Kalo te përmbajtja

27 GUSHT 2014
TURKMENISTAN

Nëna e një 4-vjeçari burgoset padrejtësisht në Turkmenistan

Nëna e një 4-vjeçari burgoset padrejtësisht në Turkmenistan

Në një sallë gjyqi të improvizuar në Dashoguz të Turkmenistanit, gjykatësi Gagysyz Orazmuradov dënoi padrejtësisht me burgim 33-vjeçaren Bibi Rahmanova nën akuza të sajuara. Më 18 gusht, Bibi, nënë e një djali 4-vjeçar, u shpall fajtore për «sulm ndaj një polici» dhe për «huliganizëm». * Gjykatësi dha një dënim të ashpër: katër vjet burg në një kamp pune.

Arrestohen në stacionin e trenit

Gjithçka filloi mbrëmjen e 5 korrikut 2014 kur Bibi dhe i shoqi, Vepa Tuvakov, bashkë me të birin, shkuan në stacionin e trenit në Dashoguz për të marrë ca botime fetare dhe gjëra personale që ua dërgonte një mik nga Ashkabadi. Sapo morën dërgesën, gjashtë policë të veshur civilë i arrestuan dhe i urdhëruan të hapnin çantat për të parë çfarë kishte në to. Pasi gjetën një laptop dhe botime fetare të Dëshmitarëve të Jehovait, policët filluan t’i shanin me fjalë të ndyra dhe i kërcënuan se i biri do të mbetej jetim.

Bibi filloi të regjistronte atë që po ndodhte me celular dhe e fshehu poshtë bluzës kur policët u përpoqën t’ia merrnin. E kapën prej flokësh, i gjuajtën me shkelma dhe e mbërthyen nga duart. Në këtë moment një nga policët i ngriti bluzën dhe e preku në mënyrë të papërshtatshme ndërsa i merrte celularin. Bibi u përpoq të vetëmbrohej, por as i bëri rezistencë arrestimit, as i sulmoi policët.

Bibi dhe Vepa me djalin e tyre

Pastaj policët e çuan familjen Tuvakov në rajonin e policisë. Ata urdhëruan që Vepa të firmoste një dokument të parapërgatitur. Ai nuk pranoi. Policët e rrahën disa herë ndërsa Bibi dhe djali mbaheshin në një dhomë tjetër. Prapëseprapë, Vepa nuk pranonte të firmoste. As Bibi nuk pranoi ta firmoste dokumentin, prandaj e rrahën edhe atë. Ajo dhe i biri e kaluan atë natë në rajon, por të nesërmen i liruan. * Vepa u lirua pak ditë më vonë, më 11 korrik, pasi Bibi u ankua te zyrtarët turkmenë. Pavarësisht nga kjo, policia e qytetit Dashoguz nuk donte t’ia dinte dhe filloi hetimet penale kundër tyre.

Arrestohen, burgosen dhe gjykohen

Më 6 gusht Bibin e akuzuan, më 8 gusht e futën në burg dhe më 18 gusht e nxorën para gjyqit. Gjatë gjykimit, u duk qartë që gjykatësi Orazmuradov ishte i anshëm. Ai e ndërpriste avokaten e Bibit sa herë përpiqej ta mbronte. Kur policia jepte dëshmi kontradiktore, gjykatësi nuk e lejonte avokaten t’u bënte pyetje. Gjykatësi e ndërpreu Vepën dhe nuk e la të dëshmonte për trajtimin abuziv të policëve ndaj Bibit, si dhe nuk pranoi të shqyrtonte regjistrimin audio të ngjarjes. Ai e shpalli fajtore dhe e dënoi me katër vjet burgim.

Bibi duhet të apelojë më 28 gusht dhe deri atëherë do të jetë në burgun DZD-7. Nëse apelimi i saj nuk pranohet, do të transferohet në një kamp pune, ka të ngjarë në shkretëtirën në Seydi. Asaj do t’i mohohet jo vetëm liria, por edhe mundësia për t’u kujdesur për të birin gjatë viteve të formimit.

Megjithëse Vepa nuk është akuzuar zyrtarisht, ka shumë mundësi që të paditet, të gjykohet nën akuza të rreme dhe të dënohet padrejtësisht me burgim. Nëse ndodh kështu, i biri nuk do të ketë as të ëmën, as të atin. Nuk ka asnjë bazë për këtë padrejtësi.

Thirrje për drejtësi

Nuk është hera e parë që Turkmenistani i keqtrajton Dëshmitarët e Jehovait dhe u mohon të drejtat bazë. Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën dhe shumë të tjerë që e respektojnë dinjitetin njerëzor dhe të drejtën e lirisë së adhurimit, presin që qeveria e Turkmenistanit të vërë në vend drejtësinë.

^ par. 2 Huliganizmi i shprehur me rezistencë ndaj një përfaqësuesi të ligjit dënohet me burg deri në pesë vjet.

^ par. 6 Djalin e liruan mëngjesin e 6 korrikut dhe ia dhanë një të afërmi, kurse Bibi u lirua po atë ditë, por më vonë.