Kalo te përmbajtja

23 QERSHOR 2022
UKRAINË

Udhëtimi im drejt një vendi të sigurt

Një histori mbijetese nga Ukraina treguar nga Anastasia Kozjanova

Udhëtimi im drejt një vendi të sigurt

Mëngjesin e 24 shkurtit 2022 më zgjuan ca zhurma të forta. Fillimisht mendova se ishin bubullima meqë po binte shi. Por në të vërtetë ishin bombat që binin pareshtur.

Kuptova se duhej të largohesha nga shtëpia, që ishte në qendër të Mariupolit. Të nesërmen vajta te shtëpia e gjyshe Irinës, në periferi të qytetit. Aty isha me kushëririn e gjyshen, por më vonë erdhi edhe mamaja, Katerina. Shtëpia e gjyshes ishte e sigurt për njëfarë kohe, por na u desh të flinim në bodrum për ditë me radhë.

Një herë, kur ishim të fshehur në bodrum, në bahçen tonë ra një predhë që shpërtheu aq fort, sa shkaktoi një zhurmë tejet shurdhuese. Iu luta Jehovait pa pushim. Pas një jave e kuptuam se shtëpia e gjyshes nuk ishte më një vend i sigurt, ndaj vendosëm të ktheheshim prapë në qendër të qytetit që të gjenim një mënyrë për t’u larguar. Iu përgjërova Jehovait të na ndihmonte të mbeteshim gjallë e të na nxirrte që aty.

Mëngjesin e 4 marsit nuk kishte trena nga Mariupoli, sepse qyteti ishte i rrethuar. Kështu që për 10 ditët vijuese u strehuam në teatrin e qytetit me qindra të tjerë. Teatri ishte i tejmbushur dhe duhej të flinim në dysheme. Nuk kishte fare kushte higjienike dhe ushqimi e uji i ngrohtë mezi gjendeshin. Kemi pritur në radhë për orë të tëra.

Një ditë, jo larg teatrit shpërtheu një predhë. Aq i fortë ishte shpërthimi, saqë shkuli dritaret nga vendi dhe si pasojë, ambienti brenda u bë akull i ftohtë.

Anastasia me gjyshe Irinën dhe me kushëririn, Andrin

Gjatë asaj periudhe të vështirë më ka ndihmuar jashtë mase historia e Jobit. Kur pashë që njerëzit i zuri paniku pas shpërthimeve, nisa të lexoja historinë e Jobit nga Bibla ime. U ndieva pak më mirë. Më dukej sikur isha ulur aty në teatër me Jobin dhe i thosha: «Tani e kuptoj mirë si je ndier!» Jobi kishte humbur gjithçka: familjen, shëndetin dhe pasurinë. Ndërsa unë kisha humbur vetëm gjërat materiale. Familja ime ishte me mua dhe të gjithë ishim shëndoshë e mirë. Pikërisht atë moment kuptova se situata ime nuk ishte e zezë sterrë. Pastaj u ndieva më mirë.

Më 14 mars morëm vesh se një grup ia kishte dalë të largohej nga qyteti shëndoshë e mirë. Kështu që edhe ne vendosëm të largoheshim. Arritëm të gjenim transport bashkë me disa që ishin aty në teatër.

Një karvan me 20 makina arriti të largohej nga qyteti. 14 prej nesh u ngjeshëm në pjesën e pasme të një furgoni. Ndërsa udhëtonim, bombat binin nga të gjitha anët. Lutesha e lutesha pa pushim. Sapo lamë pas Mariupolin, shoferi ynë ndaloi furgonin, doli dhe shpërtheu në lot. Ia kishte dalë të shmangte të gjitha minat gjatë rrugës. Mësuam se 2 ditë pasi ikëm, teatrin e kishin bombarduar dhe ishin vrarë të paktën 300 veta.

Pas 13 orësh udhëtim, mbërritëm në Zaporizhia. Të nesërmen në mëngjes morëm trenin për në Lviv. Zakonisht në një vagon treni rrinë 4 veta, por tani ishim 16. Bënte shumë vapë. Ndenja në korridor thuajse gjatë tërë udhëtimit. Ishte i vetmi vend ku mund të mbushje mushkëritë me ajër të pastër. Më 16 qershor mbërritëm në Lviv, ku vëllezërit e motrat e dashura na mirëpritën ngrohtësisht. Pastaj 4 ditët vijuese u strehuam në një Sallë Mbretërie. Jam përlotur teksa shihja sa merak e kujdes tregonin për ne vëllezërit e motrat. Ishin një dhuratë nga Jehovai!

Më 19 mars vendosëm të largoheshim nga Ukraina dhe të shkonim në Poloninë fqinje, ku bashkë me gjyshen, mamanë e kushëririn na mikpritën sërish vëllezërit e motrat. Ata na siguruan çdo gjë që na nevojitej e na rrethuan me dashuri.

Jam vetëm 19 vjeçe, por pasi kam kaluar gjithë këto peripeci, kam mësuar sa e rëndësishme është të forcosh besimin kur gjërat shkojnë mirë. Besimi të ndihmon të mbijetosh. Po të mos kisha pasur një studim personal të rregullt para luftës, do ta kisha pasur shumë më të vështirë.

Jehovai është një Atë i dashur. Në çdo moment ndieja sikur Ai më kishte kapur nga dora e djathtë dhe më printe gjatë gjithë udhëtimit. Mendoj se asnjëherë nuk do ta falënderoj mjaftueshëm Jehovain për gjithë sa ka bërë për mua.—Isaia 41:10.