4 KORRIK 2022
UKRAINË
PËRDITËSIM NR. 10 | Dashuria triumfon në mes të krizës në Ukrainë
Shembuj ‘guximi, dashurie dhe besueshmërie’
Motrat e vëllezërit tanë në Ukrainë nuk e kanë kursyer ndihmën për bashkëbesimtarët. Ata vazhdojnë të shfaqin dashuri altruiste për njëri-tjetrin.
Motër Olena është 81 vjeçe. Më 6 qershor, pak metra larg shtëpisë së saj shpërtheu një predhë. Predha u shkatërroi shtëpinë fqinjëve duke hapur një gropë shtatë metra të thellë. Shpërthimi ishte aq i fortë sa dëmtoi rëndë edhe shtëpinë e Olenës.
Ajo tregon: «Po flija kur një mur më ra shumë afër, gati sa s’më goditi në kokë. Ajri u mbush me pluhur të zi e të dendur. Kishte gjithandej copa xhami dhe gurë. Falënderova Jehovain që shpëtova gjallë.» Ca minuta pas shpërthimit, vëllezërit e motrat vendëse erdhën për të parë motër Olenën. Ndër ta erdhi edhe një vëlla të cilit i ishte dëmtuar keq shtëpia. Motër Olena shton: «Kur erdhën, vëllezërit u shokuan e nuk dinin ç’të thoshin. Por mua më dha shumë zemër thjesht prania e tyre. U ndieva mirë që s’më lanë vetëm.»
Serhiji, një plak që shkon rregullisht për vizitë te motër Olena me të rinj të ndryshëm nga kongregacioni, thotë: «Kur dëgjova që afër shtëpisë së motër Olenës kishte pasur një shpërthim, u frikësova dhe u bëra shumë merak. Por sa u lehtësova kur pashë se nuk ishte lënduar shumë, kishte vetëm disa gërvishtje dhe nxirje në trup. U mrekullova kur gjërat e para që kërkoi motër Olena pasi iu shkatërrua shtëpia, ishin botimet e bazuara në Bibël që kishte marrë ca ditë më parë.»
Jemi të lumtur që të afërmit gjetën një shtëpi të re për të. Kongregacioni vazhdon ta ndihmojë në mënyra praktike motër Olenën dhe pleqtë e kongregacionit flasin me të çdo ditë. Vëllezërit e motrat i siguruan pajisje dëgjimi që ajo të nxjerrë dobi nga mbledhjet e kongregacionit. Ajo thotë: «Ndonjëherë ndihem e pafuqishme, por mbledhjet më japin forcë. Bashkëbesimtarët më marrin shpesh në telefon dhe jam shumë mirënjohëse për këtë.»
Një çift tregojnë se çfarë kaluan kur u strehuan në bodrumin e një Salle Mbretërie me 200 lajmëtarë të tjerë. Gruaja shkruan: «Më ka prekur veçanërisht kujdesi që kanë treguar pleqtë e dashur. Ata më kujtojnë Davidin, i cili pa vdekjen me sy kur luftoi me një luan dhe me një ari për të shpëtuar delet. Pleqve në bodrum iu desh të rrezikonin kokën për të siguruar ushqim, ujë dhe benzinë që të kishim ndriçim. Falë tyre, patëm mundësi të mbanim mbledhjet e kongregacionit dhe mbledhjet për shërbim. Edhe mes bombardimeve të rënda, këta pleq vizitonin rregullisht vëllezërit e motrat që qëndruan në shtëpitë e tyre dhe u çonin ushqime, ujë, si edhe u jepnin zemër. Ndiej një respekt të thellë për ata pleq. Para luftës, i kisha parë si mësues e predikues, por tani i shoh si barinj të besueshëm. Jam tejet mirënjohëse për shembullin e tyre të guximit, të dashurisë dhe të besueshmërisë!»
Lajmëtarët e një kongregacioni në Ukrainë i shkruan këto fjalë zyrës së degës atje për ata që marrin drejtimin në shpërndarjen e ndihmave humanitare: «Zemrat tona janë plot mirënjohje të thellë. Jemi mrekulluar tek shohim si kujdeset Jehovai për ne me anë të bashkëbesimtarëve. I kemi provuar në jetën tonë këto fjalë të Jezuit: ‘Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi: nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.’»—Gjoni 13:35.
Deri më 21 qershor 2022 kemi këtë raport nga Ukraina, siç mund ta shihni më poshtë. Këto statistika janë bazuar te raportet e vërtetuara nga vëllezërit vendës. Megjithatë, ngaqë është e vështirë të mbajmë komunikim me të gjitha rajonet e vendit, shifrat reale mund të jenë më të larta.
Si ndikoi te motrat dhe vëllezërit tanë
42 lajmëtarë kanë vdekur
83 lajmëtarë janë plagosur
31.185 lajmëtarë janë larguar nga shtëpitë
495 shtëpi janë shkatërruar
557 shtëpi kanë pësuar dëme të mëdha
1.429 shtëpi kanë pësuar dëme të vogla
5 Salla Mbretërie janë shkatërruar
8 Salla Mbretërie kanë pësuar dëme të mëdha
34 Salla Mbretërie kanë pësuar dëme të vogla
Ndihma në rast katastrofash
27 Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash (KNRK) po ndihmojnë në Ukrainë
KNRK-të kanë ndihmuar 52.348 persona të gjejnë strehim në zona më të sigurta
23.433 lajmëtarë janë larguar drejt shteteve të tjera ku po i ndihmojnë bashkëbesimtarët atje