Kalo te përmbajtja

Vullnetarë ndërtimi duke riparuar shtëpi në zona të sigurta

29 DHJETOR 2022
UKRAINË

PËRDITËSIM NR. 15 | Dashuria triumfon në mes të krizës në Ukrainë

PËRDITËSIM NR. 15 | Dashuria triumfon në mes të krizës në Ukrainë

Që kur nisi lufta në Ukrainë, në shkurt 2022, rreth 3.000 shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait u shkatërruan ose u dëmtuan. Në gusht, vëllezërit në Ukrainë nisën të riparonin shtëpitë e dëmtuara në ato zona që janë më të sigurta. E gjithë puna po kryhet nën mbikëqyrjen e Departamentit të Ndihmës në Rast Katastrofash (DNRK) dhe të Departamentit Vendës të Projektim-Ndërtimit. Puna përfshin zëvendësimin e çative dhe të dritareve të dëmtuara, si dhe riparime të tjera të vogla. Në disa raste, kur shtëpia ishte e shkatërruar, vëllezërit i kthyen garazhet dhe depot në shtëpi modeste. Deri tani kanë përfunduar 37 projekte ndërtimi, ndërsa 48 të tjera nuk kanë mbaruar akoma.

S’është aspak e lehtë të riparosh shtëpi në kohë të trazuara. Megjithatë, vëllezërit nuk janë sprapsur dhe po vazhdojnë të ndihmojnë në këto projekte. Motër Svitlana, 70 vjeçe, nga Velika-Dimerka në Rajonin e Kievit, tregon: «Nuk kisha pará për të meremetuar çatinë dhe fasadën e shtëpisë. Por më priste një surprizë e madhe nga Jehovai. Erdhën vëllezërit dhe vetëm brenda tri ditësh mbaruan gjithë punën.»

Motra Nadja nga fshati Horenka, Rajoni i Kievit, shpjegon se ndihma që ka marrë nga vëllezërit, ka qenë një dëshmi e shkëlqyer për komunitetin. Ajo komenton: «Kjo punë ka qenë një dëshmi e fuqishme për këdo. Edhe ata që nuk i njoh, flasin për dashurinë e sinqertë që shohin mes Dëshmitarëve të Jehovait. U duket e pabesueshme që bashkëbesimtarët erdhën të më ndihmonin.»

Madje, edhe ata që kanë humbur shtëpitë, po ndihmojnë në punën e rindërtimit, siç janë Jevheni dhe Tetiana. Shtëpia e çiftit u shkatërrua pasi e goditi një predhë. Në vend që ta mbajnë mendjen te humbjet që pësuan, ata po punojnë me mish e me shpirt që të ndihmojnë vëllezërit e motrat. Jevheni komenton: «Gjithmonë kemi synuar të ndihmojmë të tjerët. Kur u shërbejmë të tjerëve, e kemi më të lehtë të përballojmë problemet tona.»

Një shtëpi në Velika-Dimerka, Rajoni i Kievit, para dhe pas riparimit

Edhe një motër me emrin Lidja, doli vullnetare për të dhënë një dorë, pasi vëllezërit i riparuan shtëpinë në Hostomel, Rajoni i Kievit. Ajo tha: «Për dy javë, gati 16 vëllezër e motra u morën me riparimin e shtëpisë sime. U ndieva sikur isha në botën e re. Tani edhe unë dua t’i ndihmoj të tjerët.»

Kohët e fundit, një anëtar nga Komiteti i Degës në Ukrainë vizitoi disa zona ku po vazhdon puna me rindërtimin. Ai u dha zemër atyre që kishin humbur shtëpitë. Vëllai komenton: «Vëllezërit në Ukrainë kanë qenë gjithmonë një shembull i shkëlqyer për t’i treguar dashuri njëri-tjetrit. Megjithatë, kjo luftë na ka afruar edhe më shumë. Inkurajohemi teksa shohim që ndihma që u kemi dhënë vëllezërve tanë të shtrenjtë, po i nxit të bëjnë edhe më tepër në shërbim. Në këtë mënyrë, ‘lutjet e tyre të falënderimit po vërshojnë me bollëk drejt Perëndisë’, siç thuhet te 2 Korintasve 9:12

Deri më 20 dhjetor 2022 kemi këtë raport nga Ukraina, siç mund ta shihni më poshtë. Këto statistika janë bazuar te raportet e vërtetuara nga vëllezërit vendës. Megjithatë, ngaqë është e vështirë të mbajmë komunikim me të gjitha rajonet e vendit, shifrat reale mund të jenë më të larta.

Situata e vëllezërve dhe e motrave

  • 47 lajmëtarë kanë vdekur

  • 97 lajmëtarë janë plagosur

  • 11.477 lajmëtarë janë shpërngulur

  • 590 shtëpi janë shkatërruar

  • 645 shtëpi kanë pësuar dëme të mëdha

  • 1.722 shtëpi kanë pësuar dëme të vogla

  • 7 Salla Mbretërie janë shkatërruar

  • 19 Salla Mbretërie kanë pësuar dëme të mëdha

  • 68 Salla Mbretërie kanë pësuar dëme të vogla

Ndihma në rast katastrofash

  • 26 Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash (KNRK) po ndihmojnë në Ukrainë

  • KNRK-të kanë ndihmuar 54.212 persona të gjejnë strehim në zona më të sigurta

  • 26.892 lajmëtarë janë larguar drejt shteteve të tjera ku po i ndihmojnë bashkëbesimtarët atje