Kalo te përmbajtja

Majtas: një ndërtesë e shkatërruar në Kiev. Lart djathtas: vëllezërit e motrat gjejnë ngushëllim në informacionet që marrin nga aplikacioni JW Library ndërkohë që janë strehuar në bodrum. Poshtë djathtas: një familje refugjatësh nga Ukraina duke ngrënë një vakt në Sllovaki

11 MARS 2022
UKRAINË

PËRDITËSIM NR. 2 | Dashuria triumfon në mes të krizës në Ukrainë

PËRDITËSIM NR. 2 | Dashuria triumfon në mes të krizës në Ukrainë

Në zonat e prekura nga luftime të ashpra, të tilla si Mariupoli, nuk ka energji elektrike ose ngrohje, e linjat telefonike dhe interneti janë ndërprerë. Dritaret e shumë shtëpive janë shkatërruar. Rezervat ushqimore dhe uji po mbarojnë. Mbi 2.500 vëllezër e motra nuk largohen dot nga Mariupoli. Në disa qytete, të tilla si Buça, Çernihivi, Hostomeli, Irpini, Kievi dhe Sumi, u hapën korridore humanitare falë të cilave disa arritën të evakuoheshin. Kjo u dha mundësi dhjetëra vëllezërve e motrave të iknin në zona më të sigurta.

Një vëlla 36-vjeçar që shërben si plak dhe pionier e që jetonte në Hostomel, arriti të largohej me gruan dhe me prindërit e tij. Ai tregon çfarë përjetoi kur luftimet arritën në qytetin ku banonte:

«Helikopterët fluturonin mbi shtëpinë tonë. Kudo nëpër rrugë shihnim automjete ushtarake gjatë gjithë kohës. Ushtarët hynë me forcë në shtëpinë tonë kur ne ishim në bodrum. Një prej tyre qëlloi disa herë me armë në drejtim të bodrumit. Plumbat goditën çantën e emergjencës që mbante nëna, por nuk plagosi asnjërin prej nesh. Për rreth tri ose katër orë ndenjëm pa lëvizur dhe pa nxjerrë zë ndërsa mbi kokat tona vazhdonin bombardimet dhe të shtënat pa fund. . . . Të nesërmen në mëngjes, ndërsa po largoheshim me makinë, aty pranë nesh nisi një betejë. Nëpër rrugë shihnim tanke. . . . Ishte shumë e rrezikshme, por akoma më e rrezikshme ishte të qëndronim atje.

Të gjitha këto ngjarje na e kanë ndryshuar plotësisht jetën. Kemi mësuar si të zbatojmë shumë nga parimet e Biblës. Për shembull, si të mos shqetësohemi për të nesërmen, si të kënaqemi me gjërat më bazike dhe si të besojmë te Jehovai edhe në situatat më të vështira.»

Jemi të sigurt se Perëndia ynë, Jehovai, është plotësisht në dijeni të të gjitha vështirësive ekstreme që po kalojnë motrat e vëllezërit tanë në Ukrainë. Ai nuk do t’i lërë kurrë në baltë.—2 Pjetrit 2:9.

Një familje e strehuar në bodrum, që më vonë arritën të largoheshin drejt një zone më të sigurt

Deri më 10 mars 2022, kemi këtë raport nga Ukraina:

Si ndikoi te motrat dhe vëllezërit tanë

  • 2 lajmëtarë kanë vdekur

  • 8 lajmëtarë janë plagosur

  • 25.407 lajmëtarë janë larguar nga shtëpitë e tyre drejt zonave më të sigurta brenda shtetit

  • 25 shtëpi janë shkatërruar

  • 59 shtëpi kanë pësuar dëme të mëdha

  • 222 shtëpi kanë pësuar dëme të vogla

  • 7 Salla Mbretërie janë dëmtuar

Ndihma në rast katastrofash

  • Në Ukrainë po ndihmojnë 27 Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash (KNRK)

  • KNRK-të kanë ndihmuar 10.566 lajmëtarë të gjejnë strehim në zona më të sigurta

  • 9.635 lajmëtarë janë larguar drejt shteteve të tjera ku po i ndihmojnë bashkëbesimtarët