Kalo te përmbajtja

11 QERSHOR 2014
TURQI

GJEDNJ-ja vendos në favor të katër Dëshmitarëve në Turqi që refuzojnë shërbimin ushtarak

GJEDNJ-ja vendos në favor të katër Dëshmitarëve në Turqi që refuzojnë shërbimin ushtarak

Më 3 qershor 2014, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut njëzëri arriti në përfundimin se Turqia kishte shkelur Konventën Evropiane * duke shpallur fajtorë katër Dëshmitarë të Jehovait ngaqë nuk pranonin të bënin shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Çağlar Buldu, Bariş Görmez, Ersin Ölgün dhe Nevzat Umdu nuk pranonin të bënin shërbimin ushtarak të shtyrë nga bindjet e tyre të forta fetare. Vendimi i GJEDNJ-së thoshte: «Masat e marra kundër apeluesve . . . janë një shkelje e panevojshme në një shoqëri demokratike duke pasur parasysh nenin 9 të Konventës.»

Më 17 mars 2008, katër Dëshmitarët iu apeluan Gjykatës (Buldu dhe të tjerët kundër Turqisë) kundër qeverisë turke, duke u shprehur se Turqia nuk kishte respektuar lirinë e tyre të fesë. Ajo i ka ndjekur vazhdimisht penalisht dhe i ka shpallur fajtorë ngaqë nuk pranonin të bënin shërbimin ushtarak. Të gjithë bashkë, ata kanë marrë mbi 30 thirrje për t’u futur në radhët e ushtrisë dhe janë mbajtur më tepër se gjashtë vjet në burgje e në kazerma ushtarake.

Vendimi i GJEDNJ-së thoshte: «Mospranimi i apeluesve, që janë Dëshmitarë të Jehovait, për të kryer shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes, sigurisht që ishte shprehje e bindjeve të tyre fetare. Gjykata është e sigurt se fajësimi i vazhdueshëm i apeluesve, . . . si edhe rreziku i ndjekjeve penale të pafundme, . . . përbëjnë shkelje të së drejtës së tyre për të praktikuar lirisht fenë, që garantohet nga neni 9 i Konventës.»

Bariş Görmez

Pas vendimeve të GJEDNJ-së në favor të Feti Demirtaş më 2012 dhe të Yunus Erçep më 2011, ky është vendimi i tretë kundër Turqisë në çështje që lidhen me refuzimin e shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Gjithashtu, në vitin 2012, Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut vendosi në favor të dy Dëshmitarëve të tjerë në Turqi, Cenk Atasoy dhe Arda Sarkut, që akuzoheshin për të njëjtën gjë.

Në Evropë, pika e kthesës në këtë çështje ndodhi më 7 korrik 2011, kur Dhoma e Madhe e GJEDNJ-së dha vendimin në çështjen Bayatyan kundër Armenisë. Për herë të parë, GJEDNJ-ja doli në përfundimin se neni 9 i Konventës Evropiane mbron ata që refuzojnë të bëjnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Ky vendim është i detyrueshëm për të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës. Vendimi për çështjen Bayatyan, tre vendimet e GJEDNJ-së kundër Turqisë dhe vendime të tjera të ngjashme të GJEDNJ-së, e detyrojnë Turqinë dhe vendet e tjera anëtare të rishqyrtojnë mënyrën si i trajtojnë ata që nuk pranojnë të bëjnë ushtrinë për arsye ndërgjegjeje e të ndreqin legjislacionin në përputhje me atë që garanton Konventa.

James E. Andrik, një nga avokatët që përfaqësonte katër apeluesit në këtë çështje, u shpreh: «Megjithëse për momentin në Turqi nuk ka Dëshmitarë të burgosur ngaqë refuzojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes, qeveria vazhdon të ndjekë penalisht djem Dëshmitarë që ndërgjegjja nuk i lejon të kryejnë shërbimin ushtarak. Shpresojmë se vendimi i kohëve të fundit në çështjen Buldu dhe të tjerët kundër Turqisë ta shtyjë qeverinë turke të respektojë të drejtën themelore të lirisë së ndërgjegjes.»

^ par. 2 Neni 3: ndalimi i torturës dhe i trajtimit çnjerëzor ose poshtërues; neni 6: e drejta për një proces të rregullt gjyqësor; neni 9: liria e mendimit, e ndërgjegjes dhe e fesë.