24 TETOR 2016
TURKMENISTAN
A do të lirohet Bahram Hemdemovi me amnistinë e radhës?
Në shkurt 2016 qeveria e Turkmenistanit shpalli një amnisti nga e cila u liruan qindra të burgosur, por jo Bahram Hemdemovi. Më pak se tre muaj më vonë, Gjykata e Lartë e Turkmenistanit hodhi poshtë kërkesën për të rishikuar dënimin dhe burgosjen e tij. Më 15 gusht 2016 avokati i z. Hemdemov paraqiti një ankesë në emër të tij pranë Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Përndjekja fetare ndaj Dëshmitarëve të Jehovait në Turkmenabad
Z. Hemdemov e arrestuan në mars 2015 sepse në shtëpinë e tij, në Turkmenabad, po mbahej një mbledhje paqësore fetare e Dëshmitarëve. Pa asnjë autorizim, policët hynë me forcë dhe kontrolluan shtëpinë, u morën sende personale dhe keqtrajtuan të gjithë të pranishmit.
Një avokat që përfaqësonte z. Hemdemov, vërejti: «Policia veçoi Bahram Hemdemovin për ta keqtrajtuar ashpër me synimin që të kërcënonte e të frikësonte Dëshmitarët e tjerë që jetojnë në Turkmenabad.» Pavarësisht se është keqtrajtuar nga autoritetet, z. Hemdemov nuk ka bërë kompromis me bindjet e tij.
Shpresat për liri
Dëshmitarët e Jehovait shpresojnë që qeveria e Turkmenistanit ta lirojë së shpejti z. Hemdemov me amnistinë e radhës. Ky do të ishte gjest shumë dashamirës nga ana e presidentit Gurbanguly Berdimuhamedov.
Gulzira, gruaja e z. Hemdemov, dhe katër fëmijët ia ndiejnë shumë mungesën dhe bashkë me Dëshmitarë të tjerë në komunitet mezi presin të kthehet në shtëpi. Dëshmitarët në Turkmenistan kërkojnë me respekt që qeveria t’i lejojë të adhurojnë së bashku në paqe, pa ndërhyrjen e autoriteteve vendëse.