Kalo te përmbajtja

Pavarësisht nga vështirësitë ekonomike që kur nisi lufta, Natalia (majtas) dhe e bija, Habriela, strehuan disa lajmëtarë të shpërngulur

20 KORRIK 2022
UKRAINË

Ndihmojnë të tjerët edhe pse kanë fare pak për vete

Ndihmojnë të tjerët edhe pse kanë fare pak për vete

Gati 47.000 Dëshmitarë të Jehovait në Ukrainë janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës. Shumë kanë vajtur në zona më të sigurta të vendit, ku bashkadhuruesit u kanë ofruar veshje, ushqim, strehim dhe gjëra të tjera të nevojshme. Edhe pse vëllezërit mikpritës kanë vështirësi ekonomike, janë të kënaqur që po u japin një dorë të tjerëve.

Olha (në cep djathtas) me vëllezër e motra të shpërngulur nga lufta

Olha nga Umani, Ukrainë, dhe bashkëshorti i saj që nuk është Dëshmitar, mikpritën 300 lajmëtarë gjatë 2 muajve të parë të luftës. Shumë nga vëllezërit e motrat e shpërngulur qëndrojnë vetëm një natë para se të vazhdojnë udhëtimin. Shpesh Olhën e njoftojnë në mes të natës, vetëm pak minuta para se t’ia çojnë njerëzit në shtëpi. Në një rast, ajo strehoi 22 vëllezër e motra njëkohësisht. Kështu edhe djali i saj, Stanislavi 18-vjeçar, ka pasur mundësi të tregojë mikpritje. Ai shpesh fle përdhe, sepse dhomën e tij ua lë vëllezërve të shpërngulur.

Olha tregon: «Jam kaq e lumtur që mund të ndihmoj shërbëtorët e Jehovait gjatë kësaj periudhe të vështirë. Më kënaqet shpirti kur jap një dorë.»

Ljudmila dhe Andri

Andri dhe bashkëshortja e tij, Ljudmila, mikpritën 200 Dëshmitarë gjatë 5 javëve. Një herë strehuan 18 veta në një natë. Andri shprehet: «Zyra e degës na kishte sugjeruar të mbanim ca ushqime rezervë dhe kështu bëmë. Ato na mjaftuan për 1 javë e gjysmë për vëllezërit e shpërngulur. Vëllezërit na linin pará, me të cilat blinim çfarëdo ushqimesh që mund të gjenim për miqtë e radhës. Edhe Komiteti i Ndihmës në Rast Katastrofash na siguroi ushqim, ndaj kurrë nuk na mungoi ndonjë gjë.»

Në mars, Vita nga Ivano-Frankivsku vajti të jetonte me të motrën, në mënyrë që shtëpinë e saj ta përdornin Dëshmitarët e shpërngulur. Ajo komenton: «Nuk e shoh si sakrificë, por si gjest dashurie. Kjo më sjell shumë kënaqësi. Jemi të gjithë një familje.»

Natalia jeton në Ternopil me të shoqin dhe vajzën, Habrielën. Të tre humbën punën kur nisi lufta dhe iu desh të përdornin thuajse gjithë kursimet për të jetuar. Prapëseprapë u treguan të gatshëm të strehonin një motër dhe vajzën e saj invalide.

Vita (në cep djathtas) me Dëshmitarë të shpërngulur që jetojnë në shtëpinë e saj, ndërsa ajo po qëndron te një e afërme

Natalia tregon: «Solla ndër mend përvojën e një motre nga Afrika, që kishte fare pak nga ana materiale, por prapë strehoi 14 vëllezër e motra për kongresin dhe askujt nuk i mungoi asgjë.» Shembulli i saj e kishte nxitur të vinte në vend të parë interesat e të tjerëve.

Edhe pse në rrethana të vështira, vëllezërit e motrat në Ukrainë, me mençuri po mbështeten te Jehovai ndërsa ndjekin «udhën e mikpritjes».—Romakëve 12:13.