27 PRILL 2022
UKRAINË
Me guxim, vëllezërit në Ukrainë shpërndajnë ndihma dhe shpëtojnë të tjerë nga zona e luftës
Më 24 shkurt 2022, në Ukrainë shpërtheu lufta. Mijëra Dëshmitarë të Jehovait kanë mbetur akoma në zona të bombarduara rëndë. 21 vëllezër nga qyteti i Kremençukut dhe i Poltavës, Ukrainë, po tregojnë dashuri të vërtetë për vëllezërit e motrat. Ata janë të gatshëm të futen në zonat e luftës, që të shpëtojnë bashkëbesimtarët dhe të shpërndajnë ndihma.
Brenda 6 javësh kanë bërë rreth 80 rrugë vajtje-ardhje, gati 50.000 kilometra në zona ku po zhvillohen luftime të ashpra, si Kharkivi, dhe kanë shpëtuar thuajse 400 vëllezër e motra.
Deri tani kanë shpërndarë 23 tonë ushqime, si dhe ilaçe, lëndë djegëse dhe furnizime të tjera. Para çdo udhëtimi, vëllezërit përcaktojnë me kujdes cilat rrugë janë më të sigurta, që të shmangin zonat ku vazhdojnë luftimet. Një udhëtim mund të zgjatë deri në 19 orë, ngaqë ndalojnë në postblloqe ku u kontrollojnë makinat.
Gjatë udhëtimit mbi kokat e tyre fluturojnë avionë luftarakë. Shohin ndërtesa të bombarduara si dhe tanke e makina të shkatërruara. Ndonjëherë u tronditet toka nën këmbë nga shpërthimet e bombave pranë tyre.
Më 2 prill 2022, Romani ishte bërë gati t’u shpërndante ndihma vëllezërve e motrave në Kharkiv kur nëpër rrugë nisi një breshëri predhash. Ai u strehua në një ndërtesë afër. Pas 30 minutash pa se ishte bombarduar edhe rruga nga ku po mendonte të kalonte.
Duke folur për rrezikun gjatë udhëtimit, Volodimiri, një shofer vullnetar, u shpreh: «I lutemi shpesh Jehovait për mençuri, që të marrim vendime të mira.»
Oleksandri dhe bashkëshortja e tij, Valentina, jetonin në Kharkiv me prindërit e tij të moshuar. Ndërsa lufta intensifikohej, mund t’i shihnin shpërthimet vetëm 100 metra larg dritares së tyre. Ngaqë nuk kanë makinë, s’kishin si të largoheshin.
Më pas, tek ata vajtën vëllezërit për t’i shpëtuar. Oleksandri shprehet: «I jemi lutur Jehovait dhe e kemi falënderuar për vëllezërit që na ndihmuan.»
Vasili, e shoqja, Natalia, dhe 3 fëmijët e tyre u fshehën për disa ditë në bodrumin e shtëpisë. Më 28 shkurt 2022, kur ishin akoma në vendstrehim, pranë tyre shpërtheu një bombë që ua shkatërroi shtëpinë. Vasili sjell ndër mend zhurmën shurdhuese nga shpërthimi, si pasojë e të cilit u fikën të gjitha dritat në bodrum.
Kur kishte më pak luftime, familja zhvendosej në ndonjë bodrum tjetër aty pranë. Vëllezërit e gjetën familjen më 3 mars 2022 dhe i transferuan në një zonë më të sigurt brenda vendit.
Vasili përshkruan si u ndie pasi shpëtuan dhe pasi mbërritën në një zonë më të sigurt: «I ishim tejet mirënjohës Jehovait. Për të parën herë, pas asaj që na u duk si javë të tëra, mund të hanim darkë në paqe, pa ankthin se i kishim në rrezik fëmijët.»
Oleksandri, një nga shoferët, shpjegon se misionet e shpëtimit dëshmojnë për unitetin që ekziston mes popullit të Jehovait. Ai komenton: «Kjo situatë më ka ndihmuar të kuptoj si kujdeset Jehovai për shërbëtorët e tij. Më kënaqet shpirti tek shoh fytyrat e tyre mirënjohëse.»
I falënderojmë shumë vëllezërit tanë të guximshëm dhe lutemi që Jehovai t’i bekojë ndërsa shfaqin një frymë të tillë vetësakrifikuese.—Romakëve 12:10.