17 MARS 2014
TURQI
Turqia nuk pranon t’u përmbahet standardeve evropiane që lidhen me kundërshtimin e shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes
«Çdo turk lind ushtar.» Ky slogan u mësohet fëmijëve në shkollë, përdoret në fjalime politike dhe u indoktrinohet atyre që thirren në ushtri. Shërbimi ushtarak është i detyrueshëm për të gjithë nënshtetasit meshkuj në Turqi dhe, kur djalit i vjen fletëthirrja për në ushtri, bëhet festë. Pra, nuk është çudi që qeveria turke nuk pranon të njohë të drejtën themelore për të mos shërbyer në ushtri për shkak të ndërgjegjes.
Turqia është një nga vendet e pakta të Këshillit të Evropës që nuk e njeh të drejtën e kundërshtimit për shkak të ndërgjegjes
Sidoqoftë, meqë është vend anëtar i Këshillit të Evropës dhe ka përfshirë në kushtetutën e vet Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Turqia e ka për detyrë të respektojë standardet evropiane. Që nga vendimi i Dhomës së Madhe të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në çështjen Bayatyan v. Armenia, Turqia ka detyrimin zyrtar ndaj Këshillit të Evropës të njohë të drejtën e kundërshtimit për shkak të ndërgjegjes. Ajo nuk ka pranuar të veprojë kështu, prandaj turqit që kundërshtojnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes, vuajnë pasojat.
Gjatë 10 viteve të fundit 55 burra që janë Dëshmitarë të Jehovait i kanë bërë peticione qeverisë turke që të njohë të drejtën e tyre në këtë fushë. Ngaqë peticionet e tyre nuk janë pranuar, i kanë paditur shumë herë, u kanë vënë gjoba të rënda dhe disa janë burgosur për vite me radhë. Në këtë moment, 15 të rinj Dëshmitarë në Turqi i paditin pareshtur ngaqë nuk pranojnë të kryejnë shërbimin ushtarak.
«Duhet të dëgjoj zërin e ndërgjegjes»
«Besoj se një shtet i fuqishëm nuk ka të drejtë të më detyrojë të veproj kundër ndërgjegjes sime të stërvitur nga Bibla dhe kundër fjalëve të frymëzuara nga Zoti që gjenden tek Isaia 2:4, [të cilave] duhet t’u bindem.» Ky varg i mirënjohur, i skalitur në një pllakë guri para selisë së Kombeve të Bashkuara në qytetin e Nju-Jorkut, thotë se njerëzit kundër luftës ‘do t’i farkëtonin shpatat duke i kthyer në plore dhe nuk do të mësonin më të luftonin’. Me këto fjalë Feti Demirtaş, një nënshtetas turk që atëherë ishte 25 vjeç, shpjegoi pse ishte i gatshëm të hiqte dorë nga liria e tij e të shkonte në burg në vend që të shërbente në ushtri. Si Dëshmitar i Jehovait, ai është i vendosur të dëgjojë zërin e ndërgjegjes së stërvitur nga Bibla. Si pasojë, është ndjekur penalisht dhjetë herë e ka bërë më shumë se një vit e gjysmë në burg.
Kur e arrestuan për herë të parë, një rreshter e urdhëroi të vishte uniformë ushtarake, por ai nuk pranoi—vendosi t’i bindej ndërgjegjes së stërvitur nga Bibla. Atëherë komandanti i bazës e nxori para 400 burrave e i dha urdhër të vishte uniformën. Prapë Feti Demirtaş nuk pranoi. Gjatë burgimit të parë, rojat e burgut e shanin, e qëllonin me shqelma në kokë, në supe e këmbë dhe i binin me shuplaka fytyrës.
Kur e arrestuan dhe e burgosën për herë të pestë në prill 2006, rojat e detyruan të hiqte rrobat e të rrinte vetëm me të brendshmet që të vishte uniformën. Kur nuk pranoi ta vishte, rojat e futën katër ditë në kazermat e disiplinimit. Që ta thyenin, natën e lidhnin me pranga te një shufër hekuri e krevatit dhe ditën te hekurat e burgut. Ai thotë: «Ditën isha i trembur dhe natën nuk vija dot gjumë në sy nga frika e pandalshme dhe reale se ç’lloj keqtrajtimi më priste më pas. Edhe pse i dërrmuar emocionalisht nga mënyra si më trajtonin, nuk ma thyen vendosmërinë që të dëgjoja zërin e ndërgjegjes.»
