24 NËNTOR 2015
TURKMENISTAN
Turkmenistani dënon Bahram Hemdemovin me katër vjet burg për aktivitet fetar
Më 19 maj 2015, një gjykatë në Turkmenistan dënoi 52-vjeçarin Bahram Hemdemov, një Dëshmitar të Jehovait, me katër vjet burg. Policia arrestoi z. Hemdemov dy muaj më parë, ngaqë mbante një mbledhje fetare paqësore në shtëpinë e tij, në Turkmenabad. Momentalisht po e mbajnë në një kamp pune në qytetin e Sejdit.
Bastisje gjatë mbledhjes fetare
Më 14 mars 2015, policia bastisi shtëpinë e z. Hemdemov ku po mbahej një mbledhje fetare. Keqtrajtuan dhe sulmuan të 38 të pranishmit dhe i akuzuan për aktivitet të paligjshëm fetar. Policia e futi në paraburgim z. Hemdemov, dhe në mënyrë të përsëritur e morën në pyetje dhe e rrahën. Autoritetet shtinë në dorë sende personale, përfshirë një makinë, një kompjuter dhe para.
Më vonë, Gjykata Krahinore e Serdarabadit gjobiti 30 prej këtyre Dëshmitarëve dhe 8 të tjerët i dënoi me 15 ditë burg. Djali i z. Hemdemov, Serdari, u dënua dy herë me 15 ditë burg, gjatë të cilave autoritetet e mbajtën në izolim, e morën në pyetje, e rrahën dhe e torturuan keqas. Edhe një Dëshmitar tjetër, Emirxhan Xhumnazarovin, e dënuan dy herë me 15 ditë burg, e rrahën dhe e kërcënuan se do ta torturonin.
Më 19 maj 2015, gjykatësi Goshmurad Shariev i Gjykatës Rajonale të Lebapit, dënoi Bahram Hemdemovin me katër vjet burg mbi akuza të sajuara për «nxitje të urrejtjes fetare». Z. Hemdemov e transferuan nga Turkmenabadi në kampin e punës, në Sejdi, më 10 qershor 2015.
Drejtori i burgut nuk lejoi askënd ta vizitonte z. Hemdemov në burg—as familjarët e ngushtë—derisa kaloi afati për të apeluar vendimin. Kështu, drejtori e pengoi z. Hemdemov ose një përfaqësues të apelonte vendimin. Që kur u burgos, zyrtarët i kanë bërë presion të pranojë shkeljet e sajuara, e kanë detyruar të bëjë punë të rëndë fizike dhe e kanë rrahur egërsisht për t’u hakmarrë, ngaqë gruaja e tij ka përpiluar ankesa gjyqësore në emër të të shoqit.
Gulzira Hemdemovi, gruaja e Bahramit, apeloi në Gjykatën e Lartë të Turkmenistanit. Ndonëse nuk kishte prova për ndonjë krim, nënkryetari i Gjykatës së Lartë nuk gjeti baza për t’i dhënë të drejtën e apelimit. Në fillim të gushtit, gjykatësi i z. Hemdemov apeloi për të rishikuar vendimin. Më 25 gusht 2015, Gjykata e Lartë hodhi poshtë apelimin me arsyen se z. Hemdemov «propagandon bindjet fetare të Dëshmitarëve të Jehovait».
Fushatë keqtrajtimi në Turkmenabad
Deri aty nga fundi i 2014-s, autoritetet në Turkmenistan kishin shfaqur shenja tolerance ndaj aktivitetit fetar të Dëshmitarëve të Jehovait. Në shtator të 2014-s, autoritetet liruan nga burgu Bibi Rahmanovën, pasi e kishin arrestuar në gusht të 2014-s mbi akuza të rreme. Tetë Dëshmitarëve, që ishin burgosur ngaqë praktikonin besimin e tyre, iu dha amnistia dhe u liruan në tetor të 2014-s. Pavarësisht nga këto zhvillime pozitive, disa autoritete lokale vazhdojnë të shfaqin intolerancë fetare duke arrestuar, mbajtur në burg, dhe keqtrajtuar disa Dëshmitarë të Jehovait në Turkmenabad.
