Kalo te përmbajtja

16 MAJ 2017
TURKMENISTAN

Në Turkmenistan lirohet nga burgu Mansur Mesharipofi

Në Turkmenistan lirohet nga burgu Mansur Mesharipofi

Më 12 maj 2017 autoritetet e Turkmenistanit liruan nga burgu Mansur Mesharipofin. Ai është mirënjohës që është ribashkuar me familjen pas këtij burgimi të fundit që zgjati thuajse një vit.

Më parë z. Mesharipof kishte refuzuar ushtrinë për arsye ndërgjegjeje. Në maj 2004 gjykata e Dashoguzit e dënoi me 18 muaj në kampin e punës në Sejdi, një burg famëkeq, i njohur për abuzimet, mungesën e gjërave të domosdoshme dhe sëmundjet. Atje pati probleme shëndetësore, megjithatë u lirua nga një amnisti e veçantë në maj të 2005-s. Në korrik 2014 policia hyri me forcë në shtëpinë e tij, filloi të kontrollonte dhe i konfiskoi botimet fetare. Ndërsa mbahej në arrest, policia e rrahu dhe e kërcënoi vazhdimisht. Pastaj e futën në një qendër rehabilitimi për të droguarit ngaqë donin t’i injektonin droga të ndryshme, jo se po interesoheshin për shëndetin e tij. Për shkak të këtyre injeksioneve u sëmur dhe u paralizua. Nga frika se mos vdiste, z. Mesharipof u arratis dhe u fsheh derisa e kapën më 30 qershor 2016.

Dëshmitarët e Jehovait janë mirënjohës për lirimin e z. Mesharipof. Ama janë të shqetësuar për metodat e ashpra e të dhunshme që përdor Turkmenistani për t’i penguar Dëshmitarët të praktikojnë lirisht besimin e tyre. Gjithashtu, Dëshmitarët po përpiqen të nxjerrin nga burgu Bahram Hemdemovin. Për të sapo ka nisur viti i tretë në kampin e burgut në Sejdi. Ai është dënuar vetëm sepse po drejtonte një mbledhje fetare paqësore të Dëshmitarëve në shtëpinë e tij.