25 TETOR 2023
UKRAINË
Plot 30 vjet pas pagëzimit historik në Ukrainë
Më 7 gusht 1993, në Kiev, Ukrainë, në Kongresin Ndërkombëtar të Dëshmitarëve të Jehovait me temë «Mësimi hyjnor», u pagëzuan 7.402 vëllezër e motra. Ky kongres mban rekord për numrin e të pagëzuarve në historinë moderne të popullit të Jehovait. Kjo ngjarje e paharrueshme la mbresa të thella tek ata që u pagëzuan atë ditë.
Mes tyre ishin Volodimiri dhe e shoqja, Alla. Ai ishte kongresi i parë për ta. Duke menduar për afro 65.000 të pranishmit që vinin nga 16 shtete, ata thonë: «Ai kongres në Kiev na tregoi se vëllazëria jonë mbarëbotërore është realitet, jo thjesht diçka për të cilën lexojmë në botimet tona. Tani, pas gjithë atyre kongreseve që kemi ndjekur, kemi pasur mundësi të takojmë edhe shumë vëllezër e motra të tjerë dhe kemi mësuar prej tyre se, kur i japim Jehovait vendin e parë në jetën tonë, do të jemi vërtet të lumtur.»
Oleksandri, një vëlla nga Kievi, ishte një nga mbi 50 vëllezërit e motrat nga kongregacioni i tij që u pagëzuan në atë kongres. Ai sjell ndër mend atmosferën atje: «M’u mbushën sytë me lot kur pashë dashurinë dhe unitetin mes vëllezërve. Ai kongres më bindi se jam pjesë e një familjeje të dashur bashkadhuruesish. Edhe sot e kësaj dite kongreset kanë të njëjtin efekt tek unë.»
Kur kthen kokën pas e mendon për ditën e pagëzimit dhe për tërë atë kongres, një motër që quhet Ljudmila thotë: «Programi i kongresit ‘Mësimi hyjnor’ më ndihmoi të përqendrohem te synimet teokratike. Vura si synim t’i shërbeja Jehovait në kohë të plotë. E arrita synimin dhe sot bëj rreth 28 vjet që shërbej në kohë të plotë. Jehovai më ka mbështetur gjithmonë gjatë tërë këtyre viteve.»
Kongresi Ndërkombëtar i vitit 1993 me temë «Mësimi hyjnor» në Kiev, ishte vërtet një event i paharrueshëm. Që nga ajo kohë, numri i lajmëtarëve në Ukrainë thuajse është trefishuar. Sot, Jehovai vazhdon t’i bekojë lajmëtarët në Ukrainë që plot guxim zgjedhin t’i shërbejnë, i kushtojnë jetën dhe pagëzohen.—Eksodi 32:26.