Më 6 shkurt 2015, policia arrestoi katër Dëshmitarë të Jehovait—Viktor Jariginin, Rustam Nazarovin, Sharigeldi Xhumajevin dhe Xhamilja Adilovën. U akuzuan për «huliganizëm të lehtë» ngaqë zotëronin literaturë fetare. Agjentët e Ministrisë së Sigurimit Shtetëror rrahën tre nga Dëshmitarët, përfshirë edhe znj. Adilova. Oficerët e rrahën aq keq z. Xhumajev sa humbi vetëdijen disa herë. Gjykata e Qytetit të Turkmenabadit gjobiti z. Jarigin, dënoi me 30 ditë burg z. Nazarov dhe me 45 ditë burg z. Xhumajev dhe znj. Adilova *. Katër Dëshmitarët kanë përpiluar ankesa formale pranë Administratës Presidenciale dhe Prokurorisë së Përgjithshme në Ashgabad.
Dy javë më vonë, policia bastisi shtëpinë e Zejnep Husanovës në kërkim të literaturës «së paligjshme fetare». Shtinë në dorë literaturën e saj fetare dhe e kërcënuan se do ta paditnin dhe do ta burgosnin për 15 ditë.
Një Dëshmitar tjetër, Dovlet Kandimovin, e akuzuan për veprimtari të paligjshme fetare dhe i dhanë tre dënime të njëpasnjëshme me 15 ditë burg. Ndërsa ishte në arrest, policët e rrahën disa herë radhazi, ngaqë nuk pranonte të dëshmonte kundër Bahram Hemdemovit, bashkëbesimtarit të tij.
Turkmenistani garanton lirinë fetare. A do ta respektojë?
Që nga pranvera e vitit 2015, autoritetet në Turkmenabad nuk i kanë trazuar Dëshmitarët e Jehovait. Por, Bahram Hemdemovi është akoma në burg për shkak se praktikon besimin e tij.
Aktivitetet paqësore fetare, përfshirë aktivitetet e Dëshmitarëve të Jehovait, duhet të kenë mbrojtje ligjore në Turkmenistan. Kushtetuta e këtij vendi garanton të drejtën «për të praktikuar çdo fe, vetëm ose me të tjerë» dhe «të drejtën e bindjeve dhe të shprehjes së lirë të këtyre bindjeve». Për më tepër, Turkmenistani ka miratuar Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, që gjithashtu garanton lirinë e mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë.
Filip Bramli, përgjegjës i çështjeve ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait, komentoi:
Autoritetet në Turkmenistan i kanë shtuar padrejtësitë në çdo nivel. Oficerët e policisë në Turkmenabad vepruan në mënyrë të paligjshme dhe mizore duke bastisur një grumbullim paqësor fetar. Autoritetet gjyqësore në Turkmenabad përkrahën këto vepra të jashtëligjshme. Ndryshe nga ç’pritej, Gjykata e Lartë e Turkmenistanit nuk ndreqi padrejtësinë që iu bë Bahram Hemdemovit.
Dëshmitarët e Jehovait me respekt i bëjnë apel qeverisë së Turkmenistanit t’i regjistrojë ligjërisht, t’i lejojë të adhurojnë Perëndinë paqësisht dhe t’i japë fund atij lloj keqtrajtimi që ndodhi në Turkmenabad në fillim të këtij viti. I kërkojmë qeverisë kombëtare ta rikthejë në familje z. Bahram Hemdemov.
Dëshmitarët e Jehovait me mirënjohje pranojnë se qeveria e Turkmenistanit ka liruar më parë të burgosur, për të ndrequr padrejtësitë. Në të njëjtën mënyrë, qeveria duhet të shqyrtojë lirimin para kohe të Bahram Hemdemovit dhe të lejojë më shumë tolerancë fetare.
«Autoritetet në Turkmenistan i kanë shtuar padrejtësitë. . . . Ndryshe nga ç’pritej, Gjykata e Lartë e Turkmenistanit nuk ndreqi padrejtësinë që iu bë Bahram Hemdemovit.»—Filip Bramli, përgjegjës i çështjeve ligjore.
^ par. 11 Sipas Kodit Administrativ të Turkmenistanit, dënimi maksimal për «huliganizëm të lehtë» është 15 ditë burg. Megjithatë, gjykata dënoi z. Xhumajev dhe znj. Adilova tri herë me nga 15 ditë burg.