Kalo te përmbajtja

Ljudmila Mozuli dhe Katerina Rozdorski humbën bashkëshortët për shkak të luftës në Ukrainë. Ato po e përballojnë këtë situatë me ndihmën e Jehovait dhe të vëllezërve e motrave

22 PRILL 2022
UKRAINË

«Atë natë Jehovai jo vetëm që më kapi për dore, por më mbajti në krahët e tij»

Premtimet e Jehovait u japin forcë dy motrave ukrainase pas vdekjes së bashkëshortëve

«Atë natë Jehovai jo vetëm që më kapi për dore, por më mbajti në krahët e tij»

Motrat Ljudmila Mozuli dhe Katerina Rozdorski po e përballojnë me ndihmën e Jehovait dhembjen dhe hidhërimin që u shkaktoi lufta. Bashkëshortët e tyre, Petro Mozuli dhe Dmitro Rozdorski, ishin ndër Dëshmitarët e parë të Jehovait në Ukrainë që vdiqën si pasojë e luftës. Mjerisht, deri tani atje kanë humbur jetën 34 vëllezër e motra.

Petro dhe Ljudmila Mozuli

Petroja dhe Ljudmila u pagëzuan në vitin 1994 dhe kishin 43 vjet të martuar.

Ljudmila shprehet: «Vëllezërit e motrat më japin zemër çdo ditë. Më marrin vazhdimisht në telefon. Më ka prekur edhe një letër e ngrohtë me fjalë të përzemërta nga dega e Ukrainës.»

Lufta nisi më 24 shkurt 2022. Petroja ishte shërbëtor kongregacioni në një kongregacion të gjuhës së shenjave. Ai u vra më 1 mars 2022 kur, bashkë me familjen, po përpiqeshin të largoheshin nga bombardimet intensive në Kharkiv.

Pasi kishin ndenjur disa ditë në bodrum, avionët ushtarakë nisën të bombardonin qytetin. Familja mblodhi ca gjëra të domosdoshme dhe u largua brenda 30 minutave. Petroja dhe Ljudmila ishin në një makinë. Kurse i biri, Oleksi, dhe e shoqja, Marina, në një makinë tjetër. Ljudmila tregon: «Po udhëtonim në një zonë rezidenciale kur filluan bombardimet nga ajri. Makina u trondit e tëra për shkak të shpërthimeve.»

Petroja, që ishte 67 vjeç, devijoi që të mos përplasej me makinën e Oleksit, por u plagos rëndë. I çuan në spital bashkë me Ljudmilën. Petroja vdiq pak më vonë, kurse Ljudmila u plagos në këmbë dhe në stomak nga copat e metalit që u shpërndanë për shkak të bombave. Oleksi dhe Marina nuk pësuan ndonjë dëm. Ljudmila mori vesh për vdekjen e të shoqit pas 3 ditësh, kur doli nga spitali.

Ajo tregon: «Sa më shumë mendoj për mirësinë dhe për qëllimin mrekullueshëm të Jehovait, aq më e qetë ndihem. Jam e sigurt se në botën e re do ta takoj patjetër tim shoq dhe mezi e pres atë moment të bukur.»

Katerina dhe Dmitro Rozdorksi

Dmitro dhe Katerina kishin 8 vjet të martuar. Më 8 mars 2022 ai ishte në punë dhe fjalët e fundit që i tha Katerinës, ishin: «Pas pak do të jem në shtëpi.»

Pas shumë orësh, Katerinës i telefonoi një shok pune i Dmitros dhe i tha se ai kishte shkelur në një minë dhe e kishin dërguar në spital. Ai vdiq 5 orë pasi e kishin operuar.

Katerina shpjegon si u ndie pasi mori vesh për vdekjen e Dmitros: «Atë natë Jehovai jo vetëm që më kapi për dore, por më mbajti në krahët e tij. E ndieva se ishte aty me mua.»

Dmitro, 28 vjeç, ishte pagëzuar në vitin 2006 dhe shërbente si plak në rajonin e Donetskut në Ukrainë.

Menjëherë pas funeralit të Dmitros, Katerina udhëtoi 12 orë drejt një zone më të sigurt në Ukrainë. Ajo thotë: «Kam marrë mesazhe inkurajimi nga vëllezër e motra anekënd Ukrainës dhe jashtë saj. Më kanë mbushur me dashuri dhe ma kanë lehtësuar jashtë mase dhembjen.»

Më tej thotë: «Edhe shërbimi më ngushëllon shumë. . . . Kur më mbyt hidhërimi, përsëris vargje nga Bibla, si Filipianëve 4:6, 7

Jemi plotësisht të bindur se Jehovai do të jetë gjithnjë burim force e ngushëllimi për vëllezërit e motrat e shtrenjtë që kanë humbur personat e tyre të dashur gjatë luftës në Ukrainë.—Psalmi 61:1-3.