Kalo te përmbajtja

Dy lajmëtarë po marrin pjesë në dëshminë publike në Ukrainë

18 KORRIK 2022
UKRAINË

PËRDITËSIM NR. 11 | Dashuria triumfon në mes të krizës në Ukrainë

‘Bëjnë atë që është e shkëlqyer’ në një vend të rrënuar nga lufta

PËRDITËSIM NR. 11 | Dashuria triumfon në mes të krizës në Ukrainë

Në gjithë Ukrainën, motrat e vëllezërit janë të gëzuar ngaqë mund të marrin pjesë sërish në dëshminë publike dhe kanë pasur rezultate të mira. Mbikëqyrësit qarkorë dhe pleqtë vendës raportojnë se shumë veta po reagojnë mirë teksa shohin prapë stendat tona me literaturë, madje thonë se e kanë ndier mungesën e Dëshmitarëve të Jehovait në lagjet e tyre.

Tatjana nga kongregacioni Serhiivka në Rajonin e Odesës, vendosi të takonte ata që i kishte kontaktuar para pandemisë. Ajo shpjegon: «Që nga fillimi kam parë se Jehovai i ka bekuar përpjekjet tona për të rifilluar predikimin.» Në një rast, ajo takoi një grua që nuk kishte pranuar të studionte Biblën para pandemisë. Këtë herë, gruaja ishte e etur të fliste për tema nga Bibla dhe pa hezitim pranoi të studionte Biblën. Tatjana thotë: «Dua t’i takoj të gjithë njerëzit që u kam predikuar para pandemisë dhe dua të ftoj secilin të studiojë Biblën.»

Jevheni dhe Lilia nga Mariupoli janë lajmëtarë që iu desh të largoheshin nga shtëpia e të transferoheshin në një vend tjetër më të sigurt të Ukrainës. Të dy po marrin pjesë rregullisht në veprën e predikimit. Ata shpjegojnë se predikimi i ka ndihmuar të mos e mbajnë mendjen te problemet e tyre. Jevheni dhe Lilia shprehen: «E dimë se jeta jonë nuk do të jetë si më parë. Është shumë e vështirë të nisësh një jetë të re, por nuk harrojmë se dora e Jehovait nuk është e shkurtër. Ai na ndihmon me anë të frymës së tij të shenjtë, dhe vëllezërit tanë janë gati të na japin një dorë që të nisim një jetë të re në një vend të ri.»

Edhe në zona të tjera të vendit, vëllezërit po japin dëshmi me anë të veprave të tyre të mira. Për shembull, një grup vëllezërish në qytetin e Mikolaivit ndihmoi një organizatë humanitare ndërkombëtare që të riparonte dhe të rregullonte një magazinë ndihmash për civilët. Ata rregulluan sistemin hidraulik, vendosën rafte dhe sistemuan tonelata me ndihma. Përfaqësuesja e organizatës humanitare u përlot kur vajti të inspektonte punën. Ajo tha: «Nuk prisja të shihja rezultate kaq të mira!»

Edhe pse bashkadhuruesit tanë në Ukrainë po kalojnë ditë të vështira, po përjetojnë atë lloj gëzimi që vjen kur je aktiv në veprën e predikimit dhe kur bën «atë që është e shkëlqyer».—Galatasve 6:9.

Deri më 13 korrik 2022 kemi këtë raport nga Ukraina, siç mund ta shihni më poshtë. Këto statistika janë bazuar te raportet e verifikuara nga vëllezërit vendës. Megjithatë, ngaqë është e vështirë të mbajmë komunikim me të gjitha rajonet e vendit, shifrat reale mund të jenë më të larta.

Situata e vëllezërve dhe e motrave

  • 42 lajmëtarë kanë vdekur

  • 97 lajmëtarë janë plagosur

  • 28.683 lajmëtarë janë larguar nga shtëpitë

  • 524 shtëpi janë shkatërruar

  • 588 shtëpi kanë pësuar dëme të mëdha

  • 1.554 shtëpi kanë pësuar dëme të vogla

  • 5 Salla Mbretërie janë shkatërruar

  • 10 Salla Mbretërie kanë pësuar dëme të mëdha

  • 36 Salla Mbretërie kanë pësuar dëme të vogla

Ndihma në rast katastrofash

  • 27 Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash (KNRK) po ndihmojnë në Ukrainë

  • KNRK-të kanë ndihmuar 52.947 persona të gjejnë strehim në zona më të sigurta

  • 23.863 lajmëtarë janë larguar drejt shteteve të tjera ku po i ndihmojnë bashkëbesimtarët atje