Kalo te përmbajtja

20 NËNTOR 2020
UKRAINË

GJEDNJ-ja merr tri vendime në favor të Dëshmitarëve të Jehovait në Ukrainë

GJEDNJ-ja merr tri vendime në favor të Dëshmitarëve të Jehovait në Ukrainë

Gjykata dënon Ukrainën, sepse nuk i ka ndëshkuar ata që, të nxitur nga urrejtja fetare, kanë bërë krime kundër vëllezërve tanë

Më 12 nëntor 2020, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) mori tri vendime në favor të Dëshmitarëve të Jehovait në Ukrainë për çështjet: Zagubnia dhe Tabaçkova kundër Ukrainës, Migorianu dhe të tjerë kundër Ukrainës dhe Kornilova kundër Ukrainës. Çështjet iu paraqitën kësaj gjykate në vitet 2014 dhe 2015. Në secilin rast, autoritetet nuk i kishin ndëshkuar ata që kishin sulmuar në mënyrë të dhunshme Dëshmitarët e Jehovait. GJEDNJ-ja deklaroi se autoritetet ukrainase nuk i kishin mbrojtur plotësisht të drejtat e vëllezërve tanë dhe urdhëroi që t’i kompensonin viktimat me 14.700 euro (17.400 dollarë).

Zagubnia dhe Tabaçkova kundër Ukrainës: Më 20 prill 2009, motrat Zagubnia dhe Tabaçkova po predikonin shtëpi më shtëpi në fshatin e Novi-Mlinit. Kur Mikola Lisenko, një prit i Kishës Ortodokse të Trinitetit në atë fshat, takoi motrat në rrugë, i goditi mizorisht në kokë e në kurriz me një shkop druri. Ky prift nuk u ndëshkua kurrë, edhe pse rrëfeu se donte «t’i frikësonte» motrat tona dhe «të ndalonte aktivitetin e tyre».

Migorianu dhe të tjerë kundër Ukrainës: Më 5 prill 2012, 21 Dëshmitarë të Jehovait dhe disa të ftuar ishin mbledhur për të mbajtur Përkujtimin e vdekjes së Jezu Krishtit. Befas një turmë e udhëhequr nga O. Greku, një prift ortodoks, prishi mbledhjen. Turma bërtiste me fjalë të ndyra dhe kërcënonte të pranishmit, madje edhe fëmijët e gratë e moshuara që ndodheshin aty.

Për njëfarë kohe, prifti dhe bashkëpunëtorët e tij vazhdonin të sulmonin Dëshmitarët e Jehovait, duke rrahur fizikisht vëllezërit, duke djegur makinën e një vëllai dhe duke hedhur një bombë molotov në një shtëpi ku po flinin disa Dëshmitarë. Pas këtyre incidenteve të dhunshme, vëllezërit denoncuan në polici rastet dhe dorëzuan provat pranë autoriteteve. Në disa raste, fajtorët ishin regjistruar me video. Prapëseprapë, policia nuk pranoi t’i klasifikonte këto sulme si krime të nxitura nga urrejtja fetare dhe pohoi se fajtorët nuk identifikoheshin dot nga videot. As prifti dhe as bashkëpunëtorët e tij nuk u ndëshkuan kurrë.

Kornilova kundër Ukrainës: Më 7 mars 2013, në qytetin e Nosivkës, motrat Kornilova dhe Serdiuku po ftonin njerëzit në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. Një burrë filloi të bërtiste me fjalë të pista e të shante motrat për fenë e tyre. Pastaj i sulmoi dhe gjuajti me grusht në fytyrë motër Kornilovën. E goditi aq fort sa ajo humbi ndjenjat. Motra kaloi 11 ditë në spital. Policia nuk e pranoi që sulmi ishte i nxitur nga urrejtja fetare dhe deklaroi se motra jonë ishte viktimë e «armiqësisë për arsye personale». Gjykata e dënoi fajtorin me një gjobë të papërfillshme.

Nga e majta: Motër Tetjana Kornilova, motër Tetiana Zagubnia, motër Maria Tabaçkova dhe vëlla Vasil Migorianu. Katër nga shumë Dëshmitarët e Jehovait që kanë qenë viktimë e krimeve të nxitura nga urrejtja fetare në Ukrainë gjatë viteve 2009-2013

Përfaqësuesit e degës së Ukrainës kanë zhvilluar disa mbledhje diplomatike me zyrtarë vendorë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të diskutuar rreth përndjekjes. Pasi konsumuan të gjitha këto mundësi, në vitin 2014 vëllezërit nisën t’i paraqitnin çështjet para GJEDNJ-së. Është interesante që një vit përpara, institucionet filluan të dokumentonin intolerancën fetare në Ukrainë. Në një raport të vitit 2013 nga Avokati i Popullit i Ukrainës thuhet: «Hetimet e papërfunduara të krimeve që mund të jenë nxitur nga urrejtja fetare, krijojnë një terren të sigurt për fajtorët, që të vazhdojnë sulmet e tyre pa frikën e ndëshkimit.» Po kështu, në raportin e saj periodik të vitit 2013 për Ukrainën, Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut shpjegon se është i shqetësuar që krime të tilla, përfshirë ato kundër Dëshmitarëve të Jehovait, trajtoheshin si krime të lehta në Ukrainë. Ky Komitet nxori përfundimin se qeveria e Ukrainës duhet «të përpiqet më fort për t’u siguruar që akuzat për krime të nxitura nga urrejtja të hetohen më seriozisht, që shkelësit të ndiqen penalisht . . . dhe, nëse shpallen fajtorë, të ndëshkohen në përputhje me sanksionet e përshtatshme, si edhe që viktimat të kompensohen siç u takon».

Vitet e fundit, qeveria e Ukrainës ka filluar të ndërmarrë hapa për ta përmirësuar situatën. Edhe pse Dëshmitarët e Jehovait në këtë vend gëzojnë liri fetare, shpresojmë që këto tri vendime të GJEDNJ-së të motivojnë autoritetet në Ukrainë dhe në shtete të tjera që të vazhdojnë të mbrojnë lirinë fetare të motrave e vëllezërve tanë. Mezi presim kohën kur Jehovai, i cili «gjykon gjithnjë me drejtësi», t’i japë fund një herë e mirë përndjekjes së adhuruesve të tij.—Ligji i përtërirë 32:4.