23 MARS 2022
UKRAINË
PËRDITËSIM NR. 4 | Dashuria triumfon në mes të krizës në Ukrainë
Vazhdojmë të lutemi me zjarr për vëllezërit e motrat në Mariupol, ku nuk reshtin luftimet nëpër rrugë dhe bombardimet. Mjerisht, gjashtë vëllezër e motra kanë vdekur gjatë bombardimeve. Deri tani, në Ukrainë kanë humbur jetën 10 vëllezër e motra. Përveç kësaj, siç është raportuar edhe në lajme, javën e kaluar u bombardua një teatër ku strehoheshin mbi 1.000 veta. Asnjë nga vëllezërit tanë nuk humbi jetën gjatë këtij sulmi, por disa pësuan lëndime të lehta.
Rreth 750 vëllezër ia kanë dalë të largohen nga Mariupoli, por ka ende rreth 1.600 lajmëtarë atje. Shumë prej tyre ndodhen në pjesën lindore të qytetit, tanimë nën kontrollin e Rusisë.
Siç është raportuar edhe më parë, rreth 200 vëllezër e motra janë strehuar në bodrumin e një kompleksi që ka një Sallë Mbretërie dhe një Sallë Asamblesh. Kur linjat e komunikimit u rivendosën shkurtimisht, vëllezërit në kompleks raportuan sa vijon:
«Gjatë bombardimeve, shumë vëllezër e motra ishin mjaft të frikësuar. Disa filluan të qanin. Kur dëgjuam shpërthimet jashtë, menduam se do të vdisnim ose nga shpërthimet ose nga zjarri. Një plak sugjeroi që të këndonim të gjithë bashkë këngët e Mbretërisë. Kënduam njëra pas tjetrës 10 deri në 15 këngë. Sa më të forta bëheshin shpërthimet dhe sa më shumë dridhej ndërtesa, aq më fort këndonim ne. Pastaj lexuam Psalmin 27 dhe biseduam rreth tij. Më pas, të gjithë filluam të flisnim për shkrimet e preferuara nga Bibla dhe të tregonim si na kishin dhënë forcë ato vargje. . . . E provuam vetë se Jehovai është vërtet ‘Ati i mëshirshëm e zemërdhembshur dhe Perëndia i çdo ngushëllimi’, i cili na qetëson edhe në momentet më kritike.»—2 Korintasve 1:3, 4.
Plot vetëmohim, pleqtë dhe pjesëtarët e Komitetit vendës të Ndihmës në Rast Katastrofash (KNRK) kërkojnë bashkëbesimtarët dhe u çojnë ushqime e ilaçe kur kanë nevojë, madje duke rrezikuar edhe jetën. Ndonjëherë, ndërsa kërkojnë nëpër qytet, u duhet të zvarriten në tokë për t’u mbrojtur nga plumbat. Jemi krenarë për këta vëllezër, të cilët ‘vënë kokën në rrezik’ për bashkëbesimtarët.—Romakëve 16:4.
Për shkak të mungesës së gazit dhe të energjisë elektrike, nëpër qytet motra të guximshme gatuajnë jashtë me zjarr. Pastaj ushqimin ua shpërndajnë lajmëtarëve të moshuar dhe invalidë. Shumë vëllezër kanë humbur shtëpitë, makinat dhe të mirat materiale, por janë mirënjohës për dashurinë dhe kujdesin e bashkëbesimtarëve.
Lajmëtarët që po qëndrojnë në vende strehimi përpiqen ta adhurojnë Jehovain rregullisht duke studiuar bashkë Biblën dhe duke folur për mesazhin e saj me të tjerët, sa herë që është e mundur.
Deri më 22 mars 2022, kemi këtë raport nga Ukraina, siç mund ta shihni më poshtë. Këto statistika janë bazuar te raportet e vërtetuara nga vëllezërit vendës. Megjithatë, ngaqë është e vështirë të mbajmë komunikim me të gjitha rajonet e vendit, shifra reale mund të jetë goxha më e lartë.
Si ndikoi te motrat dhe vëllezërit tanë
10 lajmëtarë kanë vdekur
27 lajmëtarë janë plagosur
33.180 lajmëtarë janë larguar nga shtëpitë e tyre drejt zonave më të sigurta brenda vendit
78 shtëpi janë shkatërruar
102 shtëpi kanë pësuar dëme të mëdha
484 shtëpi kanë pësuar dëme të vogla
1 Sallë Mbretërie është shkatërruar
4 Salla Mbretërie kanë pësuar dëme të mëdha
18 Salla Mbretërie kanë pësuar dëme të vogla
Ndihma në rast katastrofash
27 KNRK po ndihmojnë në Ukrainë
KNRK-të kanë ndihmuar 25.069 lajmëtarë të gjejnë strehim në zona më të sigurta
14.308 lajmëtarë janë larguar drejt shteteve të tjera ku po i ndihmojnë bashkëbesimtarët atje