Kalo te përmbajtja

Një shkollë pionierësh që u mbajt në një Sallë Mbretërie në Sambir (lart) dhe një tjetër që u mbajt në një vendstrehim në Zhitomir (poshtë)

1 SHKURT 2023
UKRAINË

PËRDITËSIM NR. 16 | Dashuria triumfon në mes të krizës në Ukrainë

Rifillojnë Shkollat e Shërbimit për Pionierë

PËRDITËSIM NR. 16 | Dashuria triumfon në mes të krizës në Ukrainë

Që nga 26 dhjetori 2022, pionierët e rregullt dhe specialë në Ukrainë kanë ndjekur Shkollën e Shërbimit për Pionierë në zonat që ishin të sigurta. Në varësi në rrethanave, pionierët e ndoqën këtë shkollë ose fizikisht, ose nëpërmjet Zoom-it. Pavarësisht nga vështirësitë, si sulmet ajrore, ndërprerja e energjisë elektrike, problemet ekonomike dhe shkëputjet e internetit, vëllezërit e motrat tona bënë të pamundurën që të përfitonin nga kjo stërvitje speciale. Si rezultat patën shumë bekime.

Disa motra ndoqën së bashku shkollën e pionierit nëpërmjet Zoom-it gjatë një ndërprerjeje të energjisë të njoftuar më parë. Ato përdorën bateri për të karikuar disa pajisje elektronike

Natalia nga Krivi-Ri thotë: «Shkolla ishte si kamerdare shpëtimi për mua. Më ndihmoi të mos më mbytnin ankthi e frika.» Po njësoj, Anastasia nga Çernivci shton: «Shkolla më bindi se Jehovai më do jashtë mase. Viti i kaluar ishte plot ngjarje të tmerrshme, por shkolla ishte fiks ajo që më duhej. Jam e motivuar të vazhdoj të luftoj për bekimet e Jehovait.»

Svitlana, një pioniere nga Kitsmani, në fillim ishte shumë në ankth kur mori ftesën për shkollën. Ajo shpjegon: «I shpreha Jehovait gjithë meraqet, edhe ato ekonomike. I lashë gjërat në dorën e tij dhe nuk jam penduar aspak. Ndjeva dashurinë dhe kujdesin e Jehovait.» I nxitur nga shembulli i Svitlanës, bashkëshorti i saj, që nuk është Dëshmitar i Jehovait, ka filluar të ndjekë mbledhjet e kongregacionit bashkë me të.

Pasi iu shkëput interneti, Viktoria u rilidh me shkollën e pionierit nga një stacion metroje

Në dy raste, studentët në Zhitomir duhej të futeshin në një vendstrehim të nëndheshëm për shkak të paralajmërimeve për sulme ajrore. Përdorën një sobë me dru për të ngrohur ambientin dhe rifilluan mësimin. Pavarësisht nga vështirësi të tilla, Valentina, që kohët e fundit është transferuar në Zhitomir, shprehet: «Nuk do ta harroj kurrë këtë shkollë. U ndieva sikur Jehovai më kishte mbështjellë me krahët e tij të fuqishëm.»

Si në shumë vende, pionierët në Ukrainë u entuziazmuan jashtë mase kur morën vesh për kuotën e reduktuar të orëve. Pasi dëgjoi njoftimin, Julia tha: «Më gufon zemra nga dashuria për Jehovain. Këtë mëngjes iu luta Jehovait dhe iu përgjërova të më lejonte të vazhdoja si pioniere. Nuk e dija si do të përgjigjej, por isha e sigurt se do të përgjigjej. Pasi dëgjova për kuotën e reduktuar të orëve, m’u përtëri mirënjohja për gjithë sa bën Jehovai për mua. Ky lajm i fundit ishte si qershia mbi tortë në fund të shkollës.»

Deri më 24 janar 2023 kemi këtë raport nga Ukraina, siç mund ta shihni më poshtë. Këto statistika janë bazuar te raportet e vërtetuara nga vëllezërit vendës. Megjithatë, ngaqë është e vështirë të mbajmë komunikim me të gjitha rajonet e vendit, shifrat reale mund të jenë më të larta.

Situata e vëllezërve dhe e motrave

  • 47 lajmëtarë kanë vdekur

  • 97 lajmëtarë janë plagosur

  • 8.953 lajmëtarë janë shpërngulur

  • 590 shtëpi janë shkatërruar

  • 645 shtëpi kanë pësuar dëme të mëdha

  • 1.722 shtëpi kanë pësuar dëme të vogla

  • 8 Salla Mbretërie janë shkatërruar

  • 17 Salla Mbretërie kanë pësuar dëme të mëdha

  • 76 Salla Mbretërie kanë pësuar dëme të vogla

Ndihma në rast katastrofash

  • 26 Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash (KNRK) po ndihmojnë në Ukrainë

  • 46 shtëpi janë riparuar

  • 5 Salla Mbretërie janë riparuar

  • KNRK-të kanë ndihmuar 54.445 persona të gjejnë strehim në zona më të sigurta

  • 27.655 lajmëtarë janë larguar drejt shteteve të tjera ku po i ndihmojnë bashkëbesimtarët atje