4 MAJ 2022
UKRAINË
Një vepër e motivuar nga dashuria
«Duhej të ishte udhëtimi i tij i fundit»
Ndërsa luftimet në Rajonin e Donetskut në Ukrainë bëheshin më të ashpra, vëlla Mikola Bozhedomovi shkoi disa herë në Kramatorsk që të ndihmonte sa më shumë njerëz të ishte e mundur të shpëtonin nga zona e luftës.
Por mjerisht, Mikola humbi jetën më 8 prill 2022 kur u bombardua stacioni i trenit në Kramatorsk, në Rajonin e Donetskut.
Përveç Mikolës 58-vjeçar, ndër më tepër se 50 njerëzit që humbën jetën nga bombardimet ishte edhe një motër. Gjithashtu në atë rast u plagosën mbi 100 veta, ndër ta edhe një vëlla. Disa Dëshmitarë që i mbijetuan sulmit, thanë se dëgjuan 2 shpërthime shurdhuese që u pasuan nga copa metali që fluturonin në ajër.
Nina, e shoqja e Mikolës prej 32 vitesh, tregon: «Im shoq i vinte gjithmonë interesat e të tjerëve para të tijave. Kishte sidomos merak të ndihmonte lajmëtarët e moshuar e të sëmurë. Por udhëtimet për në Kramatorsk po bëheshin gjithnjë e më të rrezikshme. Ky duhej të ishte udhëtimi i tij i fundit.»
Nina dhe Mikola u pagëzuan të dy më 1997. Mikola shërbeu me besnikëri për shumë vite si plak kongregacioni. Motrat e vëllezërit po i gjenden pranë Ninës, duke e mbështetur plot dashuri. Ajo thotë: «Fjalët e tyre ngushëlluese po më ndihmojnë të përballoj këtë situatë të dhimbshme.»
Nina po merr zemër edhe nga Shkrimet, sidomos nga Isaia 40:28-31. Ajo shprehet: «Jehovai po më ndihmon të rimarr fuqi. Po e ndiej dashurinë e tij në një masë të jashtëzakonshme. Më përpara vetëm kisha lexuar për këtë lloj dashurie, kurse tani po e përjetoj vetë.»
Lutemi për Ninën dhe për të gjithë ata që kanë humbur njerëzit e dashur për shkak të luftës. Kemi sigurinë se Jehovai do t’i mbështetë pareshtur.—Psalmi 20:2.