28 MARS 2018
TURKMENISTAN
Turkmenistani shpërfill të drejtën e lirisë së ndërgjegjes
Në janar 2018 Arslan Begençovi dhe Kerven Kakabajevi u dënuan me nga një vit burg me akuzën se kishin shmangur shërbimin ushtarak. Dy të rinjtë janë Dëshmitarë të Jehovait dhe nuk kanë pranuar të kryejnë ushtrinë për shkak të bindjeve të tyre fetare. Edhe pse ishin të gatshëm të kryenin shërbim alternativ civil, qeveria e Turkmenistanit nuk e njeh ende të drejtën themelore të refuzimit të ushtrisë për shkak të ndërgjegjes dhe nuk ofron një alternativë tjetër.
Arrestohen, dënohen dhe burgosen
Më 2 janar autoritetet arrestuan z. Begençov dhe e futën në një qendër paraburgimi të përkohshme derisa të zhvillohej seanca gjyqësore. Më 17 janar gjykata e shpalli fajtor për shmangie të shërbimit ushtarak dhe e dënoi me një vit burg. Z. Begençov e ka apeluar këtë vendim të padrejtë.
Edhe z. Kakabajev u arrestua në janar dhe më 29 janar u dënua padrejtësisht me një vit burg. Gjatë gjyqit, gjykata nuk e lejoi të paraqiste vendime të favorshme të Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut që mbështetnin çështjen e tij. Por mjerisht, apeli i z. Kakabajev mund të mos dëgjohet kurrë nga një gjykatë, sepse dokumentet e apelit që kishin përgatitur avokatët e tij, i mbajtën zyrtarët e burgut. Si rezultat, ai nuk i firmosi dot dokumentet brenda dhjetë ditëve nga vendimi i gjykatës, siç e kërkon ligji.
Kjo është hera e dytë që z. Kakabajev ndëshkohet ngaqë nuk pranon të kryejë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Në dhjetor të 2014-s autoritetet e dënuan me dy vite punë të detyruar, që do të thotë se gjatë kësaj periudhe, 20 për qind të rrogës duhej t’ia jepte shtetit.
‘Vazhdon të mos njohë të drejtën e refuzimit për shkak të ndërgjegjes’
Qeveria e Turkmenistanit pretendon se i respekton liritë themelore të shtetasve të saj. E megjithatë nuk pranon të njohë të drejtën e refuzimit të shërbimit ushtarak, pavarësisht se i është bërë thirrje të përmbushë standardet ndërkombëtare.
Më 2015 dhe 2016 Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut nxori disa vendime kundër Turkmenistanit pasi shqyrtoi dhjetë ankesa të Dëshmitarëve që nuk kryenin ushtrinë për shkak të ndërgjegjes. Në këto vendime Komiteti e qortoi Turkmenistanin për përndjekjen dhe burgosjen e këtyre Dëshmitarëve. Në prill të 2017-s Komiteti përsëriti shqetësimin e tij se Turkmenistani po «vazhdonte të mos njihte të drejtën e refuzimit të shërbimit të detyruar ushtarak për arsye ndërgjegjeje dhe të ndiqte penalisht e t’i burgoste sërish Dëshmitarët e Jehovait që nuk pranonin të kryenin shërbimin e detyruar ushtarak». Ai i bëri thirrje Turkmenistanit të siguronte shërbim alternativ civil, të mos i ndiqte më penalisht ata që refuzojnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes dhe t’i lirojë ata që janë tashmë në burg për këtë arsye.
Vitet e fundit qeveria e ka ndryshuar disi mënyrën si i trajton ata që refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Që nga dhjetori 2014, në vend që t’i burgosë Dëshmitarët që nuk kryejnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes, si ndëshkim, qeveria i ka mbajtur 20 për qind të rrogës për një ose dy vjet (siç i ndodhi z. Kakabajev në 2014-n) ose, në disa raste, i ka liruar me kusht. * Në shkurt të 2015-s Turkmenistani liroi Dëshmitarin e fundit të burgosur për këtë arsye. Mjerisht, në rastet e z. Begençov dhe z. Kakabajev, në vend që të bënte hapa para për ta njohur plotësisht të drejtën e refuzimit të ushtrisë për shkak të ndërgjegjes, qeveria e Turkmenistanit mbajti të njëjtin qëndrim të ashpër si më parë.
Dëshmitarët burgosen edhe për arsye të tjera
Përveç burgosjeve të fundit të z. Begençov dhe të z. Kakabajev, autoritetet po vazhdojnë të mbajnë në burg Bahram Hemdemovin, vetëm sepse ka ushtruar të drejtën e tij të adhurimit. Ai është Dëshmitar i Jehovait dhe e kanë arrestuar e burgosur ngaqë po mbante një mbledhje fetare në shtëpinë e tij në Turkmenabad. Ndonëse presidenti i Turkmenistanit ka dhënë shumë vendime amnistie në dy vitet e fundit, Bahrami, baba i katër fëmijëve, është ende në burg që prej 2015-s. Shteti ka dhënë amnisti për mijëra të burgosur, ama i shpërfill vazhdimisht kërkesat për lirimin e z. Hemdemov.
Dëshmitarët e Jehovait mezi presin të përmirësohet situata për bashkëbesimtarët në Turkmenistan. Ata shpresojnë që së shpejti Turkmenistani të respektojë të drejtat e lirisë së fesë e të ndërgjegjes dhe të ndreqë padrejtësitë.
^ par. 10 Lirimi me kusht është një lloj mase e cila zëvendëson dënimin me burg, e megjithatë përmban disa lloj kufizimesh.