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut përkrah kundërshtimin për shkak të ndërgjegjes
Më 2007 Feti Demirtaş ia parashtroi çështjen e tij GJENDJ-së duke argumentuar se qeveria turke kishte dhunuar të drejtat e tij kur e dënoi me burg sepse nuk bënte ushtrinë për shkak të ndërgjegjes. Më 17 janar 2012 GJEDNJ-ja dha vendim në favor të tij, duke vërtetuar se i ishte nënshtruar trajtimeve çnjerëzore dhe poshtëruese, që i kishin sjellë dhembje e vuajtje të papara. Veç kësaj, Gjykata deklaroi se e drejta e kundërshtimit për shkak të ndërgjegjes që bazohet në bindje fetare të rrënjosura thellë është një e drejtë që mbrohet nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. *
Pas deklaratës së qartë të Gjykatës për këtë çështje, Feti Demirtaş priste që autoritetet turke t’u jepnin fund padive të pareshtura kundër tij. Në fakt, qeveria turke i pagoi 20.000 euro për dëmet dhe shpenzimet ligjore, sipas urdhrit të GJEDNJ-së. Mirëpo, vetëm katër muaj pas vendimit që dha GJEDNJ-ja për çështjen Feti Demirtaş v. Turqisë, Gjykata Ushtarake e Turqisë e dënoi prapë me dy muaj e gjysmë burg meqë nuk pranoi të shkonte ushtar. Feti bëri një apel që për momentin është pezull në Gjykatën Ushtarake.
Edhe Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut përkrah të drejtën e kundërshtimit për shkak të ndërgjegjes
Turqia ka shpërfillur edhe direktivat e fundit të Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Më 2008 dy Dëshmitarë, Cenk Atasoy dhe Arda Sarkut, paraqitën ankesa pranë këtij organi të OKB-së dhe pohuan se autoritetet turke dhunonin të drejtat e tyre duke i ndjekur pareshtur penalisht ngaqë nuk pranonin të kryenin shërbim ushtarak. Në Vendimet zyrtare të miratuara më 29 mars 2012, Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut deklaronte se «kundërshtimi [i burrave] që të bëjnë shërbim ushtarak të detyruar buron nga bindjet e tyre fetare» dhe «paditë e dënimet që vijojnë përbëjnë dhunim të lirisë së tyre të ndërgjegjes, duke shkelur kështu nenin 18, paragrafin 1, të [Marrëveshjes Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike]».
Si kanë reaguar autoritetet turke ndaj këtyre direktivave të qarta? Ende kërkojnë që këta dy kundërshtarë për shkak të ndërgjegjes të paraqiten kur u vjen thirrja për ushtri çdo katër muaj * ose ndryshe do të paditen dhe do të gjobiten rëndë.
Dëshmitarët e Jehovait në Turqi janë të vendosur të zbatojnë urdhrin biblik që t’i duan të tjerët. Kur i vjen thirrja për ushtar nga autoritetet turke, çdo Dëshmitar duhet të marrë një vendim personal si do të veprojë. Feti Demirtaş dhe Dëshmitarë të tjerë janë plotësisht të bindur se mbajtja e armëve dhunon urdhrin biblik dhe ndërgjegjen e tyre.
Këta të rinj presin që qeveria e tyre t’i respektojë detyrimet e veta ligjore. GJEDNJ-ja dhe Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut presin që Turqia t’u nënshtrohet vendimeve e verdikteve të organeve të tyre, dhe si pasojë autoritetet turke do të njohin të drejtën e kundërshtimit të shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Deri atëherë Turqia do të bjerë në sy për keq mes vendeve të tjera të Këshillit të Evropës që e respektojnë këtë të drejtë themelore të njeriut.
^ par. 10 Ky nuk ishte vendimi i parë i GJEDNJ-së kundër Turqisë në çështjen e kundërshtimit për shkak të ndërgjegjes. Në nëntor 2011 Gjykata dha vendim në favor të një Dëshmitari tjetër turk, Yunus Erçep, që e kishin ndjekur penalisht 41 herë gjatë një periudhe 14-vjeçare ngaqë nuk pranonte të shërbente në ushtrinë turke.
^ par. 14 Kohët e fundit qeveria i ka shpeshtuar thirrjet për ushtri duke i çuar në çdo tre muaj.