 gushtit që iu dha nën akuzat e sajuara për «sulm ndaj një polici» dhe «huliganizëm». Bibi dhe i shoqi, Vepa, u arrestuan nga policia më 5 korrik në stacionin e trenit në Dashoguz pasi kishin marrë bagazhet ku kishin gjëra personale dhe botime fetare. Më vonë, akuzat kundër z. Vepa ranë, kurse Bibin e futën në burg më 8 gusht. Kur ishte në burg, ajo pësoi keqtrajtime të rënda fizike.

Padrejtësitë në Turkmenistan në qendër të vëmendjes

Lirimin e papritur të Bibit, avokati i saj i huaj ia atribuon, të paktën pjesërisht, thirrjeve ndërkombëtare në lidhje me padrejtësinë e burgosjes së saj.

Ky rast nuk është i vetmi për Dëshmitarët e Jehovait në Turkmenistan. Ndodh rëndom që Dëshmitarët vuajnë nga shkelje serioze të të drejtave themelore. Tetë Dëshmitarë po vuajnë dënimin me burg për shkak të besimit—gjashtë ngaqë nuk pranonin të kryenin shërbimin ushtarak dhe dy nën akuza të sajuara. Jetojnë në kushte të mjera dhe keqtrajtohen në mënyra nga më të ndryshmet.

Duhet pranuar se gjykatësit e Gjykatës Rajonale të Dashoguzit e përmirësuan situatën e Bibit, por drejtësinë nuk e vunë në vend. Ata që çmojnë dinjitetin njerëzor, shpresojnë që autoritetet turkmene të analizojnë situatën nga një këndvështrim më i gjerë dhe të respektojnë normat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut duke ofruar lirinë e fesë në vend.

^ par. 2 Gjykata rajonale pezulloi dënimin e saj me katër vjet burg dhe e ktheu në katër vjet dënim me kusht, nga të cilat tre vjet do të jetë në provë mbikëqyrjeje. Gjatë kësaj periudhe duhet të ketë sjellje të mirë dhe të mos largohet ose transferohet nga qyteti i saj pa marrë më parë leje nga autoritetet.