31 TETOR 2019
UKRAINË
GJEDNJ-ja përkrah vendimin për të ndërtuar një Sallë Mbretërie në Ukrainë
Më 3 shtator 2019, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) mori një vendim në favor të Dëshmitarëve të Jehovait në qytetin Krivi-Ri, Ukrainë. Gjykata tha se këshilli bashkiak i këtij qyteti ishte fajtor që nuk u dha leje vëllezërve të ndërtonin një Sallë Mbretërie.
Sipas vendimit, këshilli bashkiak duhet t’u paguajë 7.000 euro 2 kongregacioneve që zotërojnë pronën, ngaqë ka shkelur 2 ligje ndërkombëtare të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut: nenin 9 (që mbron të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë) dhe nenin 1 të protokollit nr. 1 (që garanton të drejtën e pronës). Qeveria e Ukrainës ka tre muaj për të apeluar këtë vendim pranë Dhomës së Madhe të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ).
Kanë kaluar mbi 15 vjet që kur dy kongregacionet në Krivi-Ri aplikuan për të ndërtuar një Sallë Mbretërie. Më 9 gusht 2004, vëllezërit blenë një godinë banimi në një truall që administrohej nga qyteti. Më pas aplikuan që të ndërtonin një Sallë Mbretërie. Këshilli bashkiak u dha miratimin fillestar më 28 shtator 2005. Përveç kësaj u kujtoi vëllezërve se duhej të propozonin një projekt i cili duhej shqyrtuar nga disa agjenci shtetërore, që të merrnin lejen finale për të nisur ndërtimin.
Planet ecën para dhe u mor miratimi i të gjitha autoriteteve përkatëse. Pastaj, më 23 gusht 2006 iu dërguan këshillit të qytetit për lejen finale. Sipas ligjit, këshilli bashkiak duhet të marrë një vendim brenda muajit. Mirëpo, vëllezërit s’morën kurrë përgjigje për aplikimin. Edhe pasi një gjykatë rajonale deklaroi se veprimet e këshillit bashkiak ishin të paligjshme, prapë këshilli nuk ua dha lejen finale. Procedurat e mëtejshme ligjore nuk patën sukses, prandaj, më 13 prill 2010 vëllezërit paraqitën një ankesë pranë GJEDNJ-së.
Jemi të kënaqur që GJEDNJ-ja vendosi në favor të vëllezërve tanë në Krivi-Ri. Lutemi që ky vendim të jetë një precedent për vëllezërit dhe motrat që të ndërtojnë Salla Mbretërie për të adhuruar Jehovain në vende ku këto liri janë të kufizuara.—Psalmi 118:5-9.