16 MARS 2022
UKRAINË
PËRDITËSIM NR. 3 | Dashuria triumfon në mes të krizës në Ukrainë
Me keqardhje ju njoftojmë se dy nga motrat tona mbetën të vrara gjatë bombardimeve në qytetin e Mariupolit. Aktualisht janë ende më shumë se 2.000 vëllezër e motra që nuk largohen dot nga qyteti për shkak të luftimeve të ashpra. Gjatë këtyre ditëve, rreth 150 Dëshmitarë arritën të iknin. Vëllezërit që punojnë në një Komitet Ndihme në Rast Katastrofash (KNRK), u përpoqën të çonin ndihma në Mariupol, por iu desh të ktheheshin prapa kur makinat e tyre dhe mjete të tjera me ndihma humanitare i sulmuan me armë zjarri. Një bombë ra në oborrin e një kompleksi ku ka një Sallë Mbretërie dhe një Sallë Asamblesh. Në atë moment rreth 200 vëllezër e motra ishin strehuar në bodrumin e Sallës së Mbretërisë. Asnjë nga vëllezërit nuk u lëndua, por makinat e tyre u shkatërruan duke ua bërë edhe më të vështirë për t’u larguar nga qyteti.
Një plak (tregohet te fotografia poshtë) që arriti të ikte nga Mariupoli me familjen e tij, tregon: «Humbëm apartamentin, punën dhe lidhjet me miqtë tanë. Udhëtimi deri këtu, që zakonisht zgjat një ditë, në rastin tonë zgjati gjashtë ditë. Ndërsa largoheshim me makinë [nga qyteti], përgjatë rrugës shihnim tymin që dilte nga predhat e pashpërthyera. Gjatë udhëtimit vëllezërit na ndihmuan të gjenim strehim dhe ushqim. Ndiem merakun e thellë që ka Jehovai si Ati ynë. . . . Kjo na bind se mund t’i besojmë plotësisht Atij.»
Refugjatët Dëshmitarë nga Ukraina kanë shkuar në disa vende të Evropës për të mbrojtur jetën. Për shembull, një shërbëtor kongregacioni me të shoqen dhe tre fëmijët e tyre të moshave 7, 11 dhe 16 vjeç, shkuan në Portugali te disa të afërm të tyre që janë Dëshmitarë të Jehovait. Pasi pritën 11 orë për të kaluar kufirin, familja udhëtoi mbi 4.000 kilometra për katër ditë që të shkonin në shtëpinë e të afërmve. Mbërritën atje pak para se të fillonte mbledhja e kongregacionit. Edhe pse nuk flasin portugalisht, ata vazhduan ta mbanin në vend të parë programin besimforcues dhe u lidhën me mbledhjen e kongregacionit. Lajmëtarëve të kongregacionit u bëri shumë përshtypje kur panë sa e lumtur ishte kjo familje nga Ukraina, pavarësisht nga situata e tyre e vështirë.
Një motër tjetër që iku me familjen e saj në Gjermani, shpjegon: «Leximi i Biblës, meditimi për gjërat e mira dhe për shpresën e mrekullueshme që kemi të gjithë ne, na japin vërtet shumë zemër dhe forcë. . . . Kemi parë si na ka drejtuar dhe ndihmuar Jehovai nëpërmjet vëllezërve. Na kanë mirëpritur dhe kanë bërë shumë për ne në Ukrainë, Hungari dhe tani këtu në Gjermani.»
Duket qartë që Jehovai po i mbështet pareshtur të gjithë motrat e vëllezërit tanë të shtrenjtë në Ukrainë.—Psalmi 145:14.
Deri më 16 mars 2022, kemi këtë raport nga Ukraina, siç mund ta shihni poshtë. Këto statistika janë bazuar te raportet e vërtetuara nga vëllezërit vendës. Megjithatë, ngaqë është e vështirë të mbajmë komunikim me të gjitha rajonet e vendit, shifra reale mund të jetë goxha më e lartë:
Si ndikoi te motrat dhe vëllezërit tanë
4 lajmëtarë kanë vdekur
19 lajmëtarë janë plagosur
29.789 lajmëtarë janë larguar nga shtëpitë e tyre drejt zonave më të sigurta brenda vendit
45 shtëpi janë shkatërruar
84 shtëpi kanë pësuar dëme të mëdha
366 shtëpi kanë pësuar dëme të lehta
16 Salla Mbretërie janë dëmtuar
Ndihma në rast katastrofash
27 KNRK po ndihmojnë në Ukrainë
KNRK-të kanë ndihmuar 20.981 lajmëtarë të gjejnë strehim në zona më të sigurta
11.973 lajmëtarë janë larguar drejt shteteve të tjera ku po i ndihmojnë bashkëbesimtarët atje