Kalo te përmbajtja

2 pagëzime që u bënë në Ukrainë më 23 korrik 2022

12 GUSHT 2022
UKRAINË

PËRDITËSIM NR. 12 | Dashuria triumfon në mes të krizës në Ukrainë

«As lufta nuk e ndalon dot veprën e bërjes së dishepujve»

PËRDITËSIM NR. 12 | Dashuria triumfon në mes të krizës në Ukrainë

Nga 23-31 korriku, shumë lajmëtarë në mbarë Ukrainën dhe në vende të tjera ku kishin shkuar, u pagëzuan gjatë kongresit të vitit 2022 «Ndiqni udhën e paqes!» Deri më 2 gusht u pagëzuan 1.113 veta nga Ukraina. Një vëlla në Ukrainë tha: «As lufta nuk e ndalon dot veprën e bërjes së dishepujve, siç premtoi Jezui: ‘Unë jam me ju gjithë ditët.’»—Mateu 28:20.

Me kënaqësi ju tregojmë disa përvoja.

Natalia nga Kremina, Rajoni i Luhanskut, është 63 vjeçe. Në vitet 90, ajo me 2 vajzat nisën të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Vajzat e vazhduan studimin dhe përparuan deri në pagëzim, kurse ajo jo. Kur shpërtheu lufta, Natalinë e mori një familje Dëshmitarësh të Jehovait dhe u transferuan bashkë në një zonë më të sigurt. Më pas i siguruan strehim në një Sallë Mbretërie në Ivano-Frankivsk.

Natalia shprehet: «Pas bombardimeve të tmerrshme, më dukej se kisha harruar të buzëqeshja. Vëllezërit e motrat shfaqën dashuri të sinqertë për mua. Nuk e prisja të më tregonin aq shumë kujdes. Në atë kohë m’u rizgjua dashuria për Jehovain. Nisa të lexoja shpesh Biblën, dhe një motër më ftoi të studioja me librin Gëzoje jetën përgjithmonë. Për mua, ajo motër ishte dhuratë nga Jehovai.» Natalia shton: «Tani jam shumë e lumtur që po pagëzohem si Dëshmitare e Jehovait. Dua të jetoj në harmoni me urdhërimin më të madh: të dua Jehovain, Perëndinë tim ‘me gjithë zemrën time, me gjithë shpirtin time dhe me gjithë mendjen time’.»—Mateu 22:37.

Olia, në Poloni, duke mbajtur një pankartë të bërë vetë me temën e kongresit: «Ndiqni udhën e paqes!»

Olia nga Çjerkasi ishte lajmëtare e papagëzuar kur nisi lufta. Më 6 mars vajti në Poloni me të bijën dhe mbesën. Ajo komenton: «Mbërritëm atje vetëm me çantat e shpinës, por vëllezërit e motrat u kujdesën për ne të tria. E gjithë kjo më bindi se organizata e Jehovait është e bashkuar dhe se drejtohet nga fryma e tij e shenjtë. Pas gjithë kësaj që përjetova, isha edhe më e vendosur t’ia kushtoja jetën Jehovait. Ai më ndihmoi në ditët e mia më të zeza dhe tani dua t’i shërbej e t’i tregoj sa mirënjohëse jam.»

Julia nga Rajoni i Donetskut është 18 vjeçe dhe u rrit në familje Dëshmitarësh, por nuk kishte përparuar deri në pagëzim. Ajo tregon për një ngjarje që ndodhi pak pasi filloi lufta: «Isha shtrirë përtokë dhe e kuptova se mund të vdisja nga momenti në moment. Çdo pëllëmbë e rrugës ku kishim shtëpinë u shkatërrua, por ne mbijetuam. Pas kësaj situate dhe pasi u luta e meditova për cilësitë e Jehovait, u afrova më shumë me të dhe nuk kisha më dyshime nëse duhej t’ia kushtoja jetën. Jehovai më tregoi se ishte pranë meje duke iu përgjigjur lutjeve të mia. Më përpara, vetëm kisha njohuri për Perëndinë, por tani e dua me gjithë zemër.» Julia u pagëzua më 23 korrik.

Davidi 11-vjeçar para se të pagëzohej në Gjermani

Kur shpërtheu lufta, Davidi 11-vjeçar shkoi me familjen në Gjermani. Ai ishte bërë lajmëtar i papagëzuar që në moshën 9-vjeçare. Tani Davidi mezi pret të arrijë synimet që i ka vënë vetes në shërbim të Jehovait. Ai thotë: «Vendosa të pagëzohem, sepse e dua Jehovain dhe dëshiroj të jem miku i tij. Kur u pagëzova, nuk i mbaja dot lotët nga gëzimi që tani isha pjesë e familjes së mrekullueshme të Jehovait. Kam shumë qejf t’u flas njerëzve për Jehovain dhe se ç’qëllim ka ai për njerëzit, ndaj synimi i radhës është të bëhem pionier. Dua edhe t’u shërbej motrave e vëllezërve në kongregacion dhe shpresoj që një ditë të bëhem shërbëtor kongregacioni. Dhe në fund dua të shërbej në Bethel. E kam ëndërr që kur vizitova zyrën e degës në Lviv më 2018.»

Olena është nga Kievi dhe u bë lajmëtare e papagëzuar më 2011. Ajo ishte joaktive për 10 vjet. Në vitin 2020, pleqtë e kongregacionit e kontaktuan dhe i dhanë broshurën Kthehu te Jehovai! Olena tregon: «Fillova sërish të studioja Biblën dhe të ndiqja mbledhjet. Por, pas ca kohe i lashë prapë. Gjatë luftës Jehovai iu përgjigj lutjeve të mia dhe kuptova se ai më kishte mbrojtur, më kishte shfaqur dashuri e më kishte falur paqe të brendshme. Ika në Rumani dhe atje gjeta Dëshmitarët. Aq shumë dashuri e kujdes më treguan vëllezërit, sa m’u duk sikur Jehovai më kishte mbështjellë me një batanije të ngrohtë.» Olena u pagëzua më 24 korrik. Ajo përfundon me fjalët: «I jam mirënjohëse Jehovait që u tregua aq i duruar me mua. Tani e di se ‘për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi’.»—Filipianëve 4:13.

Deri më 2 gusht 2022 kemi këtë raport nga Ukraina, siç mund ta shihni më poshtë. Këto statistika janë bazuar te raportet e verifikuara nga vëllezërit vendës. Megjithatë, ngaqë është e vështirë të mbajmë komunikim me të gjitha rajonet e vendit, shifrat reale mund të jenë më të larta.

Situata e vëllezërve dhe e motrave

  • 43 lajmëtarë kanë vdekur

  • 97 lajmëtarë janë plagosur

  • 22.568 lajmëtarë janë shpërngulur

  • 586 shtëpi janë shkatërruar

  • 613 shtëpi kanë pësuar dëme të mëdha

  • 1.632 shtëpi kanë pësuar dëme të vogla

  • 5 Salla Mbretërie janë shkatërruar

  • 10 Salla Mbretërie kanë pësuar dëme të mëdha

  • 37 Salla Mbretërie kanë pësuar dëme të vogla

Ndihma në rast katastrofash

  • 27 Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash (KNRK) po ndihmojnë në Ukrainë

  • KNRK-të kanë ndihmuar 53.836 persona të gjejnë strehim në zona më të sigurta

  • 24.867 lajmëtarë janë larguar drejt shteteve të tjera ku po i ndihmojnë bashkëbesimtarët atje