Kalo te përmbajtja

Majtas: vëllezër e motra në Ukrainë duke bërë gati kuti me ndihma që erdhën nga Polonia, të cilat do të transportohen me furgonë mallrash. Djathtas: shtëpia e një vëllai në Hostomel, e shkatërruar nga një bombë

13 PRILL 2022
UKRAINË

PËRDITËSIM NR. 6 | Dashuria triumfon në mes të krizës në Ukrainë

PËRDITËSIM NR. 6 | Dashuria triumfon në mes të krizës në Ukrainë

Mjerisht, edhe motra e vëllezër të tjerë të dashur kanë humbur jetën gjatë luftës që po vazhdon në Ukrainë. Deri tani kanë vdekur gjithsej 28 Dëshmitarë të Jehovait.

Siç raportohet në lajmet ndërkombëtare, në qytezat afër Kievit janë zhvilluar luftime të ashpra gjatë javëve të para të luftës. Nga rreth 4.900 lajmëtarë që jetonin në këtë rajon, më tepër se 3.500 janë larguar në zona më të sigurta.

Historitë e mëposhtme tregojnë se si vëllezërit në këto zona po e mbajnë besimin të palëkundur përballë sprovave tejet të rënda.

Oleksandri, një plak nga qyteza e Makarivit, ishte larguar në një zonë më të sigurt në qendër të Ukrainës. Por e brente meraku për 4 lajmëtarë nga grupi i tij i shërbimit. Ngaqë s’po lidhej dot me ta, vendosi të kthehej në zonën e luftës dhe t’i kërkonte. Ai tregon: «E kuptova se gjëja më e shtrenjtë për Jehovain janë adhuruesit e tij. . . . Kur mbërrita në oborrin e shtëpisë së një prej lajmëtarëve, pashë se ishte goditur nga bombat. Dera e bodrumit të shtëpisë ishte e mbyllur dhe asnjë s’po u përgjigjej thirrjeve të mia. U frikësova pa masë.» Oleksandri hapi me forcë derën e bodrumit dhe pa një grup njerëzish që ia kishin ngulur sytë. Aty ishin strehuar lajmëtarët, si edhe disa fqinjë që nuk ishin Dëshmitarë.

Jaroslavi me të shoqen (në qendër) dhe Oleksandri me të shoqen duke ngrënë së bashku një vakt pasi mbërritën në një zonë më të sigurt

Një nga lajmëtarët në atë bodrum, Jaroslavi, shpjegoi se kishin 8 ditë që rrinin aty. Ai tregon: «Kishim vetëm disa biskota dhe një gotë ujë në ditë për person. Por lexonim Biblën dhe botimet, luteshim dhe i jepnim zemër njëri-tjetrit. Kur dëgjova Oleksandrin që po më thërriste, mendova se erdhën ushtarët të më merrnin. Thashë me vete ‘kaq e pata’. . . . [Por,] ai na shpëtoi të gjithëve. I jemi mirënjohës Jehovait që na ka dhënë një familje kaq të dashur, të cilët luten për ne e madje rrezikojnë jetën për të na shpëtuar.»

Filipi

Filipi dhe një vëlla tjetër vendosën t’u çonin ushqim atyre që kishin mbetur në qytezën e Borodiankës. Më 17 mars ndërsa po udhëtonin për atje, ushtarët ia morën Filipit makinën dhe ushqimet. Pastaj i arrestuan të dy vëllezërit, i prangosën, u mbyllën sytë dhe i çuan në një dhomë të vogël në bodrum bashkë me 7 burra të tjerë. Dy ditë më vonë i çuan në qeli, ku rojat i rrahën gjatë natës. Filipi tha: «Nuk isha i sigurt nëse do të dilja gjallë që aty. U luta që të mbetesha besnik.»

Në një rast, ndërsa po e rrihnin, Filipi filloi të lutej me zë për motrat e moshuara që kishin ngelur pa ushqim, për familjen e tij që të ishin shëndoshë e mirë dhe falënderoi Jehovain për gjithë vitet e lumtura në shërbim të tij. Roja e ktheu në qeli, ku Filipi vazhdoi të lutej që ushtarët të kuptonin se vëllezërit nuk ishin të rrezikshëm. Të dy vëllezërit nisën t’u predikonin rojave. Për 2 ditë ata u predikuan rojave të çdo turni. Veç kësaj, një nga të burgosurit tregoi interes për mesazhin e Biblës dhe i falënderoi vëllezërit. Më 27 mars, vëllezërit dhe burri që tregoi interes, u liruan.

Svitlana, një motër beqare nga Buça, nuk arriti të largohej nga zona e luftës për 2 javë. Ajo tregon: «E kuptoj si kurrë më parë rëndësinë e paqes që na jep Jehovai. Të kesh paqen e Perëndisë, nuk do të thotë se e dimë gjithmonë çfarë të bëjmë. Përkundrazi, edhe kur nuk shohim ndonjë rrugëdalje, mbështetemi plotësisht te Jehovai.»

Ndërsa po udhëtonte drejt një zone më të sigurt në Ukrainë, Svitlana i dha dëshmi një gruaje dhe nipit të saj. Të gjithë mbërritën në një zonë më të sigurt dhe takuan një familje Dëshmitarësh. Familja strehoi atë natë edhe Svitlanën, edhe këtë grua bashkë me nipin. Të nesërmen gruaja kërkoi të ndiqte një mbledhje kongregacioni, si edhe një Bibël e botimet tona. Svitlana vazhdon të jetë në kontakt me të.

Deri më 12 prill 2022, kemi këtë raport nga Ukraina, siç mund ta shihni më poshtë. Këto statistika janë bazuar te raportet e vërtetuara nga vëllezërit vendës. Megjithatë, ngaqë është e vështirë të mbajmë komunikim me të gjitha rajonet e vendit, shifrat reale mund të jenë më të larta.

Si ndikoi te motrat dhe vëllezërit tanë

  • 28 lajmëtarë kanë vdekur

  • 48 lajmëtarë janë plagosur

  • 40.778 lajmëtarë janë larguar nga shtëpitë drejt zonave më të sigurta

  • 278 shtëpi janë shkatërruar

  • 268 shtëpi kanë pësuar dëme të mëdha

  • 746 shtëpi kanë pësuar dëme të vogla

  • 1 Sallë Mbretërie është shkatërruar

  • 9 Salla Mbretërie kanë pësuar dëme të mëdha

  • 26 Salla Mbretërie kanë pësuar dëme të vogla

Ndihma në rast katastrofash

  • 27 Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash (KNRK) po ndihmojnë në Ukrainë

  • KNRK-të kanë ndihmuar 41.974 lajmëtarë të gjejnë strehim në zona më të sigurta

  • 18.097 lajmëtarë janë larguar drejt shteteve të tjera ku po i ndihmojnë bashkëbesimtarët atje