Kalo te përmbajtja

11 MARS 2013
TURQI

OKB-ja thotë se Turqia duhet të respektojë ndërgjegjen e nënshtetasve

OKB-ja thotë se Turqia duhet të respektojë ndërgjegjen e nënshtetasve

Miliona të krishterë për shkak të ndërgjegjes refuzojnë të shkojnë në ushtri, vendim që shumë kombe e respektojnë. Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut vendosi se edhe nënshtetasit turq meritojnë të njëjtën liri.

Më 29 mars 2012, ky komitet mori vendim në favor të dy nënshtetasve turq: Cenk Atasoy dhe Arda Sarkut. Të dy janë Dëshmitarë të Jehovait që refuzojnë të bëjnë shërbimin ushtarak për shkak të bindjeve fetare.

Z. Atasoy dhe z. Sarkut kishin bërë disa kërkesa me shkrim në instancat shtetërore ku shpjegonin vendimin e tyre për shkak të ndërgjegjes dhe gatishmërinë për të kryer shërbim civil joushtarak. Prapëseprapë u bënin presion pa pushim të shkonin në ushtri. Ushtria kërcënoi se do të ngrinte akuzë penale kundër universitetit ku punonte z. Sarkut si pedagog. Kështu ai humbi punën.

Në vendim, Komiteti deklaronte se e drejta për të refuzuar ushtrinë për arsye ndërgjegjeje «është pjesë e pandashme e së drejtës së lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë», e cila është e nënkuptuar brenda Nenit 18 të Paktit Ndërkombëtar mbi të Drejtat Civile dhe Politike. Për më tepër, Komiteti vendosi se kjo e drejtë «i jep mundësi çdo individi të refuzojë shërbimin e detyrueshëm ushtarak nëse ky shërbim bie në kundërshtim me fenë ose bindjet e tij.»

Ky vendim doli pak pas dy vendimeve të tjera të ngjashme të marra nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Në një prej këtyre vendimeve, Gjykata vendosi se «mungesa e një shërbimi ushtarak alternativ në Turqi bie ndesh me të drejtën e kundërshtimit për shkak të ndërgjegjes» që garantohet nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kundërshtimi i shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes është i vjetër sa vetë krishterimi. Në librin e tij The Rise of Christianity, E. W. Barnes shkruan: «Një shqyrtim i kujdesshëm i të gjitha informacioneve të disponueshme [tregon] se deri në kohën e Mark Aurelit [perandorit romak nga viti 161 deri në vitin 180 të e.s.], asnjë i krishterë nuk shkonte ushtar dhe asnjë ushtar, pasi bëhej i krishterë, nuk qëndronte më në shërbimin ushtarak.»